Presidenti rus Vladimir Putin tha të enjten se Kremlini ka krijuar një "forcë policore rezervë" për të mbështetur udhëheqësin bjellorus Aleksandër Lukashenko, por shtoi se ajo do të dislokohej vetëm nëse trazirat dalin jashtë kontrollit, njoftoi agjensia e lajmeve “Interfax”.
Komentet janë sinjali më i fortë që Kremlini ka dhënë deri tani se është i gatshëm të përdorë forcën në Bjellorusi nëse do të jetë e nevojshme. Bjellorusia është aleatja më e ngushtë e Rusisë mes shteteve ish-sovjetike.
Komentet shkaktuan reagimin e fqinjës së Bjellorusisë, anëtares së NATO-s, Polonisë, e cila i kërkoi Moskës të heqë dorë nga çdo plan i tillë për ndërhyrje.
"Ne kemi sigurisht disa detyrime ndaj Bjellorusisë dhe pyetja e ngritur nga Lukashenkoja ishte nëse do t’i jepnim atij ndihmën e nevojshme", u shpreh zoti Putin. "I thashë atij që Rusia do t'i përmbushë të gjitha detyrimet e saj. Alexander Grigorivich (Lukashenko) më kërkoi të krijoja një forcë policore rezervë dhe unë e bëra këtë. Por ne u pajtuam që ajo do të përdoret vetëm nëse situata del jashtë kontrollit", shtoi ai.
Kryeministri polak Mateusz Morawiecki reagoi menjëherë. Ai shkruante në Twitter se Polonia "i kërkon Rusisë që të tërhiqet menjëherë nga planet për ndërhyrje ushtarake në Bjellorusi, nën justifikimin e rremë të 'rivendosjes së kontrollit' - një veprim armiqësor, në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar dhe të drejtat e njeriut të popullit bjellorus, i cili duhet të jetë i lirë të vendosë vetë për fatin e tij”, shkruante Kryeministri Morawiecki.
Polonia thirri gjithashtu ambasadorin bjellorus për të sqaruar ato që Varshava i quajti akuza të rreme se ajo kishte synime ndaj territorit të Bjellorusisë.
Reagimi i ambasadorit polak në Uashington
Më herët përpara këtij zhvillimi Ambasadori polak në Uashington i bëri thirrje Rusisë të shmangë çdo veprim të njëanshëm, për t'i dhënë fund një vale protestash kundër Presidentit bjellorus Aleksandër Lukashenko. Ai thotë se kriza mund të trajtohet më së miri nga një përpjekje e përbashkët e bashkësisë ndërkombëtare.
"Nuk ka dyshim se Rusia po shqyrton skenarë të ndryshëm në Bjellorusi", tha Ambasadori Piotr Wilczek për "Zërin e Amerikës", si përgjigje ndaj pyetjes se në çfarë rrethanash mendonte ai se Moska mund ta përdorë forcën ushtarake për të mbështetur aleatin e saj të dikurshëm Aleksandër Lukashenkon.
"Shpresojmë që Moska të bashkohet me përpjekjet e bashkësisë ndërkombëtare për të zgjidhur paqësisht këtë krizë, duke përfshirë OSBE-në (Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë), e të mos ndërmarrë veprime të njëanshme. Sidoqoftë, qëllimet afatgjata të Perëndimit dhe Rusisë ndaj Bjellorusisë ndryshojnë", tha ai.
Dhjetëra mijëra bjellorusë kanë protestuar çdo ditë që kur presidenti Lukashenko fitoi një mandat të ri në një proces të zhvilluar më 9 gusht, për të cilin shumë besojnë se ishte një manipulim i madh i zgjedhjeve. Në shumë raste protestuesit janë rrahur nga policia e cila gjithashtu i ka qëlluar ata me gaz lotsjellës dhe granata flakëruse. Rreth 200 mijë persona kanë marshuar në kryeqytetin e vendit Minsk, gjatë dy të dielave të fundit.
Presidenti Lukashenko është cituar të ketë thënë se ka marrë një premtim për ndihmë nga Presidenti rus Vladimir Putin për të garantuar sigurinë në vend nëse do të jetë e nevojshme. Udhëheqësi rus ka dëshiruar prej kohësh të bashkojë dy vendet, dikur pjesë e ish-Bashkimit Sovjetik.
Ndërsa Perëndimi po përpiqet për një Bjellorusi më demokratike, zoti Wilczek shprehet në një përgjigje me shkrim për "Zërin e Amerikës" se përparësi e Rusisë mbetet sigurimi i garancive për integrimin e mëtejshëm të dy vendeve si dhe respektimi i interesave të veta afatgjata. Një nga këto interesa, sipas analistit George Friedman, është që ta mbajë Bjellorusinë si një "mburojë" kundër Perëndimit.
“Rusia nuk ka luksin të humbasë Bjellorusinë pas humbjes së Baltikut dhe Ukrainës", thotë zoti Friedman, themelues dhe shef i së “Ardhmes Gjeopolitike”, një kompani që merret me parashikimin e rrjedhës së sistemit ndërkombëtar. Ai vë në dukje se kufiri lindor i Bjellorusisë futet thellë në Rusi.
Gjatë një intervistë telefonike zoti Friedman thotë se nëse rusët do të posicionoheshin në kufirin perëndimor të Bjellorusisë përballë Polonisë, kjo do të krijonte një situatë të patolerueshme për Varshavën dhe aleatët e saj evropianë dhe amerikanë. Zoti Friedman thotë se si Moska ashtu edhe Uashingtoni deri më tani nuk kanë qenë të interesuar për një përballje në Bjellorusi, duke i dhënë mundësi zoti Lukashenko të ruajë statusin e Bjellorusisë si një shtet disi neutral që ka shmangur konfliktin. Nëse presidenti Lukashenko do të detyrohej të largohej nga pushteti, thotë ai, kjo mund të krijojë një vakum në kushtet e mungesës së udhëheqjes së qartë në mesin e opozitës.
Por Ian Brzezinski, ish-ndihmës i sekretarit të Mbrojtjes për Evropën dhe politikën e NATO-s në qeverinë amerikane, nuk pajtohet me këtë qëndrim, duke argumentuar se koha për shtetet “mburojë” ka kaluar prej shumë kohësh siç thotë ai.
Zoti Brzezinski është aktualisht bashkëpunëtor i lartë në Këshillin e Atlantikut. Ai thotë se tashmë egziston momenti për ndryshim dhe se nuk ka asnjë arsye pse Bjellorusia të mos shënojë sukses në kalimin në demokraci siç kanë bërë shtetet e tjera të Evropës Lindore dhe Baltikut.
Ai gjithashtu tërhoqi vëmendjen drejt Sviatlana Tsikhanouskaya-s, si një alternativë e mundshme për të udhëhequr vendin. Ajo u largua nga vendi pas shpalljes së rezultatit të zgjedhjeve që nxorri fitues zotin Lukashenko. Zoti Brzezinski beson se ka më pak rrezik për Vladimir Putinin që ta lejojë Bjellorusisë "të vazhdojë në rrugën e saj" sesa në rastin e një ndërhyrjeje agresive, që sipas tij, jo vetëm që mund ta zemërojë e ta izolojë publikun bjellorus, por që mund t’i shkaktojë sfida të reja të brendshme pushtetit të tij në Rusi.
Kurt Volker, ish-ambasadori amerikan në NATO dhe përfaqësuesi i posaçëm për negociatat në Ukrainë, pajtohet me zotin Friedman se as Kremlini dhe as Perëndimi nuk janë në humor për luftë. Ai mendon se zoti Putin do të shmangë dislokimin e trupave nëse mundet, por siç shton, kjo nuk do të thotë se ai (Putini) nuk do të ndërhyjë me mjete të tjera "përfshirë drejtimin e shërbimeve të sigurisë në Bjellorusi".
"Përjashtuar rastin nëse Lukashenko ia del të vazhdojë të qëndrojë në pushtet, ose Putini mund të menaxhojë disi një tranzicion drejt një regjimi tjetër autoritar, e marr me mend se ai do të nervozohet shumë mbi rrjedhën e ngjarjeve në Bjellorusi", thotë Hal Brands, profesor i çështjeve globale në shkollën Johns Hopkins për Studime të Avancuara Ndërkombëtare (SAIS).
Ambasadori polak Wilczek, thotë se kundërshtarët e zotit Lukashenko "ende nuk kanë ndonjë udhëheqës të qartë ose me përvojë politike që mund të formulojë një plan të qartë veprimi".
Por ai shton se "ajo që është mjaft e dukshme pas protestave paqësore është se bjellorusët dëshirojnë ta përcaktojnë vetë kursin për vendin e tyre, se kanë uri për një Bjellorusi sovrane e të pavarur”, siç thotë ai.
Në një intervistë për rrjetin televiziv "Fox News" këtë javë, zonja Tsikhanouskaya e përmblodhi në një fjali valën e ndryshimit në vendin e saj: "Ne nuk jemi më opozitë, ne jemi shumica", tha ajo.