Ndërsa shtetet perëndimore të Amerikës luftojnë me zjarret, zyrtarët e atjeshëm po i bëjnë thirrje Presidentit Donald Trump dhe udhëheqësve të tjerë për të trajtuar çështjen e ndryshimit të klimës, që ata thonë se ka çuar në një vit rekord zjarresh. Presidenti Trump do të vizitojë sot Sakramenton e Kalifornisë, për një konferencë mbi zjarret, që kanë përfshirë këtë shtet.
Në perëndimin amerikan, ajri me tym mbulon zona të tëra, një kujtesë për krizën dhe vuajtjet në çdo frymë që thith. Më shumë se 25 vetë kanë humbur jetën dhe mijëra janë zhvendosur. Zyrtarë vendas thonë se zjarret janë pasojë e ndryshimit të klimës.
“Është një emergjencë klimatike. Është reale dhe po ndodh. Është stuhia e përsosur. Po ndodh si kurrë ndonjëherë, vit pas viti,” thotë Gavin Newsom, guvernator i Kalifornisë
Gjatë një turi që po bën në shtetet perëndimore të vendit, Presidenti Donald Trump viziton të hënën zjarrfikësit dhe zyrtarët e Sakramentos në Kaliforni.Të shtunën, në një tubim fushate në Rino të shtetit Nevada, presidenti foli edhe për zjarret.
"Fola me njerëzit në Oregon dhe në Uashington. Ata nuk kanë parë kurrë diçka të tillë. Por kjo ka të bëjë me mirëmbajtjen e pyjeve. Mos harroni ju lutem, është fare e thjeshtë: Mirëmbajtje e pyjeve. Janë edhe gjëra të tjera, por kryesisht mirëmbajtje e pyjeve,” tha Presidenti Trump.
Zyrtarët e zgjedhur në Uashington dhe Oregon e venë në diskutim shkakun që jep presidenti për zjarret. Jeff Merkley është senator demokrat që përfaqëson shtetin Oregon.
“Presidenti ka thënë se gjithçka ka të bëjë me heqjen e shkurreve nga pyjet. Kjo është thjesht një gënjeshtër e madhe dhe shkatërrimtare. Në vargmalin e Kaskadës sasia e borës është pakësuar. Pyjet tona janë më të thata. Oqeani është bërë më i ngrohtë dhe me përmbajtje më acide. Dhe kjo po ndodh vazhdimisht gjatë dekadave të fundit,” thotë senatori.
Disa zyrtarë në shtetet perëndimore po bëjnë thirrje për veprime urgjente, për të luftuar ndryshimin e klimës.
"Është çmenduri sot, me këtë sfidë gjigande ndaj komuniteteve tona, kur i gjithë Bregu Perëndimor është në flakë, të kesh një president i cili mohon se këto nuk janë thjesht zjarre të pakontrolluara, por pasojë e ndryshimit të klimës. Dhe nëse ky nuk është një sinjal për Amerikën, nuk e kuptoj se çfarë mund të jetë,” thotë guvernatori i shtetit Uashington, Jay Inslee.
Disa veprimtarë të mjedisit ankohen se ish-Nënpresidenti Joe Biden, rivali demokrat i Presidentit Trump, nuk e ka bërë ndryshimin e klimës një çështje parësore të fushatës së tij. Gjatë fundjavës, zoti Biden nxorri një deklaratë ku u bënte thirrje njerëzve që të "veprojnë tani" kundër ndryshimit të klimës.
Ndërsa komunitetet luftojnë me zjarret, fatkeqësitë natyrore dhe shkaqet e tyre mund të bëhen gjithnjë e më shumë një temë fushate gjatë periudhës deri në zgjedhje.
Facebook Forum