Ekipi i tranzicionit të zotit Biden nuk priti marrjen e vendimit përfundimtar të garës presidenciale që t’i përvishej punës. Para fitores së të shtunës për zotin Biden, ndihmësi i tij i vjetër Ted Kaufman vazhdonte drejtimin e përpjekjeve për të siguruar fillimin e një kabineti qeveritar në pritje të fitores.
Zoti Kaufman është një ish-senator nga shteti Delaware i cili u emërua për të mbushur vendin e lënë bosh nga zoti Biden kur ky i fundit u zgjodh në postin e nënpresidentit. Ai po ashtu ka punuar për ekipin tranzitor të Presidentit Barack Obama në vitin 2008, si dhe ka ndihmuar në hartimin e legjislacionit që zyrtarizon procesin e tranzicionit presidencial.
Zoti Biden fillimisht i kërkoi ndihmësit Kaufman që të punonte mbi mundësinë e tranzicionit në muajin prill, menjëherë pasi ai mori emërimin e Partisë Demokrate për të kandiduar për postin e presidentit. Tranzicioni mund të jetë një proces shumë i ngarkuar, madje edhe në rrethana normale.
Situata aktuale deri diku të kujton garën presidenciale amerikane të vitit 2000 dhe betejën ligjore që pasoi lidhur me rinumërimin e votave në Florida. Pas më shumë se një muaji, mosmarrëveshja mes republikanit George W. Bush dhe demokratit Al Gore u zgjidh nga vendimi i Gjykatës së Lartë – duke e shkurtuar fazën tranzitor në vetëm 39 ditë para ceremonisë së inaugurimit në janar të vitit 2001.
Clay Johnson, i cili drejtoi ekipin e tranzicionit të Presidentit Bush, tha se këshilltarët e zotit Biden nuk mund të “prisnin të siguroheshin që presidenti i zgjedhur me të vërtetë do të ishte i tillë”.
Zoti Johnson tha se në qershor të vitit 1999, rreth 17 muaj para ditës së zgjedhjeve në vitin 2000, zoti Bush i kërkoi atij që të drejtonte procesin e mundshëm tranzitor, ndërsa kishte parë një proces të ngjashëm me babain e tij 11 vite më parë. Para ditës së zgjedhjeve, zoti Bush kishte vendosur që Andy Card të shërbente si shef i stafit si për tranzicionin edhe për në Shtëpinë e Bardhë. Zoti Johnson kujton se atëherë kishin menduar se procesi tranzitor po u paraprinte afateve të caktuara, kur ndodhi çështja e rinumërimit të votave.
Pas afro 10 ditëve të para, kandidati për nënpresident Dick Cheney, i kërkoi zotit Johnson që të fillonte fushata për grumbullim fondesh dhe të merrte vendime për stafin, duke deklaruar se gara do të “zgjidhej në një mënyrë ose në një tjetër.” Për ekipin e fushatës Bush nuk mund të zhvilloheshin hetimet nga Byroja Federale e Hetimeve për pjesëtarët e mundshëm të kabinetit dhe të emëruarit e tjerë, ndërsa ende nuk ishte shpallur zyrtarisht fituesi i zgjedhjeve.
Në këto kushte, ata përdorën ish-ekipin e avokatëve ligjorë të Shtëpisë së Bardhë gjatë administratës së Presidentit Reagan për të zhvilluar intervista me qëllimin për të gjetur ndonjë problem të mundshëm të shfaqur gjatë hetimeve për pastërtinë e figurave drejtuese.
Ekipi i fushatës së zotit Biden nuk ka pranuar të komentojë mbi procesin e tranzicionit. Këshilltarët e tij më të afërt thonë se përparësia kryesore do të jetë shpallja e shefit të stafit të Shtëpisë së Bardhë, dhe pastaj puna për të luftuar pandeminë e koronavirusit.
Janë rreth 4 mijë emërime që bëhen nga presidenti i ri dhe më shumë se 1’200 prej tyre duhet të marrin miratimin e Senatit. Kjo mund të jetë një sfidë për zotin Biden pasi Senati mund të mbetet nën kontrollin e republikanëve.
Procesi i tranzicionit fillon pas zyrtarizimit të fituesit të zgjedhjeve në bazë të fakteve në dispozicion që ka Administrata e Shërbimit të Përgjithshëm, një agjenci e pavarur e qeverisë amerikane e themeluar në vitin 1949 e cila ndihmon në menaxhimin dhe mbështetjen e funksioneve themelore të agjencive federale.
Po ashtu ende nuk është e qartë nëse presidenti do të takohet personalisht me zotin Biden. Presidenti Obama u takua me zotin Trump pak ditë pas fitores prej tij të zgjedhjeve, ndërsa nuk kishte asnjë mosmarrëveshje lidhur me fitoren e zotit Trump në Kolegjin Elektoral përballë kandidates Clinton.
Pavarësisht se kur fillon procesi, zoti Biden do të duhet të përballet me situatën e pandemisë e cila ka shkaktuar vdekjen e më shumë se 230 mijë amerikanëve. Zoti Biden ka premtuar të përdor periudhën e tranzicionit për t’u takuar me guvernatorët e të gjitha shteteve dhe t’u kërkojë atyre që të vendosin një mandat mbarëkombëtar për vënien e maskave. Ai ka thënë se ka plane që të shkojë edhe atje ku kjo kundërshtohet për të siguruar mbështetjen për një mandat të tillë nga zyrtarët shtetërorë dhe lokalë.
Facebook Forum