Një nga apektet pozitive interesante të pandemisë së koronavirusit është rritja shëtitjeve me biçikleta në natyrë. Në shtetin e Merilendit, disa të rinj kanë krijuar një grup të shëtitjes me biçikleta, të quajtur “Skifterët e Parkut Franklin”.
Aktivitetet rutinë po marrin një rëndësi të veçantë gjatë pandemisë së Covid-19, qoftë një shëtitje e gjatë në park, apo tubime të vogla, të rralla dhe të rastësishme.
Në një lagje në periferi të Uashingtonit, disa fëmijë filluan të dalin së bashku me biçikleta dhe me kalimin e kohës grupi i tyre u bë një klub i shëtitjes me biçikletë.
“Të gjithë ne ishim mërzitur me COVID-in sepse nuk mund të bënim shumë gjëra. Ne thjesht filluam të dilnim jashtë për t’u shëtitur me biçikletë dhe shumë fëmijë u bashkuan me ne. Grupi ynë filloi të rritej dhe krijuam një ekip të shëtitjes me biçikletë sepse ky ishte një aktivitet i përbashkët për të gjithë ne", thotë Liam Salgenik.
“Është kënaqësi të dalësh jashtë sepse të gjithë miqtë e mi janë jashtë, gjithmonë mund të flasësh me ta. Gjithmonë ka diçka për të folur me të gjithë grupin dhe ne e kuptojmë mirë njëri-tjetrin", thotë Samantha Stancik.
Ata e quajnë veten “Skifterët e Parkut Franklin”. Grupi shfrytëzon shëtitjet me biçikleta për t’u shoqëruar me njëri-tjetrin, duke respektuar distancimin fizik. Prindërit, të cilët kryesisht punojnë nga shtëpia për shkak të pandemisë, janë të entuziazmuar që fëmijët e tyre po përdorin kohën në mënyrë të shëndetshme, duke u dhënë atyre një pushim shumë të nevojshëm në shtëpi.
“Unë dhe bashkëshorti im punojmë nga shtëpia me orar të plotë. Kështu që, aktiviteti jashtë shtëpisë me biçikleta i fëmijëve gjatë pandemisë me miqtë e tyre, duke respektuar distancimin fizik, ka qenë një gjë shumë e mirë. Kjo u ka dhënë atyre mundësinë për ta zhvendosur vëmendjen diku tjetër”, thotë Ashley Salgenik, nëna e njërit prej fëmijëve të grupit “Skifterët e Parkut Franklin”.
Por blerja e një biçiklete këto ditë është bërë e vështirë. Shitjet e biçikletave në Shtetet e Bashkuara janë rritur mbi 75 për qind në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, sipas disa studimeve.
Edhe riparimi i biçikletave të vjetra është bërë i vështirë pasi shumica e dyqaneve të biçikletave janë të mbingarkuara dhe nuk kanë pjesë të mjaftueshme.
Madje edhe blerja e një biçiklete të përdorur mund të jetë e kushtueshme.
"Shkova në dyqan për të blerë një biçikletë, por më thanë se duhet të prisja një kohë të gjatë për llojin e biçikletës që dëshiroja. Babai im u detyrua të më blinte një biçikletë të përdorur në internet, e cila kushtoi 500 dollarë. Kështu u bëra me biçikletë”, thotë Millie Philips, anëtare e grupit “Skifterët e Parkut Franklin”.
Por këtyre fëmijëve të grupit “Skifterët e Parkut Franklin”, biçikletat u ofrojnë pak liri dhe miqësi të përditshme në këtë kohë masash kufizuese, mësimi në internet, karantine dhe stresi. Dhe kjo është një mundësi e çmuar.
Facebook Forum