Lidhje

Arkivi shqiptar hap sallë studimi në Shkup


Arkivi i Shqipërisë ua mundëson studiuesve e studentëve qasjen tek dokumentet arkivore edhe nga Shkupi, përmes platformës së dixhitalizuar pa pasur nevojë të udhëtojnë drejt Tiranës.

Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave të Shqipërisë Ardit Bido hapi në komunën e Çairit në Shkup sallën e studimit të Arkivit, duke krijuar kështu këndin e parë arkivor jashta shtetit shqiptar.

Arkivi shqiptar hapë sallë studimi në Shkup
please wait

No media source currently available

0:00 0:04:12 0:00

Në këtë mënyrë, studiuesit dhe të intersuar do të mund të kërkojnë dokumente nga fondi i pasur me mbi 300 milionë dokumente të Arkivit shqiptar, që është, siç tha drejtori Bido, e gjithë historia e kombit para vitit 1945, përfshirë edhe viset e Maqedonisë, Kosovës e të tjera.

“Studiuesi që do të vijë në Këndin Arkivor në Shkup, zëre se do të ishte në Tiranë. Edhe në Tiranë do të bënte të njëjtën gjë, pa as edhe një lloj ndyshimi. Është ekzaktësisht e njëjta formë bashkëpunimi, që nesër pasnesër ta kemi, jo vetëm kombëtar, por dhe rajonal. Ta kemi edhe në Arkivin e Maqedonisë, që ka dokumentacion mbi shqiptarët, por shumicën dërmuese e ka mbi kombin maqedonas”, u shpreh Bido.

Visar Ganiu, kryetar i Komunës së Çairit tha se i vjen mirë që Projekti është i qëlluar dhe që “pas Shkupit, projekti menjëherë bartet në Prishtinë!”.

Muzafer Bislimi i Arkivit të Maqedonisë së Veriut e përshëndeti këtë nismë teksa theksoi synimin që të gjitha fondet që kanë të bëjnë me historinë shqiptare, të jenë të disponueshme edhe fizikisht si në Shkup, po ashtu edhe në Tiranë.

Kjo nismë e Arkivit shqiptar ka për qëllim nxitjen e kërkimit shkencor dhe ofrohet me të njëjtat rregulla dhe procedura, të njëjtën shpejtësi dhe formë siç bëhet në Sallën e Studimit të Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave.

Procedura e regjistrimit në Sallën e Studimit kryhet përmes internetit, në adresën e Arkivit shqiptar.

Ndërkohë, sot shënohet Dita e Alfabetit të gjuhës shqipe dhe për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut është festë zyrtare.

Në vazhdën e simpoziumeve që po mbahen këto ditë, ambasadorja amerikane në Shkup, Kate Mary Byrnes foli për nevojën e ngritjes së bashkëpunimit, mirëkuptimit dhe tolerancës midis komuniteteve.

“Jam e nderuar të jem e pranishme në shënimin e dy përvejtorëve të rëndësishëm për Maqedoninë e Veriut dhe në veçanti për komunitetin shqiptar: Ditën e Alfabetit të gjuhës shqipe dhe 13 vjetorin e themelimit të Institutit për Trashëgiminë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve. Dhe në veçanti jam e nderuar të jem në këtë sallë të emëruar sipas Presidentit Woodrow Wilson dhe në këtë ndërtesë që për vite të tëra ishte ambasadë e SHBA-së”, u shpreh ambasadorja.

Ajo tha se dëshiron ta shohë Maqedoninë e Veriut që të ndjek përparimin; jo vetëm të kapërcejë interpretimet e ndryshme të historisë, por të ndërtojë një bashkim të mirëfilltë dhe ta shndërrojë historinë në një element konstruktiv se sa në një burim mosmarrëveshjeje.

“SHBA-të, vazhdoi zonja Byrnes, e vlerësojnë rëndësinë e trashëgimisë kulturore dhe shpirtërore si dhe shumëllojshmërinë në Maqedoninë e Veriut dhe ne, tha ajo, do të vazhdojmë ta promovojmë bashkëpunimin dhe mirëkuptimin ndërmjet komuniteteve në këtë vend”.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG