Të martën Shtetet e Bashkuara regjistruan 200 mijë raste vdekjesh si pasojë e koronavirusit, por ekspertët e shëndetit thonë se shifra mund të vazhdojë të rritet me dhjetëra mijëra në muajt e ardhshëm. Numri i të vdekurve i ka tejkaluar parashikimet e hershme dhe shifra është gati sa dyfishi i viktimave amerikane në luftërat e zhvilluara në Kore, Vietnam, Gjirin Persik, Afganistan dhe Irak.
Në prill, eksperti më i lartë i sëmundjeve infektive doktor Anthony Fauci pati thënë se numri i të vdekurve do të arrinte "në më shumë se 60 mijë", ndërsa Presidenti Donald Trump, i cili fillimisht e minimizoi koronavirusin si diçka të ngjashme me gripin sezonal, tha në muajin maj se numri mund të shkonte diku tek 75 në 100 mijë të vdekur.
Tashmë ekspertët e shëndetësisë në universitetin e Uashingtonit thonë se numri i të vdekurve mund të arrijë në 410 mijë deri në fund të vitit.
Në fund të prillit në SHBA regjistroheshin çdo ditë më shumë se 2,000 vdekje, tashmë shifra është rreth 800 vdekje në ditë.
Ekspertët po përpiqen të zhvillojnë një vaksinë kundër koronavirusit e cila mund të miratohet për përdorim urgjent në muajt e ardhshëm. Por në mungesë të një vaksine dhe me futjen në një sezon të ftohtë, ekspertët druhen se numri i përditshëm i të vdekurve mund të rritet sërish. SHBA-ja ka numrin më të lartë të vdekjeve krahasuar me të gjitha vendet e botës, por disa vende në Evropë dhe në Amerikën Latine kanë regjistruar numrin më të lartë të vdekjeve për frymë.
Të martën Presidenti Trump nuk bëri asnjë koment mbi shifrën e të vdekurve si pasojë e virusit. Përpjekjet kundër COVID-19 janë shndëruar në një pikë kryesore të debatit në kuadër të fushatës për zgjedhjet presidenciale. Zoti Biden akuzon Presidentin për keqmenaxhimin të krizës e cila ka çuar në ato që ai i quajti vdekje të parandalueshme, ndërsa presidenti Trump i dha vetes "notën 10” gjatë një intervistë të hënën lidhur me përgjigjen ndaj pandemisë.
"Ata po vdesin. Kjo është e vërtetë. Situata është ajo që është. Por kjo nuk do të thotë që ne nuk po bëjmë gjithçka që mundemi. Situata ndodhet nën kontroll për aq sa mund ta kontrollojmë", tha zoti Trump gjatë një interviste në fund të korrikut për Axios.
Të martën në një konferencë për shtyp Sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë Kayleigh McEnany u pyet se çfarë do t'u thoshte Shtëpia e Bardhë atyre amerikanëve që e fajësojnë për 200 mijë rastet e vdekjeve si pasojë e virusit.
"Fakti që jemi shumë larg shifrës prej 2 milionë të vdekurish është një dëshmi se ky president po ndërmerr veprime të menjëhershme", tha ajo.
Të hënën Organizata Botërore e Shëndetësisë njoftoi se 156 vende do të marrin pjesë në një iniciativë globale për të zhvilluar, prodhuar dhe shpërndarë në mënyrë të barabartë një vaksinë kundër COVID-19.
Tedros Adhanom Ghebreyesus, drejtori i përgjithshëm i OBSH-së, tha se 64 vende të pasura kanë rënë dakord të marrin pjesë në lehtësimin e qasjes globale ndaj vaksinave kundër COVID-19, falë një projekti të përbashkët të quajtur COVAX, bashkëpunim i OBSH-së, Koalicionit për Inovacione e Gatishmëri ndaj Epidemive dhe Gavi-t, Aleanca e Vaksinave, një organizatë e themeluar nga Bill dhe Melinda Gates, që synon vaksinimin e fëmijëve në vendet më të varfra të botës.
Nisma synon të shpërndajë deri në 2 miliardë doza të një vaksine të sigurt dhe efektive në të gjithë botën deri në fund të vitit 2021, duke nisur fillimisht me 3 për qind të popullsisë së vendeve pjesëmarrëse, ku futen punonjës e kujdesit shëndetësor dhe ata me rrezik të lartë për t’u prekur nga sëmundja.
Zoti Tedros tha se 38 vende të tjera pritet t’i bashkohen COVAX-it në ditët në vijim.
“Kjo nuk është bamirësi është në interesin më të mirë të çdo vendi", tha ai. "Ne do të fundosemi ose do të notojmë së bashku".
Në listën e kombeve pjesëmarrëse mungojnë Shtetet e Bashkuara, Kina dhe Rusia. SHBA-ja paralajmëroi më parë se nuk do të marrë pjesë në projektin COVAX për shkak të rolit udhëheqës të OBSH-së në këtë përpjekje.
Facebook Forum