Ish Nënpresidenti Joe Biden pranoi zyrtarisht të enjten mbrëma emërimin e partisë demokrate si kandidat presidencial duke përmbyllur një kuvend virtual katër-ditorë - i pari i këtij lloji për shkak të pandemisë së koronavirusit. Në një ngjarje të gërshetuar me fjalime të regjistruara dhe të drejtpërdrejta, demokratët theksuan unitetin mes tyre dhe synimin thelbësor për të mposhtur Presidentin Donald Trump në nëntor. Ndërsa demokratët përfunduan javën e tyre në qendër të vëmendjes, fokusi jzhvendoset tani tek partia republikane.
Një moment festimi….ndërsa kandidatët e Partisë Demokrate për president dhe nënpresidente qëndruan për herë të parë së bashku. Vetëm disa çaste pasi Joe Biden-i parashtroi në fjalimin e tij, zgjedhjen me të cilën ai beson se përballen votuesit.
“Amerika është në një pikë kthese. Në një kohë rreziku të vërtetë, por edhe mundësish të jashtëzakonshme. Ne mund të zgjedhim rrugën për t’u bërë më të zemëruar, më pak shpresëdhënës, më të përçarë, një rrugë hije dhe dyshimi, ose, mund të zgjedhim një rrugë ndryshe dhe së bashku, të shfrytëzojmë këtë shans për t’u bërë më mirë, për t’u reformuar, për t’u bashkuar, duke ndjekur një rrugë shprese dhe drite", tha zoti Biden.
Biden-i argumentoi se do të ofronte udhëheqje gjatë pandemisë së koronavirusit që sipas tij, mungon nën presidencën aktuale.
"U pa dëshira për t'u ngritur mbi politikën partiake dhe kjo ishte e dukshme pasi Bideni nuk e përmendi presidentin aktual - ai qëndroi larg emrit të Presidentit Trump sepse donte të fliste për zyrën e presidentit dhe të nxirrte në pah rëndësinë e këtij institucioni", thotë analistja e Universitetit Xhorxh Uashington, Lara Brown.
Në katër netët e kuvendit virtual, demokratët theksuan një argument thelbësor - një parti shumë e larmishme që shpesh ka një gamë të gjerë idesh, duhet të bashkohet për të mposhtur Donald Trumpin. Ish Presidenti Barack Obama argumentoi se Trumpi nuk i ka përballuar me sukses sfidat e presidencës ...
“Ai nuk ka treguar interes për të punuar”, tha ish presidenti Obama.
Por duke iu përgjigjur drejtpërdrejtë zotit Biden të premten, presidenti Trump tha se vendi duhet të ruajë udhëheqjen e tij.
"Nëse kundërshtarët tanë fitojnë, askush nuk do të jetë i sigurt në vendin tonë. Unë jam e vetmja gjë që qëndroj mes ëndrrës amerikane dhe anarkisë totale, çmendurisë dhe kaosit", tha presidenti Trump.
Kuvendi Kombëtar Republikan javën e ardhshme ka të ngjarë të duket shumë ndryshe, me më shumë fjalime të drejtpërdrejta dhe Trumpin që do ta pranojë emërimin nga Shtëpia e Bardhë.
“Presidenti do të përpiqet ta përshkruajë ish nënpresidentin Biden si pjesë të kënetës së Uashingtonit”, thotë analistja Lara Brown.
Republikanët ndryshuan planet për një kuvend virtual shumë më vonë sesa demokratët – analistët thonë se kjo do të ndryshojë tonin e prezantimit të tyre.
"Sfida për republikanët javën e ardhshme është që të lidhen në një mënyrë domethënëse - jo thjesht duke bërë një fushatë negative", thotë analistja Molly ORourke në Universitetin Amerikan.
Kuvendi republikan fillon të hënën me thirrjen e delegatëve në Sharlot të Karolinës së Veriut.
Facebook Forum