Lidhje

Mediat ruse: Moska do të tërheqë trupat rezervë në kufi me Bjellorusinë


Presidenti rus Vladimir Putin dhe udhëheqësi i bjellorusisë Aleksandër Lukashenko ranë dakord që Moska të tërheqë trupat rezervë që ishin vendosur në kufirin me Bjellorusinë, njoftoi agjencia e lajmeve TASS të hënën duke cituar një zëdhënës të Kremlinit.

Të dy udhëheqësit u takuan në Soçi të Rusisë ndërsa zoti Lukashenko përballet me protesta masive në vend pas zgjedhjeve presidenciale të 9 gushtit, për të cilat opozita thotë se u manipuluan.

"Një rezultat i rëndësishëm i bisedimeve mes dy presidentëve në Soçi ishte një marrëveshje që Rusia të largojë trupat rezervë të zbatimit të ligjit dhe rojes kombëtare, që ishin vendosur pranë kufirit Rusi-Bjellorusi dhe t’i kthejë ata në bazat e tyre të përhershme", ka thënë Dmitry Peskov sipas agjencisë TASS.

Gjatë takimit Presidenti rus Vladimir Putin ra dakord t’i japë një hua prej 1.5 miliardë dollarësh Bjellorusisë si një gjest mbështetjeje për udhëheqësin e saj Alexander Lukashenko.

Një ditë pasi më shumë se 100,000 protestues dolën në rrugët e Minskut me thirrjet “Ti je një mi", zoti Lukashenko u takua me zotin Putin në Soçi për të siguruar ndihmën e Kremlinit për të mbajtur pushtetin e tij 26-vjeçar.

Zoti Putin dha pak detaje rreth huasë së re, për të cilën ai tha se Kryeministri Mikhail Mishustin kishte rënë dakord gjatë një vizite të fundit në kryeqytetin bjellorus.

Kremlini më vonë tha se një pjesë e parave do të përdoreshin për të rifinancuar huatë e hershme. Gjatë gati katër orë bisedimesh të dy presidentët kishin rënë dakord gjithashtu për të rritur bashkëpunimin në fushën e tregtisë dhe kishin diskutuar rreth furnizimit me energji elektrike të Bjellorusisë.

"Alexander Grigoryevich Lukashenko është Presidenti legjitim i Bjellorusisë", u tha gazetarëve zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov kur u pyet nëse udhëheqësi i Bjellorusisë e kishte humbur legjitimitetin e tij si rezultat i protestave.

Ndërkohë në Gjenevë, shefja e Këshillit të OKB-së për të Drejtave të Njeriut tha të hënën se akuzat për torturë gjatë protestave kundër rizgjedhjes së zotit Lukashenko, duhet të hetohen. Në fjalën e hapjes në Këshillin e OKB-së për të drejtat e Njeriut Michelle Bachelet tha se "duke pasur parasysh shkallën dhe numrin e tyre, të gjitha akuzat për torturë dhe forma të tjera të keqtrajtimit nga forcat e sigurisë duhet të dokumentohen dhe hetohen, me qëllimin për t'i vënë autorët para drejtësisë". Këshilli njoftoi se do të zhvillojë një debat urgjent mbi dhunën.

Belarus, Minsk, Opposition supporters take part in a rally against police brutality following protests to reject the presidential election results
Belarus, Minsk, Opposition supporters take part in a rally against police brutality following protests to reject the presidential election results

Të paktën 100 mijë qytetarë dolën rrugëve të kryeqytetit Minsk të dielën, në njërën nga demonstratat më të mëdha kundër Presidentit Lukashenko, që nga zgjedhjet e kontestuara të 9 gushtit që ai pretendon se i fitoi ndërsa opozita i quan të manipuluara.

Si pjesë e mbështetjes së saj për Bjellorusinë, Moska ka ofruar dërgimin e njësive speciale të policisë ruse nëse do të jetë e nevojshme.

Policia njoftoi arrestimin e më shumë se 400 protestuesve në Minsk. Të tjera arrestime u bënë gjatë orëve të mbrëmjes.

Ndërsa zemërimi i publikut vazhdon të rritet ndaj zotit Lukashenko, i cili sundon në këtë republikë ish-sovjetike prej 26 vjetësh, Moska i ka ofruar atij mbështetje, duke thënë se do të dërgojë në Bjellorusi trupa parashutiste për stërvitje të përbashkëta me emrin "Vëllazëria Sllave".

Protestuesit thonë se zgjedhjet presidenciale të 9 gushtit u fituan nga Sviatlana Tsikhanouskaya. Që nga ajo kohë udhëheqësit kryesorë të opozitës janë arrestuar ose larguar nga vendi, si zonja Tsikhanouskaya e cila ndodhet në Lituani.

Zoti Lukashenko mohon akuzat për manipulim zgjedhjesh duke akuzuar fuqitë e huaja për nxitje të protestave kundër tij.

Turma e protestuesve marshoi rrugëve të Minskut drejt ndërtesave qeveritare, ndërsa qindra pjesëtarë të njësisë speciale të policisë bllokuan rrugën.

Agjencia ruse e Lajmeve “Interfax” njoftoi për të shtëna në ajër, që protestuesit të mbaheshin larg zonës ku jetojnë udhëheqësit e vendit.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG