Filmat dhe serialet televizive afrikano-amerikane janë duke marrë vlerësime pozitive nga kritikët dhe kanë qenë të suksesshme në në sjelljen e fitimeve. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Penelope Poulou foli me kritikë të filmit të cilët thonë se kjo "Rilindje e Re afrikano-amerikane" tregon dëshirën në rritje të audiencës për histori provokuese, argëtuese dhe të ndryshme.
Filmi "Black Panther" i regjisorit Ryan Coogler, i shfaqur në kinema në vitin 2018, që tregon historinë e një mbretërie të fuqishme afrikane dhe atë të mbretit të saj ishte një nga filmat me fitimet më të mëdha të të gjitha kohërave. Filmi solli të ardhura me vlerë 1.3 miliardë dollarë në nivel ndërkombëtar. Ky sukses nxiti Hollivudin që të investojë më shumë në prodhimin e filmave dhe serialeve televizive me tema, aktorë dhe regjisorë afrikano-amerikanë.
"Kjo i zgjoi të gjithë. Ata e kuptuan se këta filma mund të jenë fitimprurës. Dhe papritmas të gjithë kineastët afrikano-amerikanë që kishin ide, pasion dhe vizion, tani kishin para për realizimin e filmave të tyre”, thotë kritiku i filmit, James Berardinelli.
“Gjatë 10 viteve të fundit, kemi parë një rilindje në sektorin e filmave afrikano-amerikanë që nuk është parë ndoshta në 90 vitet e para të industrisë së filmit në komunitetin tonë", thotë Tim Gordon, një tjetër kritik filmi.
Filmat afrikano-amerikanë të vlerësuar nga kritika si fituesi i Oskarit "Moonlight" me regjisor Barry Jenkins dhe dokumentari i regjisores Ava DuVernay "13th", kanë hedhur më shumë dritë në jetën e afrikano-amerikanëve dhe kanë ofruar një afirmim kulturor për audiencën afrikano-amerikane, thotë zoti Berardinelli.
“Një grup njerëzish, të cilët për një kohë kaq të gjatë nuk e panë veten të reflektuar në ekran tani papritmas e shohin veten në filmat me superheronj. Tani kemi filmin ‘Black Panther’, por edhe filmin e ri 'Captain America' me personazh kryesor aktorin afrikano-amerikan Anthony Mackie."
Zoti Berardinelli thotë se, ndërsa filmat afrikano-amerikanë po bëhen pjesë e kulturës në Amerikë, ata gjithashtu po tërheqin një demografi më të gjerë.
"Multikulturalizmi i brezit të ri është shumë më i larmishëm ((Black in King / Disney +)) se ai i brezit të vjetër ".
Regjisoret afrikano-amerikane gjithashtu po fitojnë mbështetje. Zoti Gordon thotë se këtë vit, 15 filma u realizuan nga regjisore afrikano-amerikane. Njëra prej tyre ishte Beyonce, e cila shkroi, drejtoi dhe prodhoi albumin vizual "Black is King".
“Mendoj se ndërthurja e temave të filmit ‘Lion King’ dhe ‘Black Panther’ prek aspektin e krenarisë”, thotë ai.
Në lidhje me kritikat kundër këngëtares Beyonce se ajo përvetësoi elementë të kulturës afrikane në prodhimin e saj afrikano-amerikan, Gordon tha:
“Është e vështirë të kritikosh një afrikano-amerikane, e cila po i bën homazhe paraardhësve të saj me origjinë afrikane. Pra, nuk është se ajo solli një grup amerikanësh duke pretenduar se ishin nga Mali, Gana ose Afrika e Jugut. Ajo përdori njerëz nga Afrika e Jugut, Mali, dhe Gana, njerëz nga kontinenti!"
Zoti Gordon shpreson të shohë më shumë filma afrikano-amerikanë dhe filma të tjerë me aktorë afrikano-amerikanë në rolet kryesore në të gjitha zhanret dhe për të gjitha audiencat.
"Barazia e vërtetë arrihet kur të jeni në gjendje të tregoni të gjitha këto histori të ndryshme dhe ato nuk shikohen më si filma për audienca të caktuara, por si pjesë e strukturës së asaj që e bën Amerikën të madhe", tha ai.
Facebook Forum