Teoritë e konspiracionit dhe keqinformimi nxisin mosbesimin tek vaksinat dhe mund të ulin nivelet e vaksinimit për COVID-19n në Amerikë dhe Britani nën normat e nevojshme për të mbrojtur komunitetet ndaj sëmundjes, thuhet në një studim të publikuar të enjten.
Studimi, ku morën pjesë 8,000 njerëz nga të dyja vendet, zbuloi se më pak njerëz do ta "bënin patjetër" vaksinën sesa vlerësimi i shkencëtarëve, sipas të cilëve është e nevojshme që vaksinën ta marrë 55% e popullsisë për të siguruar të ashtuquajturin "imunitet të turmës".
"Vaksinat funksionojnë vetëm nëse njerëzit i marrin ato. Dezinformimi shfrytëzon ankthin ekzistues dhe pasigurinë për vaksinat e reja apo për platformat që po përdoren për krijimin e tyre," tha Heidi Larson, profesore në Shkollën e Londrës për Higjienën dhe Mjeksinë Tropikale, e cila ishte një ndër drejtueset e studimit.
"Kjo kërcënon të minojë nivelet e pranimit të vaksinës për COVID-19n”, tha zonja Larson, e cila është gjithashtu drejtoreshë e Projektit Ndërkombëtar të Besimit të Vaksinat.
Studimi publikohet ndërkohë që një ndër projektet kryesore të vaksinës dha rezultate premtuese këtë javë. Kompania Pfizer Inc tha të hënën se vaksina e saj eksperimentale për COVID-19n ka një efekt prej më shumë se 90%, bazuar në të dhënat e provave të fazës së vonë. Të dhënat shihen si një hap vendimtar në betejën për të frenuar pandeminë.
Në studimin për keqinformimin, 3,000 persona të anketuar në secilin vend u ekspozuan gjerësisht midis qershorit dhe gushtit ndaj njoftimeve keqinformuese në mediat sociale për vaksinën e koronavirusit. Ndërkaq, 1,000 personave të tjerë në secilin vend iu treguan informacione faktike në lidhje me vaksinën.
Para se të ekspozoheshin ndaj keqinformimit, 54% e këtyre personave në Britani thanë se ata "patjetër" do ta pranonin vaksinën, ashtu si 41,2% në Shtetet e Bashkuara. Por pas shfaqjes në Internet të dezinformimit, shifrat ranë me 6.4 përqind në Britani dhe 2.4 përqind në Shtetet e Bashkuara.
Studimi nxjerr në pah se në të dyja vendet, njerëzit pa diplomë universitare, ata që bëjnë pjesë në grupet me të ardhura të ulëta dhe jo të bardhët kanë më shumë gjasa ta refuzojnë vaksinën.
Gratë, sipas studimit, kanë më shumë të ngjarë se burrat ta refuzojnë vaksinën për koronavirusin. Megjithatë, një numër më i madh të anketuarish në të dyja vendet thanë se do ta merrnin vaksinën nëse do të ishte fjala për të mbrojtur familjen, miqtë ose grupet e rrezikuara të popullatës.
Facebook Forum