Lidhje

Dhuna ndaj protestuesve në Bjellorusi


Në Bjellorusi, që kur filluan protestat antiqeveritare, një numër i madh njerëzish kanë qenë viktima të veprimeve hakmarrëse për kundërshtimin publik të qeverisë së udhëheqësit Alexander Lukashenko. Aktivistët thonë se represioni po merr forma të ndryshme. Disa protestues kanë pësuar sulme fizike ndërsa të tjerë thonë se kanë humbur vendet e punës si ndëshkim për kritikat ndaj udhëheqjes së vendit.

Dhuna ndaj protestuesve në Bjellorusi
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:01 0:00

Për dy muaj radhazi, dhjetëra mijëra njerëz kanë dalë në rrugë çdo fundjavë për të protestuar kundër asaj që ata e shohin si rizgjedhje të manipuluar të Presidentit Alexander Lukashenko. Protestuesit kanë rrezikuar arrestimin dhe sulmet nga forcat e sigurisë që ata thonë se po veprojnë me pandëshkueshmëri totale, siç ndodhi me Andrei Vitushkën dhe djalin e tij Mironin. Të dy u ndaluan nga njerëz të maskuar të paidentifikuar për orë të tëra dhe u rrahën, edhe pse Mironi është vetëm 17 vjeç.

Kur po kalonim rrugën, papritmas erdhën dy furgonë dhe prej tij dolën njerëz me maska dhe uniforma të zeza. Njëri prej tyre kishte një pushkë. Ne kishim shumë frikë. Filluam të vraponim dhe më pas më ndaluan”, thotë 17 vjeçari Miron Vitushka.

Që nga fillimi i protestave, shumë figura publike kanë ngritur zërin kundër përdorimit të dhunës nga shteti. Në mesin e tyre është edhe Aliaksandra, kampione botërore në not dhe fituese e medaljes olimpike, e cila thotë se është sulmuar nga mbështetësit e Presidentit Lukashenko.

"Ata më kanë quajtur "armike të atdheut"," tradhtare" dhe më kanë sulmuar me fyerje të tjera. Disa pishina kanë anuluar kontratat me shkollën e notit të fëmijëve të mi", thotë ajo.

Forcat e sigurisë synojnë të ndalojnë ortekun e simboleve të opozitës që shfaqen çdo ditë në qytet. Flamuri "bardhë e kuq" është bërë armik që duhet mposhtur.

Prodhuesit dhe shitësit e flamujve thonë se janë të ligjshëm sipas ligjit bjellorus, por ata janë vënë në shënjestër të forcave e sigurisë.

Kur ju bëni diçka që pushtetit nuk i pëlqen, të gjitha zyrat e shtetit kthehen kundër jush, mund t'ju inspektojnë dhe ta mbyllin biznesin tuaj. Ata mbyllën biznesin tim”, thotë Pavał Biełavis, pronar i firmës “Symbal.by”.

Gazetarët e pavarur janë një objektiv tjetër i pushtetit. Një faqe interneti e lajmeve e quajtur Tutu.by ka raportuar mbi shtypjen nga ana e policisë të protestuesve që nga fillimi i protestave. Autoritetet kanë pezulluar lejen e saj dhe gazetarët e saj janë arrestuar.

Tani ata po mbahen nën arrest për 24 orë të tjera. Ata po trajtohen si pjesëmarrës në protesta. Policët janë dëshmitarë kundër tyre. Emrat e policëve që dëshmojnë në gjykata ndryshohen dhe shpesh ata veshin maska gjatë dëshmive të cilat pranohen nga gjykatësit", thotë Maryna Zołatava, kryeredaktore “Tutu.by”.

Disa institucione si Teatri i Operas dhe Baletit gjithashtu kanë ngritur zërin kundër dhunës policore.

"Një pjesë e madhe e teatrit, jo vetëm baleti, por edhe opera dhe orkestra, krijuan një video mbi protestat për të bërë të qartë se ne nuk mund të heshtim, jo vetëm për shkak të dhunës", thotë Oleg Eromkin, kërcimtar.

Një betejë e pabarabartë midis pushtetit dhe forcave opozitare po vazhdon, pa asnjë derë të hapur për dialog për momentin.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG