Në SHBA, autoritetet e organeve të rendit njoftuan të enjten për parandalimin e një komploti për rrëmbimin e guvernatores së Miçiganit Gretchen Whitmer, duke arrestuar gjashtë milicë anti-qeveritarë mesa duket të zemëruar për masat e izolimit të politikanes demokrate, gjatë pandemisë së koronavirusit.
Ata u akuzuan se kishin komplotuar për të rrëmbyer guvernatoren në shtëpinë e saj të pushimit si reagim ndaj asaj që ata e quajnë “pushtet i pakontrolluar i saj", në bazë një padie penale që u bë e ditur të enjten në një gjykatë federale.
Komploti i guximshëm për rrëmbimin e guvernatores Whitmer dhe për ta çuar atë në një vend të fshehtë për ta gjykuar për "tradhëti", nxjerr në pah kërcënimin në rritje të grupeve ekstremiste të djathta para zgjedhjeve të 3 nëntorit që po mbahen në një klimë të acaruar politike, thonë ekspertët.
Personat kishin muaj që komplotonin, duke u këshilluar dhe trajnuar me anëtarë të milicisë dhe duke provuar skenarin në muajt gusht dhe shtator, sipas padisë. Katër nga gjashtë personat planifikuan të takoheshin të mërkurën “rreth një pagese për eksplozivët dhe për të shkëmbyer mjete taktike", tha FBI-ja në padinë e dorëzuar në gjykatë.
Disa orë më pas, guvernatorja Whitmer fajësoi pjesërisht Presidentin Donald Trump, duke vënë në dukje se ai nuk i dënoi supremacistët e bardhë në debatin e javës së kaluar me rivalin demokrat Joe Biden, por se i tha një grupi të ekstremit të djathtë "të përmbaheshin dhe të prisnin”.
"Grupet e urrejtjes i dëgjuan fjalët e presidentit jo si një qortim por si një thirrje për mobilizim, si një thirrje për veprim," tha zonja Whitmer. "Kur udhëheqësit tanë flasin, fjalët e tyre kanë rëndësi. Ato mbajnë peshë."
FBI-ja citonte njërin nga të akuzuarit të thoshte se Whitmer “nuk ka fare kontrolle dhe balanca. Ajo ka tani pushtet të pakontrolluar. Çdo (privilegj) merr fund një ditë”.
Qeveria përdori informatorë dhe agjentë të fshehtë për të parandaluar komplotin e pretenduar. Të gjashtë personat u arrestuan të mërkurën në mbrëmje dhe secili përballet me burgim të përjetshëm. Prokurori i Miçiganit perëndimor, Andrew Birge i quajti ata "ekstremistë të dhunshëm".
"Të gjithë ne në Miçigan mund të kemi mospajtime në lidhje me politikën, por ato mosmarrëveshje kurrë, kurrë nuk duhet të shkojnë deri në dhunë. Dhuna është parandaluar sot," u tha gazetarëve avokati amerikan i Detroit, Matthew Schneider.
Në padinë penale thuhej se plani përfshinte zonjën Whitmer dhe shtëpinë e saj të pushimit në veri të Miçiganit.
Whitmer është vlerësuar por edhe kritikuar mjaft lidhur me përgjigjen e shtetit të saj ndaj koronavirusit. Ajo vuri kufizime të mëdha për lëvizjet personale në të gjithë shtetin dhe në ekonomi, megjithëse shumë prej këtyre kufizimeve janë hequr. Në padi penale nuk përmenden urdhrat e saj për këtë çështje.
Përmes komunikimeve elektronike, dy nga komplotistët e pretenduar "ranë dakord të përfshijnë edhe njerëz të tjerët rreth kauzës së tyre dhe të ndërmarrin veprime të dhunshme kundër shumë qeverive të tjera të shteteve amerikane që ata besojnë se po shkelin Kushtetutën", tha FBI-ja.
Personat janë identifikuar me emrat: Adam Fox, Ty Garbin, Kaleb Franks, Daniel Harris, Brandon Caserta nga Miçigani dhe Barry Croft nga Delauer.
Adam Fox tha se atij i duheshin 200 persona për të sulmuar ndërtesën e Kapitolit në Lansing të Miçiganit dhe për të marrë pengje, përfshirë guvernatoren, sipas FBI-së.
Një avokat për Barry Croftin, i kontaktuar nga Zëri i Amerikës, nuk pranoi të komentonte. Avokatët e të akuzuarve të tjerë Fox dhe Garbin nuk i kthyen kërkesat për komente. Në dokumentat e gjykatës nuk shfaqen emra avokatësh për të akuzuarit e tjerë Franks, Harris dhe Caserta.
Komploti ishte në faza të avancuara të planifikimit kur FBI-ja ndërmori operacionin ndaj milicëve të mërkurën vonë për të ekzekutuar urdhërat e kërkimit dhe arrestimit në vende të shumta.
FBI-ja tha se filloi hetimin e grupit në fillim të këtij viti pasi mësoi përmes mediave sociale se ata po diskutonin për rrëzimin e dhunshëm të qeverive të shteteve. Gjatë gjithë komplotit disa mujor, gjashtë burrat ishin në kontakt me një grup milicie të Miçiganit. Megjithëse FBI-ja nuk e përmendi me emër grupin, Prokurorja e Përgjithshme e Miçiganit Dana Nessel e identifikoi atë si “Wolverine Watchmen”. Shtatë anëtarë të grupit janë arrestuar dhe akuzuar sipas ligjit anti-terror të Michigan, tha zonja Nessel.
Tentativa për rrëmbimin e një guvernatori shteti duket se është e para e këtij lloji në kohërat moderne. Sipas Sherine Ebadit, një ish agjente e FBI-së, aktualisht tani një specialiste e çështjeve të qeverisjes dhe rreziqeve në firmën Duff & Phelps, niveli i koordinimit dhe orkestrimit që ishte dashur për komplotin e pretenduar ishte thellësisht shqetësues.
"Unë e konsideroj këtë jashtëzakonisht shqetësuese. Nuk bëhet fjalë thjesht për zemërimin e dikurj që vendos të kryejë një rrëmbim për oportunizëm dhe për të kërkuar para në këmbim”, thotë ajo.
Komploti i pashembullt pason paralajmërimet nga ekspertët e ekstremizmit se ndasitë e thella ideologjike të nxitura nga retorika politike mund të çojnë në dhunë rreth zgjedhjeve të 3 nëntorit.
"Ky është saktësisht kërcënimi për të cilin kemi paralajmëruar prej disa kohësh: celula të vogla që organizohen në mediat sociale për të drejtuar agresionin e tyre ndaj një objektiv të demonizuar në kulturën socio-politike," thotë Brian Levin, drejtori ekzekutiv i Qendrës për Studimin e Urrejtjes dhe ekstremizmit në Universitetin Shtetëror të Kalifornisë, San Bernardino.
Së bashku me guvernatorët e tjerë demokratë, Whitmer ka qenë shpesh në shënjestër të Presidentit Donald Trump dhe udhëheqësve të tjerë Republikanë për mbylljen e ekonomive në shtetet e në përgjigje të pandemisë së koronavirusit këtë vit. Në prill, ndërsa demonstruesit u mblodhën jashtë kryeqytetit të shtetit Miçigan për të protestuar ndaj një bllokimi të vendosur nga guvernatorja, zoti Trump shkroi në Twitter "Çlironi Miçiganin".
Zoti Levin tha se Whitmer, një guvernatore në mandatin e saj të pare, e cila ishte shqyrtuar për pak kohë si kandidate e mundshme për nënpresidente nga presidencial Joe Biden, u demonizua si "naziste" gjatë protestave me pjesëmarrjen e milicive dhe grupeve të tjera të ekstremit të djathtë. E zemëruar me politikat e rrepta të zonjës Whitmer për të frenuar koronavirusin, një nga gjashtë komplotistët në një moment i referohej asaj me etiketime të papërshtatshme, sipas deklaratës së FBI.
Heidi Beirich, bashkëthemeluese e Projektit Global kundër Urrejtjes dhe Ekstremizmit, tha se zonja Whitmer u demonizua në mënyrë të përsëritur nga zoti Trump dhe republikanët e tjerë.
"Kështu që nuk jam e befasuar që Whitman mund të jetë në krye të listës së një organizate si kjo që ata do të dëshironin ta rrëmbenin," tha zonja Beirich.
Komploti vjen ndërsa zyrtarët e zbatimit të ligjit paralajmërojnë rreth kërcënimit të grupeve të dhunshme të ekstremit të djathtë përpara zgjedhjeve të Nëntorit. Në një raport të lëshuar këtë javë, Departamenti i Sigurisë Kombëtare tha se ekstremistët e dhunshëm brenda vendit paraqesin "kërcënimin më të vazhdueshëm dhe më vdekjeprurës" për vendin.
Grupet e milicisë mbështesin pikëpamjet ekstreme anti-qeveritare dhe besojnë se qeveria do të marrë të drejtat e tyre kushtetuese. Ndërsa jo të gjithë milicët përfshihen në veprime të dhunshme, shumë grupe milicësh kanë lidhje me dhunën.
Sipas Qendrës Ligjore për Varfërinë në Jug, kishte 181 grupe milicie në Shtetet e Bashkuara vitin e kaluar.
Në vitet e fundit, dhuna e motivuar në mënyrë racore dhe ideologjike ka tendencë të rritet rreth kohës së zgjedhjeve në Shtetet e Bashkuara. Me tensionet politike që po arrin një pikë kulmore përpara zgjedhjeve, ka shqetësim më të madh për dhunën rreth votave.
"Unë mendoj se të gjithë ata që studiojnë grupe ekstremiste janë të shqetësuar për këtë tani," tha Beirich.
Facebook Forum