Presidenti Donald Trump e dinte që në muajt e parë të 2020-ës se çfarë kërcënimi vdekjeprurës mund të paraqiste për Shtetet e Bashkuara koronavirusi, por me qëllim dha informacion jo të saktë për publikun amerikan dhe seriozitetin e kësaj sëmundjeje, thuhet në një libër të ri të gazetarit, Bob Woodward.
Të enjten Presidenti Trump komentoi në Twitter: “Bob Woodward i kishte regjistruar citimet e mia muaj përpara. Nëse mendonte se bëhej fjalë për diçka kaq të keqe apo të rrezikshme, përse nuk i raportoi menjëherë në përpjekje për të shpëtuar jetë? A nuk e kishte për detyrë? Jo, sepse e dinte se përgjigjet e mia ishin të mira, të përshtatshme. Ruajtja e qetësisë, shmangia e panikut!”
Autori Bob Woodward, i cili është përballur me kritika të gjera për faktin se nuk i bëri publike për muaj me radhë shqetësimet e Presidentit Trump për kërcënimit të koronavirusit, foli të mërkurën me agjencinë e lajmeve Associated Press ku u shpreh se i ishte dashur kohë për të vërtetuar se komentet që kishte shprehur privatisht presidenti ishin të sakta.
Në libër, zoti Woodward citon presidentin se kishte thënë që virusi ishte tepër ngjitës dhe “vdekjeprurës” në një kohë që në publik ai shprehej se nuk ishte virus më i rëndë se gripi. Zoti Woodward intervistoi mbi 10 vetë për librin e ri:
"Kur m’i tha këto gjëra, mendova ‘Sa interesante, por a është e vërtetë?’” thotë autori në bisedë telefonike me Associated Press. Duke përdorur një frazë të famshme nga hetimet e tij mbi skandalin Watergate, ai shton se qëllimi i tij ishte të zbulonte “Çfarë dinte presidenti dhe kur e kishte mësuar këtë informacion?”
Përmes postimeve në Twitter dhe në platforma të tjera dixhitale, komentatorë të ndryshëm shkruajnë se Bob Woodward kishte bërë primare shitjet e librit dhe jo shëndetin publik. “Afro 200,000 amerikanë kanë vdekur sepse as Presidenti Trump, as Bob Woodward nuk donin t’u dëmtoheshin interesat duke informuar popullin,” shkruan Charles P. Pierce i revistës Esquire.
Libri i zotit Woodward bazohet në intervista me presidentin nga dhjetori në korrik. Në intervistën me agjencinë e lajmeve Associated Press, autori thotë se presidenti e kishte marrë në telefon papritur në fillim të shkurtit “për të shfryrë“ për problemet me virusin, në një kohë kur në vend kishte shumë pak raste të diagnostikuara.
Ai shpjegon se në muajin maj ishte bindur se komentet e presidentit bazoheshin në informacion real dhe se ishte e qartë që virusi ishte përhapur në të gjithë vendin.
Në atë kohë, thotë Woodward, ishte bërë e qartë për të gjithë sa i rrezikshëm ishte ky problem, prandaj synimi i tij u bë publikimi i librit para zgjedhjeve.
I pyetur përse nuk ia kaloi disa nga komentet e presidentit një kolegu në gazetën Washington Post për të bërë një shkrim investigative më herët, Woodward thotë se ai vetë ishte “në atë kohë në kontakt me disa burime shumë të rëndësishme”.
"A mund të kisha angazhuar dikë tjetër që të bënte gjëra që nuk mund t’i bëja unë? Unë vetë isha në gjurmim të ngjarjeve kur shpërtheu pandemia”.
Facebook Forum