Lidhje

Tiranë, miratohen ndryshimet e Kodit Zgjedhor pa mirëkuptimin e opozitës jashtëparlamentare


Parlamenti me shumicë socialiste miratoi sot ndryshimet e Kodit Zgjedhor për listat dhe koalicionet zgjedhore, ndërsa opozita e quajti këtë një akt antikushtetues, që shkatërroi marrëveshjen e 5 qershorit.

Tiranë: Kuvendi miratoi ndryshimet e kodit zgjedhor
please wait

No media source currently available

0:00 0:03:29 0:00

Kryeministri Rama pohoi se mirëkuptimi me opozitën u kërkua gjatë, para se të vazhdohej me procedurat parlamentare.

Ndërsa kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, tha se ky veprim i socialistëve goditi rëndë integrimin europian të Shqipërisë.

Drejtuesi i Institutit të Studimeve Politike, Afrim Krasniqi, thotë se miratimi i njënanshëm i Kodit Zgjedhor nga socialistët thellon më tej krizën politike dhe është një nga dështimet më të mëdha, me të cilat Shqipëria po shkon në Bruksel.

Shumica socialiste në parlamentin e Tiranës, e mbështetur me vota pro edhe nga 23 deputetë të opozitës brenda parlamentt, miratoi sot ndryshimet e Kodit Zgjedhor.

Sipas variant socialist, i kthyer tashmë në ligj, koalicionet zgjedhore duhen regjistruar në garë me lista të përbashkëta dhe pjesërisht të hapura. Kjo formulë e ul ndjeshëm mundësinë që qytetarët të zgjedhin kandidatët më të mirë nga listat e partive, ndërsa opozita kërkoi listta plotësisht të hapura, që të fuqizohej elementi maxhoritar.

Ndër të paktat ndryshime me rëndësi, pas kësaj, ishin ulja e pragut nga 3 në 1 për qind dhe kandidimi i kryetarëve në 4 zona.

“Ata që sot nuk janë në parlament asnjëherë nuk u kanë dhënë subjekteve të tjera politike aq mundësi sa po marrin sot, dhe janë zhveshur vet nga mundësia për të imponuar këtij parlamenti mendimet e veta” – tha zoti Rama.

Ndërsa kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, zhvillonte në të njëjtën kohë takime me biznese të vogla mbi krizën ekonomike të tyre, sic pohuan ato, nga tërmeti, pandemia, taksat dhe keqqeverisja.

Partia Demokratike me aleatët u largua nga parlamenti afro 20 muaj më parë dhe projektin e vet e dërgoi në Këshillin Politik, një forum pozitë-opozitë, ku u arrit marrëveshja e 5 qershorit, e cila sipas zotit Basha, sot u shkatërrua, bashkë me investimin e ndërkombëtarëve për mirëkuptim politik dhe integrim të shpejtë europian.

“Ndryshimet që kalojnë sot janë plotësisht antikushtetuese. Ato tregojnë tmerrin dhe frikën e Edi Ramës nga procesi zgjedhor. Nuk ka formulë që e shpëton Edi Ramën nga ndëshkimi i merituar popullor. Sikur vetëm për premtimet e pambajtura dhe për efektin e tyre si litar në fytin e familjeve shqiptare, Edi Rama do të largohet me një votë plebishitare” – tha zoti Basha.

Një rol jo të vogël po luajnë në këto zhvillime edhe deputetët e asaj që njihet tani si opozita parlamentare. Ata trashëguan për inerci të Kodit Zgjedhor mandatet e djegura nga Partia Demokratike dhe aleatët e saj, por shumica e tyre votojnë pro të gjithë projekt-ligjeve që sjellin socialistët.

Partia Socialiste ka 74 vota në parlament, për ndryshimet e Kodit Zgjedhor sot nevojiteshin 84 vota, por zelli i tyre përkrah socialistëve e ngriti miratimin në 97 vota.

E vetmja që përpoq gjithë kohës deri në fund të bëjë dicka për mirëkuptimin dhe listat plotësisht të hapura është deputetja Rudina Hajdari, e cila sot bllokoi foltoren për mbi 2 orë.

“Në këtë sallë njerëzit vetëm nxjerrin gënjeshtra për popullin dhe bëjnë pazare. Ka 30 vjet që premtoni dhe nuk u jepni qytetarëve asgjë për të përmirësuar demokracinë, institucionet dhe jetën e tyre” - tha zonja Hajdari.

Por si mund të rrjedhin ngjarjet pas kësaj? Drejtuesi i Institutit të Studimeve Politike, Dr. Afrim Krasniqi, thotë se “ky akt i njënashëm sot i PS-së thellon më tej krizën politike në Tiranë dhe është një nga dështimet më të mëdha, me të cilat Shqipëria po shkon në Bruksel”.

Me votimin e sotëm në parlament, duket se doli jashtë funksionit edhe Këshilli Politik, ku nuk ka mbetur më për të folur pothuajse asgjë.

Këshilli Politik u ngrit si një forum mes pozitës dhe opozitës në janar me synimin për ta kryer reformën zgjedhore deri në mars, afat që u shty deri në maj dhe me shtytjen e diplomatëve amerikanë dhe europianë mes palëve u arrit një marrëveshje më 5 qershor. Opozita thotë se edhe kjo u shkatërrua me votimin e sotëm në parlament, i cili megjithatë vazhdoi procedurat për zgjedhjen e KQZ-së së re dhe administratës që pritet të menaxhojë zgjedhjet e 25 prillit, kur partitë e mëdha, kanë nisur fushatën zgjedhore, 9 muaj para zgjedhjeve, sapo presidenti dekretoi datën e mbajtjes së tyre.

Pas votimit sot në parlament të ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, reagoi ambasada e SHBA-ve në Shqipëri. “Sot, partia qeverisëse ndaloi diskutimet në Këshillin Politik dhe votoi për të miratuar ndryshime domethënëse të rregullave, që do të qeverisin zgjedhjet e 25 prillit. Ishte brenda kompetencave të parlamentit për t’i miratuar këto ndryshime, të cilat janë shtesë, dhe jo shkelje të marrëveshjes së 5 qershorit, por është për të ardhur keq që shumica dështoi të respektonte përkushtimin e deklaruar prej vetë asaj për të kërkuar emërues të përbashkët në Këshillin Politik” - thuhet në deklaratën e SHBA-ve në Tiranë.

Në reagimin e ambasadës theksohet se “Shtetet e Bashkuara i kanë shtyrë udhëheqësit e Shqipërisë – brenda dhe jashtë parlamentit – për t’u angazhuar me njëri tjetrin në mënyrë transparente dhe përfshirëse për çështje me rëndësi kombëtare”.

Në të veçohet se ishte angazhimi pozitiv që prodhoi marrëveshjen e 5 qershorit për reformën zgjedhore.

“SHBA bëri të qartë që ajo marrëveshj duhet të respektohet dhe se çfarëdo masash shtesë duhen shqyrtuar dhe miratuar në mënyrë të ngjashme transparente dhe përfshirëse në Këshillin Politik” - deklaroi ambasada e SHBA-ve në Tiranë.

Selia diplomatike amerikane kujtoi se Shqipëria është anëtare e NATO-s, aspiruese për anëtarësim në Bashkimin Europian dhe Kryesuese e radhës e OSBE-së, ndaj është detyrë e udhëheqësve të Shqipërisë, duke filluar, por jo vetëm, nga ata në pushtet, për të kërkuar nga vetja një standard më të lartë dhe për të siguruar lirinë dhe ndershmërinë e zgjedhjeve të ardhshme.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG