Tridhjetë vite pas rrëzimit të komunizmit në Shqipëri në fshatin Fishtë të Lezhës, po punohet për restaurimin e shtëpisë, ku poeti i shquar Gjergj Fishta kaloi një pjesë të jetës së tij. Megjithëse me shumë vonesë, thonë studiuesit, ky është një lajm i mirë, por që duhet të pasohet me restaurimin edhe të objekteve të tjera me vlerë, ku jetuan dhe punuan Fishta e françeskanë të tjerë të shquar.
Pas një periudhe të gjatë pritjeje, gati 30 vjeçare, në fshatin Fishtë të Lezhës po punohet për restaurimin e shtëpisë, të shpallur Monument Kulture, ku poeti kombëtar At Gjergj Fishta kaloi një periudhë të jetës së tij. Punimet janë në fazën përfundimtare dhe ato po realizohen nga kompania “4 A-M”, e cila është edhe financuesja e projektit. Përgjegjësi i trashëgimsie kulturore për Lezhën, Paulin Zefi, thotë se punimet kanë ecur me ritme të shpejta dhe se pritet të përfundojnë brenda dy javëve të ardhshme.
"Fishta, i cili meriton një respekt të jashtëzakonshëm nga të gjithë ne, është lënë pak pas doret duke nisë nga ky objekt. Por, unë mendoj se me ndërtimin e këtij objekti, Fishtën deri diku, jo plotësisht, e kemi nderu figurën e tij, pra detyrimin moral që kemi ndaj Gjergj Fishtës. Unë mund të them se respekti për Fishtën mund të finalizohet vetëm pasi të mbarojë ky objekt dhe te nisë ndërtimi i një muzeu në trojet ku ka lindur Fishta. Shpresoj që konflikti i pronësisë, që është atje, të zgjidhet sa më shpejt dhe të ndërhyhet edhe atje me ndërtimin e një muzeut, qoftë muze për Fishtëm, qoftë edhe si një muze per zonën e Zadrimës".
Për botuesin e veprës së Fishtës, studiuesin Frano Kulli, restaurimi i shtëpisë së Fishtës është një lajm i mirë, por ky është vetëm hap i parë pasi shtëpia ka nevojë të plotsohet me dëshmi nga jeta dhe vepra e shkrimtarit të shquar, për ta shndërruar atë në një qendër të vizitueshme për adhuruesit, studiuesit, por edhe vizitorët e përditshëm të zonës së pasur të Zadrimës.
"Nuk është vlera arkitekturore që përbën thelbësoren në rikonstruksionin e kësaj shtëpie, por është pjesa që lidhet me shtëpinë e poetit, shkrimtarit, politologut,Fishtës me të gjithë dimensionin poliedrik të kësaj figure. Dhe, në këtë kuptim, sa dhe si do të jetë e mundur që kjo shtëpi të kthehet në një atraksion, që kjo shtëpi të vizitohet, të jetë pikëtakimi me poetin, shkrimtarin, kulturologun, politikanin".
Edhe studiuesi dom Nikë Ukgjini vlerëson si hap të domosdoshëm restaurimin e shtëpisë së At Gjergj Fishtës, por ai shton se Fishta gjatë jetës së tij ka banuar në disa objekte, të cilat duhet të restaurohen dhe të bëhen të vizitueshme. Është koha, thotë studiuesi Ukgjini që, përmes Fishtës, të nderohen edhe françeskanët e tjerë të mëdhej, që lanë gjurnë në kulturën kombëtare.
"Gjithë këto koka françeskane, së bashku me Fishtën, nektarin e diturisë e kanë marrë në Kuvendin e Troshanit. Dhe atje është një ambient i përshtatshëm, me hapsirë të madhe, ku do të ishin nderuar të gjithë këto përsonalitete dhe, në mënyrë të veçantë, mësuesi i At Gjergj Fishtës që ka qenë Leonardo De Martino. Dhe unë mendoj që, përveç këtyre shtigjeve që janë konceptuar nga Ministria e Kulturës, të përqendrohemi ndoshta atje, sepse kushtet janë ma të volitshme. Mandej, asht edhe kuvendi i vjetër dhe mund të bahet nje muze për këto figura, apo një memorial".
Vitin e kaluar, Ministria e Kulturës prezantoi projektin “Itenarari fishtian”, një nisëm për njohjen dhe vlerësimin e jetës dhe veprës së Fishtës përmes vendeve ku ai ka shkelur, një itenerar ky sa fizik, aq edhe shpirtëror dhe që synon të shndërrohet në pjesë të turizmit kulturor.
Facebook Forum