Presidenti Ilir Meta ktheu sot për rishqyrtim në parlament ndryshimet e Kodit Zgjedhor, të miratuara nga shumica pa mirëkuptimin e opozitës në Këshillin Politik.
Presidenti Meta thotë se ato janë në kundërshtim të hapur me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe me standartet europiane europiane, si dhe u bënë në mënyrë të njëanshme dhe pa një konsensus gjithëpërfshirës.
Në një material shoqërues mbi 80 faqe, presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, shpjegon me detaje dhe rresht pas rreshti, se pse, sipas tij, ndryshimet e fundit që shumica socialiste bëri në Kodin Zgjedhor, bien në kundërshtim me Kushtetutën dhe me parimet themelore të demokracisë europiane.
Zoti Meta thotë se këto ndryshime të rregullave zgjedhore cenojnë parimet demokratike ndërkombëtare të realizimit të një procesit zgjedhor përmes zgjedhjeve të lira e të ndershme; ato u realizuan në mënyrë të njëanshme, pa konsensus gjithëpërfshirës dhe bien ndesh me frymën kushteve të vendosura nga Këshilli Europian në datë 25 Mars 2020 dhe plotësimin e 15kushteve përpara zhvillimit të konferencës së parë ndër- qeveritare.
Opozita vlerësoi sot qëndrimin e presidentit për të kthyer pas këto ndryshime në Kodi Zgjedhor, si një hap dhe mundësi e rëndësishme, në drejtim të rikthimit të paqes publike dhe klimës zgjedhore në vend.
“Hapësira që Presidenti i Republikës ka dhënë, nëpërmjet rikthimit për shqyrtim në Kuvend, e shoqëruar me kërkesën për marrjen e opinionit urgjent nga Komisioni i Venecias, është jo vetëm një akt i pjekur në vazhdën e traditës politike dhe parlamentare 30 vjeçare, por edhe një mundësi e mirë për të rikthyer gjithë përfshirjen dhe konsensusin politik, si dhe gjetjen e zgjidhjeve teknike për eliminimin e deformimeve të rënda kushtetuese që mbartin ndryshimet e fundit në Kodin Zgjedhor” - tha Gazmend Bardhi, sekretar i përgjithshëm i Partsië Demokratike.
Nga ana tjetër shumica socialiste duket e vendosur që të zhvillojë zgjedhjet me rregullat e reja mbi koalicionet zgjedhore me lista të përbashkëta dhe pjesërisht të hapura.
Drejtuesi i Partisë Partisë Socialiste, Edi Rama ka deklaruar mëse një herë se kthimi i Kodit Zgjedhor nga Presidenti do të ketë asnjë efekt dhe se ata do ta rimiratojnë menjëherë, duke shprehur ndërkaq edhe një seri kritikash ndaj sjelljeve politike të zotit Meta
Sipas zotit Meta “ndryshimet e njëanshme në Kodin Zgjedhor dëmtojnë rëndë klimën e bashkëpunimit midis forcave politike në vend, duke zeruar praktikisht besimin reciprok midis tyre. Ato bien në kundërshtim me parimet e Komisionit të Venecias, ndaj nevojitet sërish opinion i tij.
Nga dekretimi i datës së zgjedhjeve prej presidentit, partitë kryesore politike janë përfshirë faktikisht në një fushatë të ethshme zgjedhore, edhe pse zgjedhjet janë 6 muaj larg. Politikanët kryesorë po dalin pothuajse përditë në mediat vendore me fjalime të gjata me premtime elektorale.
Facebook Forum