Vendimi i sotëm i presidentit të Kosovës Hashim Thaçi për t’u dorëhequr, pasi Prokuroria e Posaçme i komunikoi atij akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, solli reagime të shumta dhe në Tiranë.
Kreu i shtetit Ilir Meta theksoi se “vlerësoj aktin e dorëheqjes së Presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, për t’u ballafaquar me akuzat dhe besoj në pafajësinë e Tij e të gjithë bashkëluftëtarëve, sikundër është konfirmuar edhe në të kaluarën”, shkruajti zoti Meta në një postim në Facebook. “Ky është një moment reflektimi për të forcuar më shumë bashkëpunimin dhe unitetin, në interesin më të mirë kombëtar”, shtoi ai duke nënvizuar se “lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka qenë e drejtë dhe heroike”.
Nga ana e tij, kryeministri Edi Rama, përmes një postimi në Twitter foli për “betejën e radhës për Kosovën dhe për drejtësinë e pacënueshme të Luftës Çlirimtare”, në të cilën “Hashim Thaçi ka gjjithë mbështetjen e solidaritetin e Shqipërisë”. Sipas tij, procesi ndaj zotit Thaçi është “absurd” e për këtë arsye “do të vulosë përfundimisht pastërtinë e UÇK-së dhe pamundësinë për ta rishkruar historinë e saj”.
Kryetari i opozitës Lulzim Basha gjithashtu u shpreh i bindur se “që nga presidenti Hashim Thaçi, kryetari i PDK Kadri Veseli, ish kryetari i Kuvendit Jakup Krasniqi e luftëtarë të tjerë të UÇK-së, do t’i faktojnë drejtësisë dhe mbarë botës se aktakuzat ndaj tyre janë të pabaza”, shkruajti zoti Basha në një postim në Facebook duke theksuar se “lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte një luftë e drejtë përballë agresionit dhe krimeve kundër njerëzimit e spastrimit etnik që regjimi kriminal i Millosheviçit po kryente ndaj popullsisë së pambrojtur në Kosovë. Askush nuk mund të barazojë viktimën me agresorin”.
Facebook Forum