Lidhje

Shqipëri, rriten me 15 përqind rastet e reja me Koronavirus


Në Shqipëri java e kaluar shënoi një rritje të ndjeshme të numrit të rasteve të reja me COVID 19, ndërsa në të gjithë vendin u rregjistruan 1160 të prekur. Bëhet fjalë për një shtim prej gati 15 përqind të të infektuarve, krahasuar me javën pararendëse, kur mesatarja ditore ishte prej 145 rastesh. Mesatarja e kësaj jave kërceu 165 raste në ditë, duke kulmuar me 24 orët e fundit, gjatë së cilave, sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë ka patur 171 të infektuar, niveli më i lartë që nga 24 gushti, kur është shënuar dhe piku i deritanishëm me 178 raste në ditë. Rritja e numri të të prekurve, gjatë javës së shkuar vjen kur ndërkohë testimet shënuan një ulje të lehtë. Që nga fillimi i pandemisë në Shqipëri, janë konfirmuar 15570 të infektuar.

Gjatë javës që shkoi pati dhe një rritje të numrit të viktimave, 24 vdekje në total, nga 20 të një jave më parë. Sipas të dhënave të Mnistrisë së Shëndetësisë në 24 orët e fundit, “kanë humbur jetën një 64 vjeçar nga Shkodra, një 66 vjeçare nga Pogradeci, një 71 vjeçar nga Skrapari dhe një 78 vjeçar nga Përmeti.” Këtyre shifrave i shtohet dhe një 40 vjeçar, Feti Fanaj, Drejtori i Përgjithshëm i Objekteve Publike në Bashkinë e Tiranës, i cili u nda nga jeta në një spital në Turqi, ku prej afro dy javësh gjendej i intubuar. Në total, numri i vdekjeve nga Koronavirusi në Shqipëri ka shkuar në 424 persona.

Ajo që bie në sy është se gjatë ditëve të fundit, ka patur një shtim edhe të pacientëve që po trajtohen në dy spitalet COVID në Tiranë. Në 24 orët e fundit janë shtruar të paktën 22 persona. Deri pasditen e sotme, “në spitalin Infektiv dhe “Shefqet Ndroqi” po trajtohen 244 pacientë, 14 në terapi intensive nga të cilët 5 pacientë janë të intubuar”, bëri të ditur ministria e Shëndetësisë.

Shtimi i rasteve dhe rreziku i një përkeqësimi të situatës me rritjen dhe të virozave të tjera sezonale, shtynë autoritetet që të vendosin detyrimin e përdorimit të maskave dhe në mjedise të hapura, duke nisur që nga 15 Tetori. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Ardi Veliu tha sot se “policia e Shtetit do të angazhohet me të gjitha kapacitetet e saj, në krah të strukturave të tjera, për të garantuar zbatimin e masave të caktuara nga autoritetet e Shëndetësisë. Patrullat policore do të monitorojnë në mënyrë rigoroze të gjithë ambientet dhe hapësirat publike ku nga e enjtja do të jetë detyrim mbajtja e maskës. Në çdo rast të konstatimit të shtetasve që u shmangen detyrimeve ligjore, Policia e Shtetit do të reagojë në përputhje me ligjin dhe detyrat e saj funksionale. Qëllimi ynë nuk është ndëshkimi i qytetarëve, por mbrojtja e jetës dhe shëndetit të tyre”, nënvizoi zoti Veliu.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG