Lidhje

Replika mes presidentit Trump dhe kryetarit të bashkisë së Portlandit pas vrasjes në protestë


A man is being treated after being shot Saturday, Aug. 29, 2020, in Portland, Ore. Fights broke out in downtown Portland Saturday night as a large caravan of supporters of President Donald Trump drove through the city, clashing with counter…
A man is being treated after being shot Saturday, Aug. 29, 2020, in Portland, Ore. Fights broke out in downtown Portland Saturday night as a large caravan of supporters of President Donald Trump drove through the city, clashing with counter…

PresidentiDonald Trump shkëmbeu replika të dielën me kryetarin e bashkisë së qytetit të Portlandit në shtetin e Oregonit, më pak se 24 orë pasi një person mbeti i vrarë ndërsa protestuesit e lëvizjes Black Lives Matter (Jetët e Afrikano-Amerikanëve Kanë Vlerë) dhe mbështetësit e Trump-it u përleshën në rrugët e qytetit.

Në një konferencë për shtyp të dielën pasdite, kryetari i bashkisë së Portlandit, Ted Wheeler u kërkoi protestuesve që të mos kalojnë në akte të dhunshme apo të kërkojnë hakmarrje pas incidentit vdekjeprurës të së shtunës në mbrëmje.

Presidenti, mesa duket duke e ndjekur transmetimin e konferencës, shprehu kritikën e tij në Twitter.

Pasi presidenti Trump e quajti zotin Wheeler, një demokrat “budalla” dhe e fajësoi atë për “vdekjen dhe shkatërrimin e madh” në qytetin liberal. Wheeler, i cili dukej qartë i revoltuar, iu drejtua kamerave me një mesazh për presidentin, duke i quajtur komentet e tij "klasike të stilit Trump".

“Je përpjekur të na ndash më shumë se çdo figurë tjetër në historinë moderne dhe tani kërkon që unë të ndal dhunën që ti e nxite”, tha zoti Wheeler. "Amerikës i duhet që ju të ndaleni që të mund të bashkohemi përsëri në këtë vend".

Kryetari i bashkisë vazhdoi më tej, duke përmendur ato që ai tha se ishin komente seksiste të Trump-it për gratë e deri tek “sulmet raciste mbi afrikano-amerikanët”.

Javën e kaluar, ndërsa pranoi emërimin e partisë republikane për president, Presidenti Trump përmendi qytetin Portland si një shembull të së ardhmes së frikshme që amerikanët mund të presin nëse kundërshtari i tij, ish-nënpresidenti Joe Biden, fiton zgjedhjet e 3 nëntorit.

Votuesit "nuk do të jenë të sigurtë në Amerikën e Joe Biden-it", tha presidenti.

Biden ka në plan të përgjigjet me një fjalim të hënën në Pensilvani që fushata e tij tha se do të përqëndrohet në pyetjen: "A jeni të sigurtë në Amerikën e Donald Trump-it?"

Zoti Biden i tha kanalit MSNBC javën e kaluar se presidenti Trump e shikon dhunën në rrugë "si një përfitim politik për të. Ai po bën thirrje për më shumë dhunë, jo më pak". Pati më shumë protesta të dielën, përfshirë një demonstrim gjatë natës në një ndërtesë të përdorur nga policia.

Në tubimin e së shtunës u grumbulluan qindra automjete me mbështetësit e presidentit Trump në Portland. Disa prej tyre qëlluan me shënjestrues me ngjyra nga kamionët e tyre tek njerëzit në rrugë, ndërsa protestuesit i qëlluan me mjete rrethanore.

Në një deklaratë të policisë thuhet se oficerët kishin dëgjuar të shtëna me armë të shtunën në mbrëmje dhe gjetën një protestues të bardhë të vdekur nga një plagë me armë në gjoks. Dëshmitarët thanë se viktima kishte një kapele me mbishkrimin “Lutje e Patriotëve”, një grup i ekstremit të djathtë me qendër në shtetin e Uashingtonit që është përleshur edhe më parë me protestuesit.

Policia po kërkon informacion nga dëshmitarët e mundshëm.

Duke cituar burime në dijeni të rastit, gazeta The Oregonian, tha se policia po heton një 48-vjeçar i cili është vet-identifikuar si anti-fashist dhe ka postuar në mediat sociale për pjesëmarrje në protestat e Portlandit gjatë muajve të fundit.

Një zyrtar i lartë i administratës Trump, ushtrues i detyrës së Sekretarit të Sigurisë Kombëtare Chad Wolf, fajësoi në një emision televiziv zyrtarët shtetërorë dhe lokalë për dhunën e zgjeruar në Portland që "nuk lejuan forcat e zbatimit të ligjit të bënin punët e tyre". “Dhuna duhet të marrë fund” tha zoti Wolf. Ai tha se qeveria federale vazhdon të ofrojë ndihmë për forcat e rendit në Portland përtej dërgimit të mëparshëm të trupave që më pas u tërhoqën.

"Ata vazhdojnë të refuzojnë ndihmën federale për t'i dhënë fund kësaj dhune", tha zoti Wolf për zyrtarët e shtetit të Oregonit dhe qytetit të Portlandit. Në Portland, tha ai "shihni saktësisht se çfarë ndodh po të mos mbrosh qytetin tënd". “Mesazhi im për këdo që proteston është: Ju lutem protestoni paqësisht", tha zoti Wolf.

Presidenti Trump rishpërndau në Twitter një video që tregon karvanin e makinave të përkrahësve të tij që kalon përmes Portlandit duke i quajtur “Patriotë të Mëdhenj”. Në një emission televiziv, zoti Wolf kundërshtoi interpretimin se duke vlerësuar karvanin e makinave, presidenti Trump po shton tensionet.

“Absolutisht jo”, tha zoti Wolf.

Vrasja me armë në Portland është incidenti i fundit gjatë trazirave racore në të gjithë Shtetet e Bashkuara. Amerikanët janë hedhur në protesta ndaj padrejtësive racore dhe abuzimit policor të pakicave që pas vdekjes më 25 maj të afrikano-amerikanit George Floyd, ndërsa ishte në arrest policor në qytetin Mineapolis të shtetit të Minesotës.

Presidenti Trump të martën do të vizitojë një nga këto qytete, Kenosha, në shtetit e Uiskonsinit, edhe pse guvernatori i këtij shteti, Toni Evers i ka kërkuar që të mos shkojë.

Më 23 gusht, një oficer policie i bardhë qëlloi afrikano-amerikanin Jacob Blake, shtatë herë në shpinë, ndërsa përpiqej ta arrestonte në lidhje me një zënkë në familje, duke shkaktuar disa netë protestash, në njërën prej të cilave dy persona u qëlluan për vdekje dhe një tjetër u plagos.

Një ditë më vonë, Kyle Rittenhouse, një 17-vjeçar i bardhë, banor në shtetin fqinj të Illinoit, i cili tha se ishte në Kenosha për të mbrojtur bizneset gjatë protestave në rrugë, u akuzua për vrasjet.

"Rrethanat e kësaj ngjarje janë ende duke u hetuar", tha zoti Wolf.

Sekretari në detyrë i Departamentit të Sigurisë Kombëtare u bëri thirrje zyrtarëve vendorë që "të ndërmarrin veprime" për të shuar dhunën në rrugë.

"Ju mund ta ndaloni këtë", tha ai. "Qeveria federale do t’u sigurojë ndihmë".

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG