Lidhje

Ekipi i zotit Biden i zhgënjyer me mungesën e qasjes në të dhënat zyrtare për Covid-19


Donald Trump and Joe Biden
Donald Trump and Joe Biden

Presidenti Donald Trump vazhdon të kundërshtojë rezultatet e zgjedhjeve të 3 nëntorit duke penguar komunikimin midis administratës së tij dhe ekipit të zotit Biden. Komunikimi mes tyre mungon madje edhe për çështjen e pandemisë së Covid-19.

Presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara Joe Biden vazhdon të lëvizë drejt marrjes së drejtimit të vendit më 20 janar dhe këtë javë pritet të njoftojë emrat e disa anëtarëve të kabinetit të tij. Por zhgënjimi po rritet midis demokratëve për mungesën e komunikimit me Shtëpinë e Bardhë ndërsa Presidenti Donald Trump ende kundërshton rezultatet e zgjedhjeve.

Një nga çështjet kryesore është reagimi i vendit ndaj pandemisë së koronavirusit.

"Ekipi ynë i tranzicionit nuk ka qasje te zyrtarët e agjencisë për të ndihmuar në zhvillimin e planeve tona dhe ka një përqendrim të madh në planin e shpërndarjes së vaksinave që do të jetë kritik në ditët e para të presidencës së Joe Biden-it. Ne nuk kemi qasje në këtë”, tha Robert Klain, Shef i Personelit të presidentit të zgjedhur, Joe Biden.

Përcaktimi i një plani mbarëkombëtar për shpërndarjen e vaksinës është tani përparësia kryesore. Prodhuesit e ilaçeve Moderna dhe Pfizer njoftuan javën e kaluar se provat e vaksinave të tyre të koronavirusit treguan se ato ishin më shumë se 90% efektive. Pfizer tashmë ka aplikuar për autorizim emergjent të përdorimit të vaksinës së saj në Shtetet e Bashkuara. Edhe Moderna tha se do ta bënte këtë. Ekipi i Presidentit Trump është i gatshëm të fillojë shpërndarjen e vaksinave brenda 24 orëve nga momenti kur të miratohet autorizimi për përdorimin e tyre, tha Dr. Moncef Slaoui, këshilltari kryesor shkencor i programit të zhvillimit të vaksinave në administratën e Presidentit Trump.

Por ai shtoi se është i shqetësuar se keqinformimi mund të bëjë që disa amerikanë të hezitojnë në marrjen e vaksinës.

"Unë jam shumë i shqetësuar për hezitimin që ekziston për këtë çështje. Mendoj se është për të ardhur keq sepse kjo është përkeqësuar nga konteksti politik nën të cilin ne kemi punuar me shumë kompani dhe mijëra njerëz të përfshirë në vënien e vaksinave në dispozicion.”

Numri i rasteve me Covid-19 në Shtetet e Bashkuara ka arritur në mbi 12 milionë dhe mbi 256,000 vdekje, sipas të dhënave të fundit të Universitetit Johns Hopkins. Mbetet të shihet se si do të ndikojë drama politike në planet për shpërndarjen e vaksinës.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG