Në Shqipëri Gjykata e Posaçme antikorrupsion e gjeti sot fajtor anëtarin e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit Luan Daci, i cili kur aplikoi 3 vjet më parë për postin e lartë, kishte fshehur shkarkimin nga detyra si gjyqtar, në vitin ‘97
Kolegji i Apelimit është shkalla më e lartë e sistemit të Vettingut, ku merret vendim i formës së prerë për gjykatësit dhe prokurorët që po i nënshtrohen këtij procesi.
Ndërsa prokuroria kërkoi dënimin e zotit Daci, me 12 muaj burgim, gjykata vendosi për 6 muaj burgim, të konvertuar në 12 muaj shërbim prove, kohë gjatë së cilës ai, nuk duhet të shoqërohet me persona në konflikt me ligjin.
Zoti Daci mohoi të kishte falsifikuar ndonjëherë dokumenta. Por gjyqtari i çështjes shpjegoi se përmes deklarimit të rremë, ai ka sjellë pasoja, për sa kohë është emëruar në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit. Sipas Gjykatës, rezulton të jetë provuar se si përpara Avokatit të popullit, po ashtu edhe në Komisionin Ad hoc në parlament, zoti Daci, ka fshehur faktin e shkarkimit nga detyra e gjyqtarit, me motivacionin për shkelje të rënda të ligjit dhe paaftësi në detyrë
Avokati i zotit Daci këmbënguli se klienti nuk ka kryer asnjë shkelje penale, duke paralajmëruar ankimimin në Gjykatën e Apelit
Facebook Forum