Lidhje

Kosovë: Marrëveshje për rrugën e diskutueshme përreth manastirit të Deçanit


Qeveria e Kosovës njoftoi të enjten se ka arritur marrëveshje me manastirin e Deçanit, për të përdorur rrugën që kalon nëpër Zonën Posaçme të Mbrojtur të këtij manastiri, gjatë ndërtimit të rrugës që lidhë këtë qytet me Plavën në Mal të Zi.

Punimet e kësaj rruge e cila kalon përreth manastirit mesjetar të Deçanit, u pezulluan gjatë muajit gusht të këtij viti, pas debateve të nxitura nga reagimi i igumenit Sava Janjiç nga ky manastir, i cili ngriti shqetësimin se punimet rrezikojnë manastirin dhe bien ndesh me ligjin e Kosovës për Zonat e Posaçme të Mbrojtura.

Në këtë njoftim thuhet se marrëveshja është arritur me ndërmjetësimin e kryeministrit Avdullah Hoti dhe me mbështetjen e ambasadorit Italian, Nicola Orlando e të Komandantit të KFOR-it, Gjeneral Michele Risi, duke nënvizuar se kësisoj dëshmohet se Republika e Kosovës është vend i të barabartëve, liritë dhe të drejtat e të cilëve respektohen dhe mbrohen njësoj”.

“Këshilli zbatues dhe monitorues, mbështetur në Ligjin për Zonat e Veçanta të Mbrojtura ka miratuar kushtet e kësaj marrëveshjeje dhe kështu u është dhënë drita e gjelbër veprimeve të dakorduara për zbatim”, thuhet në njoftimin e qeverisë.

Këshilli Zbatues dhe Monitorues u themelua në vitin 2008, në bazë të Ligjit për Zonat e Veçanta të Mbrojtura për të monitoruar dhe lehtësuar zbatimin e këtij ligji dhe ndër detyrat e tij është edhe ndërmjetësimi i zgjidhjes së mosmarrëveshjeve mes Kishës Ortodokse Serbe dhe autoriteteve qendrore dhe lokale të Republikës së Kosovës për sa i përket zbatimit të dispozitave të këtij ligji.

Në një njoftim të këtij këshilli thuhet se marrëveshja përfshin “zhvillimin e përnjëhershëm të një rruge ndërkombëtare jashtë kufijve të Zonës së Posaçme të Mbrojtur dhe një rruge tjetër lokale brenda kësaj zone”.

Igumeni i manastirit të Deçanit, Sava Janjiç, tha përmes rrjeteve sociale se kjo marrëveshje do të mbrojë manastirin nga ndërtimi i rrugës ndërkombëtare, e cila do të kalojë nëpër një rrugë alternative jashtë Zonës së Mbrojtur, dhe në anën tjetër do të lejojë rehabilitimin e rrugës ekzistuese brenda kësaj zone”.

“Procesi do të jetë i sinkronizuar dhe nën mbikëqyrje ndërkombëtare, kjo siguron zbatim të ligjit, për çka kisha jonë ka ngulur këmbë që nga fillimi”, shkroi igumeni Janjiç.

Ndërkaq kryetari i komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, tha se sipas kësaj marrëveshjeje, komuna e Deçanit “do të vazhdojë me rehabilitimin/shtrimin e rrugës së Gushavcit dhe asaj të Manastirit, në trasetë̈ e tyre ekzistuese, si rrugë lokale duke e përfshirë këtu edhe transportin e mallrave dhe kafshëve si nevoja të banorëve dhe familjeve që shfrytëzojnë bjeshkët përgjatë Grykës së Deçanit".

Zoti Ramosaj tha se me këtë marrëveshje i jepet fund një bllokade të paqenë të refuzimit të paarsyeshëm të ndërtimit të rrugës, duke hapur perspektivën ekonomike lokale, realizimin e lirisë̈ së lëvizjes për banorët e Deçanit posaçërisht, si dhe lidhjes ndërkombëtare ndër-shtetërore me Plavën”.

Ambasadori Italian në Kosovë, Nicola Orlando, shkroi në rrjetet sociale se ky “është hap i parë në drejtimin e duhu., tani të gjitha palët duhet të punojnë së bashku për zbatimin e marrëveshjes. Italia qëndron e gatshme të jap ndihmën e saj, shkroi ai.

Që para pezullimit të punimeve, përfaqësuesit e Kishës Ortodokse Serbe janë ankuar shumë herë se autoritetet në Kosovë po shkelin disa prej të drejtave pronësore të saj të përcaktuara me Ligjin për Zonat e Posaçme të Mbrojtura, siç është ndërtimi i kësaj rruge. Por kryetari i komunës, zoti Ramosaj ka thënë në vazhdimësi se rruga nuk është gjë tjetër veçse mundësi zhvillimi për komunën dhe mirëqenien e qytetarëve të saj.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG