Lidhje

Nagorno-Karabak, një rrëfim nga zona e konfliktit


Luftimet në rajonin e Nagorno-Karabakut vazhdojnë dhe me mijëra njerëz vijojnë të shpërngulen drejt Armenisë dhe Azerbajxhanit. Familjet thonë se janë të raskapitura nga lufta më shumë se 30 vjeçare ndërsa shtojnë se vetëm fitorja e palës së tyre do t'i jepte fund konfliktit.

Pas shpërthimit të një bombe disa ditë më parë, Angela Hovakimyan dhe dy vajzat e saj, si shumë armenë të tjerë etnikë, u larguan nga shtëpia e tyre në Nagorno-Karabak. Ky rajon është vendi ku Armenia dhe Azerbajxhani luftojnë prej gati dy javësh.

Dy njerëz u vranë në shpërthimin e fundit dhe pjesa më e madhe e shtëpisë së zonjës Hovakimyan u shkatërrua.

"Gjithçka më ra mbi kokë, dyert, dritaret", thotë Angela Hovakimyan.

Zyrtarët armenë thonë se luftimet e fundit kanë qenë ndër më të ashprat që kur konflikti i ndezur mbi rajonin e diskutueshëm shpërtheu për herë të parë në një luftë në shkallë të gjerë 28 vite më parë.

Qytetet e Stepanakert-it, Shushi-t, Hadrut-it si dhe qytete e vendbanime të tjera janë sulmuar me artileri e sulme ajrore. Ka pasur viktima”, thotë Artsrun Hovhannisyan, i Ministrisë armene të Mbrojtjes.

Zyrtari armen shton se deri më tani asnjëra palë nuk ka fituar ose humbur pjesë të konsiderueshme territori.

Armenia pretendon se enklava e diskutueshme është një rajon i pavarur nën mbrojtjen e Armenisë.

Azerbajxhani thotë se Nagorno-Karabaku shtrihet brenda kufijve të tij të njohur ndërkombëtarisht duke shtuar se ka rifituar kontrollin e disa fshatrave dhe vendbanimeve në zonat që thotë se ishin "pushtuar në mënyrë të paligjshme".

Azerbajxhani gjithashtu mohon të ketë sulmuar këtë kishë që ndodhet në zonën e diskutueshme.

Civilët në të dy anët vazhdojnë t'u largohen luftimeve. Me dhjetëra prej tyre janë vrarë, përfshirë të paktën katër fëmijë.

Në Armeni është mobilizuar një rrjet vullnetarësh, duke furnizuar me ushqime, rroba dhe ilaçe familjet e zhvendosura si dhe duke u ofruar strehim të përkohshëm, sikurse në këtë shkollë.

“Ne i kemi gjetur të gjithë në një situatë shumë të vështirë. Ata po përjetojnë një stres të madh dhe shpesh ndodh të flasin pa kuptim", thotë Jasmine Khachatryan, koordinatore e grupit të vullnetarëve.

Ndihmë ndërkombëtare pothuajse nuk ka fare dhe familjet thonë se pas kaq shumë vitesh konflikti, ata nuk mund të marrin më.

"Unë jam 83 vjeç dhe ka mijëra në gjendjen time. A do të vdesim të gjithë te pragu i shtëpive të tjera?!", kërkon të dijë Angela Hovakimyan.

Me intensifikimin e luftimeve palët akuzuan njëra-tjetrën për sulme ndaj civilëve si dhe refuzim të negociatave për paqe.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG