Zyrtarët lokalë të zgjedhjeve përmbushin një numër funksionesh kyçe gjatë procesit zgjedhor, që nga kontrolli për të garantuar që po votojnë personat me të drejtë vote, deri tek raportimi i rezultateve. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Veronica Balderas shpjegon se çfarë hapash konkretë ndërmarrin zyrtarët e zgjedhjeve për të garantuar një proces të drejtë e të sigurtë zgjedhor.
Në kushtet e pandemisë, ndarëset plastike, maskat dhe dizinfektantët e duarve janë bërë mjete të domosdoshme jo thjesht për sigurinë individuale, por edhe për demokracinë amerikane:
“Kemi vendosur shenja për të garantuar distancimin fizik që të gjithë të qëndrojnë 2 metra larg njeri-tjetrit. U kërkojmë votuesve të mbajnë maskë kur futen në qendrën e votimit. Të gjitha stilolapsat dhe dosjet janë me një përdorim,” thotë zyrtarja e zgjedhjeve Angie Maiglia Turner.
Angie Maniglia Turner është zyrtarja kryesore e zgjedhjeve në qytetin Aleksandria pranë Uashingtonit. Megjithëse më 3 nëntor zhvillohen zgjedhje kombëtare, punonjës lokalë si ajo do të bëjnë punën kritike të numërimit të votave të hedhura fizikisht dhe me postë. Deri në mes të tetorit, thuajse 17 mijë vetë kishin ardhur fizikisht në një nga qendrat për të votuar.
“Nuk doja të rrezikoja që vota ime të humbiste gjatë dërgimit me postë, apo ndoshta gabime duke e mbushur nga shtëpia fletëvotimin,” thotë një pjesëmarrëse në votimet e hershme.
Në vend është vërejtur pjesëmarrje e pashembullt në votimet e hershme dhe pritet që një numër rekord votash të dërgohen me postë. Në këtë zonë, votat nuk do të numërohen deri në orën 19 në ditën e zgjedhjeve, por puna për të kontrolluar votat e hershme ka filluar.
“Kontrollojmë nëse votuesi e ka bërë çdo gjë si duhet, që fletëvotimi ka vulën postare, që ka firmat e nevojshme,” thotë zyrtar i zgjedhjeve, Justin Knoernschild.
Çdo shtet ka rregulloret e veta për këtë proces. Në shtete të lëkundura si Uiskonsin dhe Pensilvania, fletëvotimet nuk hapen deri në ditën e zgjedhjeve. Kjo mund të rezultojë në vonesa në shpalljen e fituesit. Në të gjithë vendin, procesi zgjedhor ka hyrë në fazën më intensive. Qyteti Aleksandria po trajnon 600 zyrtarë, të cilët do të ndjekin procesin në 30 qendra votimi.
“Kemi dokumentacionin që përdoret për të kontrolluar pjesëmarrësit në zgjedhje. Makinat që skanojnë fletëvotimet në ditën zgjedhjeve,” tregon zyrtari i zgjedhjeve Justin Knoernschild.
Zyrtarët, të cilët paguhen rreth 150 dollarë në ditë, po trajnohen edhe për të diktuar raste problematike gjatë procesit.
“Duhet të qëndrosh të paktën 12 metra larg hyrjes së qendrës së votimit. Pra, nëse dikush fillon të ngacmojë apo kërcënojë votuesit, i them të largohet nga zona. Nëse situata acarohet, do të thërras policinë,” thotë zyrtari i zgjedhjeve, Steve Lomb.
“Ne nuk kemi ardhur këtu për të përfaqësuar një parti të caktuar. Këtë punë e bëjmë në emër të shtetit dhe qytetarëve tanë. Nuk duam t’ia dimë për kë voton dikush. Vetëm duam të garantojmë që votimi po bëhet në kushte të sigurta,” thotë zyrtarja e zgjedhjeve, Denise Blackburn.
Në 2018, një anketë mbi procesin zgjedhor arriti në përfundimin se gjysma e punonjësve të zgjedhjeve ishin mbi 60 vjeç. Ky grup është aktualisht më i kërcënuari nga koronavirusi. Në qytetin Aleksandria, zyrtarët thonë se e kanë marrë parasysh rrezikun.
“Fakti që jemi këtu tregon se sa të angazhuar jemi dhe po u japim një shembull të mirë votuesve që vijnë këtu dhe po ashtu po garantojmë që zgjedhjet, sidomos këtë radhë, të jenë të drejta dhe të lira,” thotë zyrtari i zgjedhjeve Mike Cayman.
Facebook Forum