Kontrolli në Kongresin amerikan do të përcaktohet nga vetëm disa gara të ngushta në mbarë vendin ku votat ende po numërohen. Gara për të kontrolluar Senatin mund të zgjasë deri vitin e ardhshëm.
Kontrolli i Senatit amerikan mund të vendoset në Xhorxhia ...ndërsa vullnetarët numërojnë fletët e votimit ku diferenca mes senatorit republikan David Perdue dhe kundërshtarit demokrat Jon Osoff është tepër e ngushtë.
Para zgjedhjeve, balanca në Senat ishte 53-47 për republikanët. Për të marrë kontrollin, demokratët duhet të fitojnë tre vende nëse Joe Biden bëhet president dhe katër vende nëse Donald Trump rizgjidhet.
“Nëse Bideni zgjidhet, ai njihet si dikush që ka punuar përtej vijave partiake gjatë gjithë karrierës së tij. Dhe nëse demokratët kanë një shumicë më të vogël në Dhomën e Përfaqësuesve, ata do të kërkojnë aleatë. Pra, ekziston një farë shansi që të ketë bashkëpunim dypartiak në rastin e një administrate demokrate me kontroll të ndarë të të dy dhomave të Kongresit", thotë John Adrich me universitetin Duke.
Suksesi i ditës së zgjedhjeve për demokratët ishte në Arizona ku Mark Kelly mposhti republikanen Martha McSally dhe në Kolorado ku ish guvernatori John Hickenlooper fitoi garën e tij për në Senat.
Por republikanët fituan një vend për Senat në Alabama dhe mbajtën avantazhin në disa gara të ngushta, përfshirë në Ajoua, Mein dhe Karolinën e Jugut, ku aleati i ngushtë i Presidentit Trump, Senatori Lindsey Graham mposhti një kundërshtar demokrat të mirë-financuar.
Nëse do të jetë Trumpi apo Bideni në Shtëpinë e Bardhë, kontrolli i Senatit Amerikan do të përcaktojë se çfarë pune do të realizohet në Uashington për dy vitet e ardhshme.
Demokratët gjithashtu kishin shpresuar të zgjeronin shumicën e tyre në Dhomën e Përfaqësuesve.
"Jam këtu për t’u dhënë lavdërime demokratëve të Dhomës së Përfaqësuesve dhe kandidatëve tanë", tha kryetarja e Nancy Pelosi.
Por demokratët në Dhomën e Përfaqësuesve duket se do të kenë një shumicë më të vogël, megjithatë ata do të vazhdojnë ta kontrollojnë këtë dhomë të Kongresit.
"Puna në Kongres do të varet shumë nga kush e fiton garën presidenciale sepse Presidenti Trump dhe Nancy Pelosi as nuk e kanë parë njëri-tjetrin për gati një vit. Ka shumë tension mes tyre. Kështu që, mendoj se do të të jetë shumë e vështirë për Presidentin Trump të realizojë një platformë të re legjislative përmes Kongresit", thotë Michele Swers me universitetin Georgetown.
Përbërja përfundimtare e Senatit amerikan nuk do të dihet deri në janar. Duket se fati i Senatit do të varet nga dy garat në Xhorxhia, ku njera ka shkuar tashmë në balotazh dhe duket se edhe tjetra po shkon drejt balotazhit.
Facebook Forum