Lidhje

SHBA, sanksione të reja ndaj Iranit


Shtetet e Bashkuara po vendosin sanksione të reja gjithpërfshirëse ndaj Iranit për të frenuar kërcënimet bërthamore, me raketa dhe armë konvencionale, pasi Uashingtoi pohoi se embargoja e armëve nga Kombet e Bashkuara kundër Iranit ishte rivendosur për një kohë të pacaktuar të shtunën.

Këshilltari i Sigurisë Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Robert O’Brien, tha të hënën se administrata e Presidentit Donald Trump po vendos sanksione të reja dhe masa kontrolli eksporti ndaj 27 entiteteve dhe individëve të lidhur me programin e armëve bërthamore të Iranit.

Një urdhër ekzekutiv i Shtëpisë së Bardhë përcakton planet për të bllokuar pronën e individëve të përfshirë në transferimin e materialeve për armët dhe pajisjet ushtarake në Iran dhe jashtë tij. Departamenti i Shtetit dhe Departamenti i Thesarit po ashtu shpjegojnë se si individët dhe bizneset e huaja do të penalizohen për shkelje.

Organizata e Industrisë së Mbrojtjes së Iranit (DIO) dhe drejtuesi i saj, Mehrdad Akhlaghi-Ketabchi si dhe Presidenti Nicolas Maduro i Venezuelës janë mes atyre ndaj të cilëve vihen sanksione.

“Për afro dy vite, zyrtarë të korruptuar në Teheran kanë punuar me regjimin e paligjshëm në Venezuelë për të shmangur embargon e armëve të Kombeve të Bashkuara. Veprimet tona sot janë një paralajmërim që duhet të dëgjohet në të gjithë botën. Pavarësisht se kush je, nëse shkel embargon e armëve të Kombeve të Bashkuara ndaj Iranit, rrezikoni sanksione”, tha Sekretari i Shtetit Mike Pompeo përkrah zyrtarëve të tjerë të lartë amerikanë të ekipit të sigurisë kombëtare të Presidentit Trump të hënën gjatë një konference shtypi në Departamentin e Shtetit.

Sekretari i Thesarit Steven Mnuchin tha: “Çdo institucion financiar që me vetëdije lehtëson një transanksion të rëndësishëm për këta individë ose entitete ekonomike mund të jetë objekt i sanksioneve të Shteteve të Bashkuara.”

Të shtunën vonë, Shtetet e Bashkuara pohuan se të gjitha sanksionet e Kombeve të Bashkuara të lehtësuara ose hequra si rezultat i marrëveshjes bërthamore të vitit 2015, që njihet shkurtimisht si JCPOA, janë vëndosur përsëri dhe duhet të zbatohen nga vendet anëtare të Kombeve të Bashkuara.

Por Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Antonio Guterres tha se OKB nuk do të ndërmarrin ndonjë veprim, “në pritje të sqarimit nga Këshilli i Sigurisë”, nëse saksionet që janë hequr duhet të rivendosen.

Kina dhe Rusia kanë refuzuar në mënyrë të prerë qëndrimin amerikan, ndërsa Britania, Franca dhe Gjermania, që njihen si E3, thanë se njoftimi amerikan nuk kishte efekt juridik.

Zyrtarët amerikanë thanë se individët dhe kompanitë, përfshi bankat evropiane që ndihmojnë Iranin në shkelje të këtyre sanksioneve të gjera të Kombeve të Bashkuara, do të ndëshkohen.

“Nëse një bankë evropiane do të financonte një shitje armësh Iranit ose për Iranin, absolutisht, ajo do të sanksionohej”, tha për gazetarët Elliot Abrams, i dërguari special i Shteteve të Bashkuara për Iranin dhe Venezuelën.

“Nuk do të futem në detaje në lidhje me afatet, por duket qartë drejtimi në cilin Irani dëshiron të shkojë”, tha Abrams kur u pyet në lidhje me një raport nga agjencia e lajmeve Reuters që citon zyrtarë amerikanë të kenë thënë se Irani mund të ketë materiale të mjaftueshme për një armë bërthamore deri nga fundi i vitit.

Raporti po ashtu tha se Teherani ka rifilluar bashkëpunimin për raketa me rreze të gjatë veprimi me Korenë e Veriut.

Zoti Abrams u tha gazetarëve se Shtetet e Bashkuara janë shumë të shqetësuara rreth bashkëpunimit të Iranit me Korenë e Veriut dhe se Uashingtoni do të ndjekë me shumë kujdes dhe do të bëjë gjithçka për ta parandaluar atë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG