Në Tiranë, komisioni parlamentar i ligjeve ndërpreu sot një mbledhje, ku nisi të shqyrtojë disa ndryshime në Kodin Zgjedhor pas Kushtetutës së ndryshuar më 30 korrik.
Komisioni miratoi në parim ndryshimet dy ditë më parë, ndërsa sot, kur pritej shqyrtimi nen për nen, deputetët e opozitës kërkuan që mbledhja të shtyhej.
Këshilli Politik, forumi ku merr pjesë edhe opozita jashtë-parlamentare, pritet të mbajë nesër një mbledhje, ku do të diskutohet të njëjtat çështje të reformës zgjedhore.
Palët kanë rënë dakord që reforma zgjedhore do të bëhet me mirëkuptim të gjerë, ndërsa pikat më të debatuara mes shumicës dhe opozitës janë listat e hapura dhe koalicionet zgjedhore.
Shumica socialiste ka propozuar që koalicionet të garojnë me një listë të përbashkët kandidatësh, e cila të jetë pjesërisht e hapur, për të favorizuar kandidatet femra.
Ndërsa opozita ka propozuar që lista e kandidatëve për deputetë të jetë 100 për qind e hapur, dhe secila parti të garojë me listën e saj, pa ndryshuar formulën e deritanishme të koalicioneve.
Opozita ka shprehur shqetësimin se me ndryshimet, që i bëri Kushtetutës më 30 korrik dhe me projekt-amendamentet e Kodit Zgjedhor në komision të ligjeve, shumica socialiste po përpiqet të shkatërrojë marrëveshjen shumëpalëshe të 5 qershorit mbi administrimin e procesit zgjedhore.
Diplomatët amerikanë dhe europianë po u bëjnë thirrje palëve që të ruajnë marrëveshjen e 5 qershorit dhe çdo hap në reformën zgjedhore ta hedhin me mirëkuptim midis tyre.
Facebook Forum