Mjekë dhe politikanë lokalë në Turqi po ngrenë shqetësimin se qeveria është duke minimizuar nivelin e përhapjes së koronavirusit. Të dhënat e fundit zyrtare tregojnë se në Turqi çdo ditë identifikohen rreth 1 mijë e 700 raste të reja, ndërsa rreth 60 vdesin nga infeksioni. Por ka dyshime se këto shifra nuk janë reale. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Henry Ridgwell përcjell shqetësime të politikanëve të opozitës, të cilët akuzojnë qeverinë e Presidentit Recep Tayyip Erdogan për mbulim të së vërtetës.
Sipas të dhënave zyrtare, Sanliurfa në rajonin Anatolia është ndër qytetet më të goditura nga koronavirusi në Turqi.
Por doktorët këtu thonë se situata është shumë me e rëndë sesa njofton qeveria.
Kenan Gengeç drejton një klinikë në qendër të qytetit.
“Ata njoftojnë se çdo ditë kemi rreth 1 mijë e 500 infeksione në nivel vendi. Por për disa ditë, vetëm në Sanliurfa, kishim 600 deri në 700 raste. Është e qartë se numrat që publikohen nuk janë të saktë”, tha ai.
Këto shqetësime u ngritën dy javë më parë nga udhëheqësit e dy qyteteve më të mëdha turke, Stambollit dhe Ankarasë. Ata paralajmëruan mospërputhje të të dhënave të Ministrisë së Shëndetit me të gjeturat e autoriteteve lokale.
Drejtuesit e dy qyteteve janë pjesë e subjektit opozitar “Partia e Popullit Republikan”
Doktor Gengeç beson se qeveria po mundohet të kufizojë dëmet ekonomike.
“Është sezoni i turizmit dhe për këtë arsye ata shqetësohen për ekonominë. Ata shqetësohen se publiku do të zemërohet. Ata nuk duan që njerëzit të shohin dështimet në numra kaq të lartë. Prandaj nuk japin informacione të sakta”, tha doktori Gengeç.
Ministri i Shëndetësisë në Turqi dhe guvernatori i provinces Sanliufra refuzuan të intervistohen nga Zëri i Amerikës. Gazetari Ibrahim Uygur thotë se qeveria nuk jep të dhëna të plota.
“Deri para një muaji, ata publikonin numrin e rasteve pozitive në Sanliufra, por tani nuk e japin më këtë informacion. Tani mund të botojmë vetëm numrin total ditor në nivel vendi të shpërndarë nga qeveria”, thotë gazetari Uygur.
Edhe banorët në Sanliufra shprehen skeptikë për numrat e qeverisë.
“Besoj se shifrat e vërteta janë shumë më të larta”, thotë banori Mustafa Uma.
“Arsyeja pse virusi është kaq i përhapur në Saliufra është mosrespektimi i rregullave. Banorët nuk mbajnë maska. E quajnë për turp. Shkojnë në dasma dhe shumë prej tyre infektohen ”, thotë banori tjetër Mehmet Veysel Akdeniz.
Turqia mohon se është duke e mbuluar të vërtetën. Ditëve të fundit qeveria shtoi masat kufizuese pas rritjes së rasteve. Mbajtja e maskave është e detyrueshme jashtë shtëpisë. Tubimet si dasmat janë të kufizuara në një orë ndërsa vallëzimi dhe ushqimi janë ndaluar.
Facebook Forum