Presidenti Donald Trump dhe ish-nënpresidenti Joe Biden, u përplasën lidhur me politikat e tyre dhe shkëmbyen fyerje në debatin e tyre të parë të martën në mbrëmje, që shumë shpejt u kthye në kaos dhe shkëmbime ofendimesh. Debati u mbajt vetëm pesë javë para zgjedhjeve të përgjithshme.
Ishte një skenë që nuk është parë ndonjëherë në historinë moderne të debateve presidenciale, ku një kandidat i thoshte tjetrit "ta mbyllte gojën" dhe të dy akuzuan njëri-tjetrin, si gënjeshtar.
Në pjesën më të madhe debati 90 minutësh, që synonte të trajtonte temat më të rëndësishme në një kohë të pashembullt të historisë amerikane, ishte një varg sharjesh, ndërprerjesh dhe akuzash, ku secili nga kandidatët u përpoq të bindte votuesit se rivali nuk ishte i përshtatshëm për të drejtuar vendin.
“Ti je presidenti më i keq që ka pasur ndonjëherë Amerika”, tha zoti Biden.
"Më lër të të them Joe, se unë kam bërë më shumë në 47 muaj sesa ke bërë ti në 47 vjet”, u kundërpërgjgj zoti Trump.
Moderatori Chris Wallace, u përpoq gjatë gjithë kohës që ta rikthente vëmendjen tek diskutimi thelbësor i çështjeve dhe tek rregullat e debatit për të cilat kishin rënë dakord të dyja palët, por pa shumë sukses.
"Më lejoni mua ta bëj pyetjen zoti President. Zoti President unë jam moderatori i këtij debati. Dhe do të kërkoja që të më lejoni të bëj pyetjen dhe pastaj ju mund të përgjigjeni”, tha ai në një moment.
Një nga temat kryesore në debat ishte COVID-19, që ka shkaktuar vdekjen e mbi 205 mijë vetëve në Shtetet e Bashkuara.
“Presidenti nuk ka plan. Nuk ka paraqitur asgjë. Ai e dinte që në shkurt se sa serioze ishte kriza”, tha zoti Biden.
Zoti Trump tha se ai ka udhëhequr një përgjigje efektive.
“Në siguruam veshjet mbrojtëse, maskat, respiratorët. Ti nuk do të kishe bërë dot respiratorë. Dhe pas pak javësh do të kemi një vaksinë”, tha Presidenti Trump.
Një nga temat e debatit, ishin tensionet racore në vend, dhe zoti Trump refuzoi të dënonte supremacistët e bardhë që e kanë mbështetur atë, duke iu drejtuar një grupi të tillë me fjalët “mos veproni, prisni”.
"A jeni i gatshëm të dënoni supremacistët e bardhë grupet e milicëve?” pyeti moderatori.
"Po, do të isha por do të thoja që pothuajse çdo gjë që shoh është nga e majta, jo e djathta”, tha zoti Trump.
Zoti Biden dënoi përpjekjet e zotit Trump për të shfuqizuar legjislacionin për kujdesin shëndetësor të administratës Obama, nga e cila përfitojnë 20 milionë vetë. Zoti Trump tha se ligji është jokushtetues dhe kufizon zgjedhjen personale. Zoti Biden tha se votuesit mund të mbajnë planin që duan, sipas propozimit të tij.
I pyetur për artikullin e gazetës New York Times, se ai kishte paguar vetëm 750 dollarë taksa në vitin 2016 dhe vitin 2017, Presidenti Trump tha se ka paguar miliona në taksa pa dhënë detaje. Ish nënpresidenti Biden, ka bërë publike dokumentat për taksat në faqen e fushatës së tij.
Një temë tjetër ishin dyshimet që ka hedhur presidenti Trump për manipulim të votimit me postë:
“Ato po shiten, po hidhen në lumenj. Është e tmerrshme për vendin tonë. Nuk do të përfundojë mirë", tha Presidenti Trump.
"Nuk ka prova për këtë. Pesë shtete kanë pasur votime me postë për një dekadë ose më shumë, përfshirë dy shtete republikane”, u kundërpërgjigj zoti Biden.
Duke përdorur argumentin e manipulimeve të votës, Presidenti Trump ka shmangur një përgjigje të drejtpërdrejtë ndaj pyetjes nëse do të pranonte tranizicionin e pushtetit nëse humb në zgjedhje.
Një tjetër pikë përplasjeje ishte kandidatja që ka zgjedhur zoti Trump për të zëvendësuar anëtaren e Gjykatës së Lartë, Ruth Bader Ginsburg, një ikonë liberale.
Ai emëroi gjykatësen konservatore Amy Coney Barrett, duke filuar një proces konfirmimi kur votimet kanë filluar në shumë shtete.
Zoti Biden tha se fituesi i zgjedhjeve të nëntorit duhet të caktojë anëtarin e ri.
“Populli amerikan ka të drejtën që të kenë zërin e tyre në përzgjedhjen e kandidatit për Gjykatën e Lartë”, tha ai.
Zoti Trump u përgjigj se ishte detyra e tij të bënte emërimin.
“Ne fituam në zgjedhje dhe kështu kemi të drejtën ta caktojmë atë”, tha ai.
Analistët e denoncuan debatin e ashpër.
“Kur ishte radha e zotit Biden, ai fliste për 10, 20, 30 sekonda me një argument logjik dhe pastaj ndërpritej vazhdimisht nga Presidenti. Prandaj nuk ia vlen të pyesësh se cili ishte fituesi i debatit, sepse Presidenti e bëri të pamundur debatin”, thotë Jeremy Mayer, profesor i Universitetit George Washington.
Temat e debatit u lanë në hije nga përplasjet e vazhdueshme, që në një farë mënyre i shkojnë për shtat në fushate jashtëzakonisht të ashpër.
Dy debatet e ardhshme mes kandidatëve do të mbahen në tetor.
Facebook Forum