Ambasadorja e SHBA-ve në Shqipëri, Juri Kim, e nisi fjalën e saj, duke theksuar se “korrupsioni është një problem i madh, është një mal problemesh, por hap pas hapi po bëhet përparim në luftën kundër tij”.
Konferenca e nivelit të lartë mori shkas nga raporti vjetor i GREECO, grupi shteteve kundër korrupsionit, një institucion i Këshillit të Europës, ku jepen vlerësime pozitive mbi ecurinë e Shqipërisë në luftën ndaj korrupsionit.
Ambasadorja Kim tha se reforma në drejtësi ka nisur të tregojë rezultate, dhe se në fushën e korrupsionit gjithnjë do të ketë aktorë të këqinj, por “qeveria duhet të gjejë mënyra për të ngushtuar mundësitë e abuzimit, dhe të mbajë gjithnjë anën e qytetarëre, sepse kështu përmbush besimin dhe pritshmëritë e tyre”.
“Ne i kemi përpjekjet për të rivendosur funksionalitetin e Gjykatës së Lartë. Ndihma e SHBA-ve me paratë e taksapaguesve amerikanë, është një ndihmë e një miku për suksesin e një miku. Ne presim me kënaqësi të kemi më shumë rezultate, të cilat janë të nevojshme për shqiptarët dhe të ardhmen e tyre” - tha ambasadorja amerikane Kim.
Diplomacia europiane kërkoi po ashtu më shumë rezultate në luftën ndaj korrupsionit. Ambasadori i BE-së në Shqipëri, Luigi Soreca tha se SHqipëria ka mjaft punë për të bërë në luftën korrupsionit, ndonëse raporti i GREECO-s është inkurajues.
Zoti Soreca tha se reforma në drejtësi dhe vetingu po ndihmojnë drejtpërdrejt në luftën ndaj korrupsionit, sepse 62 për qind e gjyqtarëve janë larguar nga puna gjatë procesit të përzgjedhjes, sepse nuk justifikonin pasurinë e tyre.
“Korrupsioni vazhdon të mbetet i shtrirë gjithandej dhe vazhdon të mbetet një shqetësim serioz për vendet anëtare të BE-së, kjo luftë kërkon përpjekje të mëtejshme dhe të strukturuara dhe të vazhdueshme. Duhen vendime të formës së prerë për zyrtarë të nivelit të lartë, të cilat kanë qenë tejet të pakta dhe fatkeqësisht kjo është dicka që ne e kemi thënë në të gjithë raportet tona të mëparshme” - tha ambasadori Soreca.
Diplomatët amerikanë dhe europianë pohuan se kanë pritshmëri të lartë nga hetimet e SPAKut për dënimin e zyrtarëve të lartë, nga hetimi fillestar e deri në fund të procesit në të gjitha nivelet e sistemit gjyqësor.
Përfaqësues të qeverisë u angazhaun po ashtu që reforma në drejtësi dhe masa të tjera do të shtohen në luftën ndaj korrupsionit në administratën publike.
SHBA dhe BE kanë mbështetur fort reformën e Shqipërisë në sistemin gjyqësor, dhe në ngritjen e institucioneve të reja të drejtësisë, me besimin se kjo do të pakësojë korrupsionin dhe zyrtarët e korruptuar do të dënohen.
Për këtë arsye gjyqtarët dhe prokurorët po kalojnë në një process vetting, dhe në vazhdim ata do të mbahen nën vëzhgim sa i takon rezultateve në punën e tyre, për të përmbushur kërkesën e qytetarëve për institucione të shëndetshme demokratike dhe për një administratë publike në shërbim të tyre.
Facebook Forum