Gjykata Penale në Shkup vendosi të martën dënimin me një vit e gjashtë muaj burg për ish-kryeministrin Nikolla Gruevski për nxitjen e dhunës ndaj ish- kryetarit të Komunës Qendër të Shkupit, Andrej Zhernovski.Dënimi për zotin Gruevski u dha në mungesë për shkak të arratisjes së tij në Hungari.
Për të njëjtën vepër penale, gjykata e dënoi me kusht ish-ministrin e Transportit, Mile Janakievski, si i akuzuar i dytë. Ai do ta vuajë dënimin në kohëzgjatje prej një viti në rast se në katër vjetët e ardhshëm kryen një tjetër vepër penale.
Rasti kishte ndodhur në vitin 2013, kur drejtuesi i atëhershëm i partisë VMRO-DPMNE e kishte nxitur dhunën ndaj zotit Zhernovski për shkak të mospajtimeve politike. Gjykata konstatoi se jeta e zotit Zhernovski dhe e anëtarëve të tjerë të Këshillit ishte vënë në rrezik. Ndërkohë turma e dhunuesve kishte shkaktuar dëme në objektin e Komunës.
Edhe pesë përkrahës të tjerë të VMRO-së u dënuan me kusht. Prokurorja Fatime Fetai kërkoi paraprakisht dënime të ashpra për Gruevskin dhe Janakievskin në mënyrë që vepra të shërbente si “mësim për të mos u përsëritur”.
Kundër ish-ministrit Janakievski zhvillohen edhe procese të tjera gjyqësore; në disa prej të cilave ai akuzohet së bashku me Nikolla Gruevskin, përfshirë dhunën e 27 prillit të vitit 2017 në parlament.
Ish-kryemininistri Gruevski, i cili ka dy vjet që është strehuar në Hungari, duhet të vuajë edhe një dënim tjetër prej 2 vitesh burg për shkak të manipulimeve në tenderin rreth blerjes së një makine Mercedes të blinduar. Po për këtë vepër, ish-ministrja e Rendit Gordana Jankullovska e dënuar para dy vjetësh me 4 vite burg, u dërgua këtë të hënë në mbrëmje për ta vuajtur dënimin në burgun e Idrizovës, pranë Shkupit.
Facebook Forum