Të paktën 51 vetë kanë vdekur dhe rreth 900 janë plagosur nga tërmeti që rrëzoi ndërtesat në qytetin turk të Izmirit dhe ngriti nivelin e detit në të paktën dy ishuj grekë.
Ekipet e shpëtimit në Turqi nxorrën të dielën në mëngjes një të mbijetuar nga rrënojat e një ndërtese të shembur. Burri, i identifikuar si Ahmet Citim, mbijetoi për 33 orë nën rrënojat e një ndërtese banimi që ishte rrafshuar nga tërmeti.
Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan vizitoi Izmirin të shtunën në mbrëmje dhe premtoi se qeveria do të ndihmojë viktimat që humbën shtëpitë e tyre me strehim të përkohshëm dhe qera, dhe do të fillojë ndërtimin e banesave të reja.
Tërmeti vdekjeprurës me magnitudë 7 e kishte epiqendrën rreth 250 kilometra nga brigjet e ishullit grek të Samos, duke tronditur detin Egje që ndan Turqinë dhe Greqinë. Qindra pasgoditje kanë vazhduar.
Vetëm disa orë pas tërmetit, Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis i telefonoi si rrallë here presidentit turk për t'i shprehur ngushëllimet e tij.
“Cilatdo qofshin mosmarrëveshjet tona, këto janë kohë kur njerëzit duhet të qëndrojnë të bashkuar,” shkroi zoti Mitsotakis në Twitter.
Erdogani u përgjigj: “Dy fqinjë që tregojnë solidaritet dhe mbështetje në kohë të vështira është më e vlefshme se shumë gjëra në jetë”.
Shtetet e Bashkuara kanë përshëndetur diplomacinë greko-turke pas tërmetit dhe kanë shprehur gatishmërinë për të ndihmuar të dy vendet e NATO-s.
"Është mirë të shohësh të dy vendet që lënë mënjanë mosmarrëveshjet e tyre për të ndihmuar njëri-tjetrin në kohë nevoje. Shtetet e Bashkuara janë gjithashtu të gatshme të ndihmojnë", tha këshilltari i sigurisë kombëtare Robert O'Brien.
Franca gjithashtu ofroi ndihmë për vendet, duke dhënë "solidaritet të plotë si për Greqinë ashtu edhe për Turqinë".
Facebook Forum