Lidhje

Zgjedhjet presidenciale amerikane mbeten të pavendosura


APTOPIX Election 2020 Pennsylvania Vote Counting
APTOPIX Election 2020 Pennsylvania Vote Counting

Zgjedhjet presidenciale amerikane vazhduan pa përfundim të enjten, me sfiduesin demokrat Joe Biden pranë arritjes së shumicës së Kolegjit Zgjedhor dhe Presidentin Donald Trump duke kërkuar që të ndalohet numërimi i votave ndërsa republikanët janë duke ngritur padi duke pretenduar parregullsi në tabulatet e votave.

Zoti Biden kryeson në numrin e votave të Kolegjit Zgjedhor, 253-214. Një shumicë prej 270 votash elektorale nevojitet për të marrë presidencën për një mandat të ri katër-vjeçar. Por numërimi i votave është ende duke u zhvilluar në katër shtete që do të vendosin zgjedhjet - Xhorxhia dhe Pensilvania në pjesën lindore të vendit dhe shtetet perëndimore fqinje, Arizona dhe Nevada.

Ku qëndrojnë gjërat

Presidenti Trump është në avantazh në Xhorxhia dhe Pensilvani, ndërsa zoti Biden udhëheq në dy shtetet e tjera, ndërkohë që avantazhi i të dyve nuk është përcaktues.

Në sistemin amerikan të Kolegjit Zgjedhor, fituesi i votës popullore në secilin shtet, me përjashtim të shteteve Mein dhe Nebraska, merr të gjitha votat elektorale të atij shteti, numri i të cilave përcaktohet në bazë të popullsisë së shtetit.

Nëse zoti Biden do të ruajë kryesimin e tij në Arizona, shtet me 11 vota elektorale, dhe në Nevada, me 6 vota elektorale, ai do të arrijë 270 vota, shumicën e Kolegjit Elektoral dhe do të bëhet kështu presidenti i 46-të i vendit gjatë inaugurimit të tij në janar, pavarësisht nga rezultati i zgjedhjeve në shtetet Xhorxhia dhe Pensilvani.

Presidentit Trump i duhet të ruajë avantazhin në të gjitha shtetet ku po kryeson dhe gjithashtu të fitojë Nevadan ose Arizonën, ku aktualisht kryeson zoti Biden.

Numërimi i votave është shumë i afërt në të katër shtetet. Në Xhorxhia, me 16 vota elektorale, Presidenti Trump mban një avantazh me 13 mijë vota, ndërsa pritet që të numërohen edhe mbi 50 mijë të tjera.

Në Pensilvani, Presidenti Trump kryeson me rreth 108 mijë vota, por sasi edhe më e madhe votash pritet të numërohet. Ky shtet ka 20 vota elektorale.

Zoti Biden udhëheq tashmë me 11 mijë vota në Nevada, shtet me 6 vota elektorale, si dhe me 68 mijë vota në Arizona, e cila ka 11 vota elektorale. Shumë vota mbeten ende për t'u numëruar në të dyja këto shtete.

Presidenti Trump ka ende mundësi për fitore nëse mund të rimarrë shtetet ku zoti Biden po udhëheq, si dhe të fitojë Xhorxhian dhe Pensilvaninë. Presidenti udhëheq edhe në dy shtete të tjera, për të cilat nuk është shpallur ende rezultati, në Alaska dhe në Karolinën e Veriut.

Zoti Biden kryeson votën popullore, 71.8 milionë vota përkundër 68.1 milionë, por është Kolegji Zgjedhor që do të përcaktojë fituesin pas një fushate të nxehtë disa mujore.

Në Twitter, Presidenti Trump kërkoi që të ndalej numërimi i votave, por nëse numërimi do të ndalej në gjendjen aktuale të orëve të vona të së enjtes, Presidenti Trump do të humbiste, duke u bërë kështu presidenti i tretë amerikan që humb rizgjedhjen pas vetëm një mandati.

Paditë gjyqësore

Avokatët që përfaqësojnë Presidentin Trump dhe republikanët ngritën padi duke pretenduar parregullsi të numërimit të votave dhe duke kërkuar që të ndalohej numërimi i fletëve të votimit me postë në Pensilvani, ku epërsia e Presidentit Trump po zvogëlohej ndërsa numëroheshin më shumë fletëvotime me postë.

Rudy Giuliani
Rudy Giuliani

Numërimi i votave në të gjithë Shtetet e Bashkuara është ngadalësuar nga numri i madh i fletëvotimeve me postë - më shumë se 101 milionë - të cilat u hodhën para Ditës zyrtare të Zgjedhjeve të së martës dhe të cilave u duhet më shumë për t’u numëruar. Shumë njerëz që votuan me postë thanë se donin të shmangnin radhët e gjata në qendrat e votimit të martën dhe të dilnin ballë për ballë me të tjerët mes pandemisë së pakontrolluar të koronavirusit të vendit.

Fushata e zotit Biden nxiti votimin me postë dhe rezultati është që numërimi i votave pro tij është rritur në shumë shtete gjatë numërimit të votave të ditës pas zgjedhjeve. Presidenti Trump më së shumti nxiti votimin fizikisht në ditën e zgjedhjeve nga republikanët, duke pretenduar pa prova se votimi përmes postës do të çonte në një zgjedhje të manipuluar kundër tij.

Avokatët e Presidentit Trump gjithashtu bënë thirrje për një rinumërim në shtetin Uiskonsin, ku zoti Biden u parashikua të mërkurën si fitues i 10 votave elektorale të këtij shteti. Ata pretenduan se kishte parregullsi në disa qendra votimi.

Trump-Biden
Trump-Biden

Reagimet e deritanishme të Presidentit Trump dhe të Ish-Nënpresidentit Biden

Presidenti Trump pretendoi fitoren në orët e para të së mërkurës, por zoti Biden nuk tha se kishte fituar.

"Nuk jam këtu për të deklaruar se kam fituar", tha zoti Biden të mërkurën. "Por, jam këtu për të njoftuar se kur të përfundojë numërimi, ne besojmë se do të jemi fituesit".

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG