Lidhje

Tiranë: Qeveria shqiptare reagon pas deklaratave të qeverisë greke mbi zgjerimin e kufijve detarë


Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, tha të mërkurën në një reagim të saj për Zërin e Amerikës, se zgjerimi i kufirit detar të Greqisë nuk ka të bëjë me kufirin ujor shqiptaro-grek.

Reagimi i autoriteteve shqiptare pasoi deklaratën e bërë të mërkurën në parlament nga Kryeministri i Greqisë Kyriakos Mitsotakis se qeveria e tij do të paraqesë një projektligj, për të shtyrë kufirin perëndimor të ujërave territorialë në Detin Jon nga 6 në 12 milje detare. Zoti Mitsotakis po ashtu deklaroi se Ministri i Jashtëm grek Nikos Dendias kishte vënë në dijeni edhe homologët e tij italian dhe shqiptar.

Ministria e Jashtme e Shqipërisë iu përgjigj interesimit të “Zërit të Amerikës” për këtë temë, duke thënë se “lidhur me deklaratat për zgjerimin së shpejti të gjërësisë së Detit Territorial të Greqisë nga 6 në 12 milje detare, theksojmë se kjo është një çështje që rregullohet nga e drejta ndërkombëtare dhe konkretisht nga Konventa e së Drejtës së Detit (UNCLOS) e Montego Bay e vitit 1982”.

Për të lexuar reagimin e plotë MEPJ klikoni këtu

Ministria e Jashtme shprehet se "Shqipëria dhe Greqia, si shtete fqinje që ndajnë zona detare, janë tashmë të angazhuara për arritjen e një marrëveshje të re në frymën e mirëkuptimit dhe interesit reciprok, bazuar në parimet dhe normat e së drejtës së detit, praktikën ndërkombëtare, si dhe duke respektuar dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese”.

Në reagimin e saj për VOA, Ministria e Jashtme shton se "Greqia, ashtu si çdo shtet tjetër palë e konventës, aty ku e lejon gjeografia dhe për sa kohë që nuk cënohen të drejtat sovrane të një shteti tjetër, gëzon të drejtën që të zgjerojë gjerësinë e Detit Territorial sipas parashikimeve të UNCLOS".


Shqipëria dhe Greqia po diskutojnë gjatë vitet e fundit mbi përcaktimin e kufijve detarë midis tyre. Një marrëveshje e mapërshme mes dy qeverive u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë dhe bisedimet nisën nga fillimi me grupe të reja negociatore.

Në një mesazh në Twitter të martën, Ministri i Jashtëm grek Niko Dendias, shkruante se kishte folur në telefon me Kryeministrin Edi Rama lidhur me marrëdhëniet dypalëshe dhe zhvillimet në rajon.

Ministri i Jashtëm i Greqisë pritet do të shkojë së shpejti në Tiranë për bisedime me homologun e tij shqiptar.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG