Me afrimin e afatit përfundimtar për përmbylljen e numërimit të popullsisë në vitin 2020, një gjykatës federal ka dhënë urdhër që Zyra Amerikane e Cencusit të ndalë planet për të reduktuar vizitat shtëpi më shtëpi të punonjësve që mbledhin të dhëna mbi numrin dhe përbërjen e familjeve amerikane. Në Shtetet e Bashkuara numërimi i plotë i popullsisë bëhet çdo dhjetë vjet dhe shërben për të planifikuar ndarjen e fondeve federale si dhe për të përcaktuar numrin e ligjvënësve në Dhomën e Përfaqësuesve nga çdo shtet. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Mariia Prus njofton:
Në Nju Jork, zyrtarët bashkiakë nxisin popullatën të angazhohet për Cencusin 2020.
Carlina Rivera Anëtare e Këshillit Bashkiak, Nju Jork
“Po i bëjmë thirrje komunitetit. Kanë marrë informacion në disa gjuhë, pasi duam që e gjithë popullata të numërohet. Në disa lagje numërimi ka qenë shumë i ulët, sidomos në radhët e atyre që nuk e kanë anglishten gjuhën e nënës,” thotë Carlina Rivera, anëtare e Këshillit Bashkiak të Nju Jorkut.
Deri më 13 shtator, Zyra e Censusit ka kontaktuar 90% të banesave, por më pak se 70% e amerikanëve kanë mbushur formularët. Pyetësori i cencusit mund të mbushet në internet, me telefon, ose gjatë bisedës së drejtpërdrejtë me punonjës që shkojnë shtëpi më shtëpi. Por si rezultat i pandemisë, Zyra e Cencusit u detyrua të pezullojë vizitat fizike në mars dhe prill.
“Jo, nuk kam marrë pjesë në cencus. Nuk kisha mundësi”, thotë një banor i Nju Jorkut.
Në përgjigje të pandemisë, afati për përmbylljen e numërimit të popullsisë u shty nga 31 korrik në 31 tetor. Më pas Zyra e Cencusit njoftoi se data e re ishte 30 shtatori.
Pak pas njoftimit, një gjykatës federal dha urdhër që të mos ndalej procesi më 30 shtator, pasi një numër qytetesh, komunash dhe grupe për të drejta civile paraqitën ankesë se afati i shkurtuar do të rezultonte në numërim jo të saktë, sidomos të komuniteteve të pakicave.
“Ky proces nënkupton fuqinë dhe fondet që do të gëzojnë komunitetet. Nëse nuk plotësohet pyetësori, nuk do të bëhet një ndarje e drejtë e fondeve prej 1.5 trilionë dollarësh për strehim, ushqim, arsim dhe transport. Që nga përfaqësimi i popullatës në Kongres e deri tek anëtarët e seksioneve të arsimit përcaktohen nga numërimi i popullsisë,” tha ligjvënësja amerikane Carolyn B. Maloney.
Numërimi i popullsisë çdo dhjetë vjet ndihmon për të vendosur si do të ndahen fonde federale me vlerë 1.5 trilionë dollarë dhe sa ligjvënës do të ketë çdo shtet amerikan.
Shtete me popullsi më të madhe si Nju Jorku kanë shumë më tepër ligjvënës se shtete të vogla si Uajoming dhe Vermonti.
Megjithëse në dukje një proces i thjeshtë numërimi, cencusi shoqërohet me shumë polemika.
Në bazë të Kushtetutës, duhet të numërohet çdo individ në Shtetet e Bashkuara, përfshirë individët që nuk janë shtetas. Shumë veta e konsiderojnë këtë të padrejtë dhe këmbëngulin se duhet të numërohen vetëm shtetasit.
Sipas orgamnizatës Pew Research, nëse imigrantët e paligjshëm nuk përfshihen në numërim, shtete si Kalifornia, Florida dhe Teksasi do të kishin një numër më të vogël përfaqësuesish në Kongres.
Punonjësit e Zyrës së Cencusit dhe politikanë në nivel vendor thonë se numërimi i çdo individi, pavarësisht nga statusi, është i rëndësishëm pasi ndihmon për ndarjen e drejtë të fondeve për komunitete individuale.
“Nuk ka rëndësi nëse je shtetas amerikan, apo imigrant pa dokumente, nëse punon në restorant në një lagje të caktuar apo jeton në atë lagje; për ne ka rëndësi të dimë sa njerëz kemi që të ofrojmë shërbimet e duhura,” thotë politikani nga Nju Jorku, John Blasco.
Pyetësori i Cencusit 2020 kërkon 10 minuta për t’u mbushur dhe përmban pyetje të thjeshta për individin dhe personat e tjerë që jetojnë në atë banesë.
Numërimi i popullsisë konsiderohet si një nga mënyrat më të thjeshta që kanë qytetarët për të garantuar se qeveria po punon në shërbim të tyre.
Facebook Forum