Lidhje

Haradinaj-Stublla: SHBA duhet të ketë rol udhëheqës në procesin Kosovë-Serbi


Intervistë me Ministren e Jashtme të Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla
please wait

No media source currently available

0:00 0:06:40 0:00

Ministrja e Jashtme e Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla thotë për Zërin e Amerikës, se vendi i saj ka nevojë që Shtetet e Bashkuara të kenë një rol udhëheqës në dialogun me Serbinë dhe për një marrëveshje mes dy vendeve. Zonja Haradinaj-Stublla, u takua në Uashington me të dërguarin e posaçëm për Ballkanin në Departamentin e Shtetit, Matthew Palmer dhe me zyrtarë të Këshillit të Sigurisë Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë. Kolegia Keida Kostreci bisedoi me ministren Haradinaj – Stublla, e cila ishte në vizitën e saj të parë në SHBA.

Intervistë me Ministren e Jashtme të Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla
please wait

No media source currently available

0:00 0:06:40 0:00

Zëri i Amerikës: Zonja ministre, ju ndodheni këtu në Uashington disa ditë para takimit në Shtëpinë e Bardhë. Cilat janë pritshmëritë e Kosovës për këtë takim?

Meliza Haradinaj – Stublla: Është vizita e parë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës si Ministre e Punëvet ë Jashtme dhe erdha këtu që të riafirmojmë lidhjen e fortë që Kosova ka me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, partneritetin e fortë ndër dekada, prandaj edhe në këtë udhëkryq politik në të cilin gjindet Kosova aktualisht, është i rëndësisë së veçantë specifikisht sepse Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë fokusin dhe vëmendjen në Ballkan, posaçërisht në Kosovë, në arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare me Serbinë. Kjo është e rëndësisë së veçantë jo vetëm për Kosovën dhe Serbinë por për gjithë rajonin sepse mbyllet një kapitull me mjaft paqartësi që ka qenë deri tani dhe ne shpresojmë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës, do të jenë partneri ynë që këtë dialog ta orientojmë drejt qartësisë së re, drejt dinamikës së re, në mënyrë që Kosova dhe Serbia përfundimisht të arrijnë një marrëveshje reciproke e cila konsiston në një njohje të ndërsjellë në kufijtë ekzistues duke ruajtur karakterin unitar dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës.

Zëri i Amerikës: A krijuat një ide nga qëndrimi këtu lidhur me pikëpamjet e organizatorëve, mikpritësve këtu në Uashington?

Meliza Haradinaj – Stublla: Ende janë në periudhën e parapërgatitjes. Ne kishim një takim edhe me përfaqësuesit e Këshillit Kombëtar për Sigurinë, me të cilët edhe diskutuam për formatin dhe për temat që planifikojnë ata që t’i trajtojnë.

Zëri i Amerikës: Pas takimit këtu në Shtetet e Bashkuara, do të jetë një takim në Bruskel. Si bashkëjetojnë këto dy procese?

Meliza Haradinaj – Stublla: Në fakt ne e mirëpresim vëmendjen e shtuar të aleatëve tanë, mirëpo përfundimisht kemi nevojë si Kosovë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës të kenë lidership në arritjen e marrëveshjes ndërkombëtare mes Kosovës dhe Serbisë. Ne kemi dialoguar me Serbinë për një kohë shumë të gjatë, kemi disa marrëveshje teknike që kanë tentuar t’i zgjidhin çështjet e hapura me Serbinë, por nuk e kemi marrëveshjen përfundimtare endedhe siç e dini me Serbinë jemi në një moment mjaft kritik sepse ata udhëheqin që fushatë agresive kundër Kosovës, udhëheqin një fushatë për shnjohje, që është fushatë ilegale, sepse ne kemi një vendim të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila e legjitimon pavarësinë e Kosovës, ndërsa edhe Serbia duhet ta pranojë këtë vendim dhe ta pranojë realitetin politik dhe ligjor që është në Kosovë, andaj kjo fushatë duhet të ndalet dhe duhet të ulemi bashkë në dialog, ashtu siç Kosova është përkushtuar ta arrijë marrëveshjen finale, ashtu shpresojmë që edhe Serbia do duhej të tregojë një konstruktivitet përfundimisht tani, që të arrijmë marrëveshjen finale dhe të ecim përpara drejt orientimit euro-atlantik.

Zëri i Amerikës: Në fakt ishte thënë pikërisht që Serbia duhet ta ndalte këtë fushatë, si edhe Kosova të ndalte përpjekjet për njohje të mëtejshme dhe për anëtarësim në organizata ndërkombëtare. A po thoni ju që Beogradi nuk i është përmbajtur kësaj?

Meliza Haradinaj – Stublla: Beogradi jo që nuk i është përmbajtur tani, por nuk i është përmbajtur asnjëherë. Ata gjithmonë kanë arritur marrëveshje të cilat nuk i kanë respektuar, kanë bërë zotime të cilave nuk u janë vënë prapa për t’i implementuar, andaj kjo nuk është hera e parë dhe ne nuk presim mirëbesim apo mirëkuptim nga ana e Serbisë sepse dialogojmë me ta për më shumë se dy dekada dhe nuk kanë treguar konstruktivitet asnjëherë. As për çështjen e të zhdukurve, e cila është çështje që preksecilën familje në Kosovë, nuk kanë kërkuar falje për krimet gjenocidale që kanë bërë. Ndërsa Kosova në vazhdimësi ka treguar një konstruktivitet, ka bërë kompromise dhe tani është koha e Serbisë për të bërë kompromisin e duhur, në mënyrë që t’ia sigurojë vetes orientimet dhe rrugën evropiane.

Zëri i Amerikës: Nga mënyra se si po e përshkruani ju atëherë a ka vend për optimizëm siç është shprehur qeveria e Kosovës, siç po shpreheni dhe ju për këtë fazë ku jemi, për sukses të këtyre bisedimeve nëqoftëse Serbia nuk ka ndryshuar qëndrim?

Meliza Haradinaj – Stublla: Përderisa e kemi një president serb që është nga radhët e ish-kasapit të Ballkanit, Millosheviçit, ne nuk do të presim shumë konstruktivitet. Do të ishte naivitet për ne nëse presim konstruktivitet të tillë nga pala që udhëheq Serbinë, nga autoritetet e Serbisë tani. Mirëpo ne kemi shpresë në palën amerikane, si udhëheqës, si facilitues i këtij dialogu, në mënyrë që të vërë drejtësinë e munguar në këtë raport, të udhëheqë dialogun në drejtimin e duhur dhe përfundimisht të kemi paqen e qëndrueshme dhe stabilitetin e nevojshëm politik në Ballkan, në mënyrë që edhe Ballkani të integrohet në strukturat euro-atlantike aty ku aspiron dhe Kosova specifikisht, sepse ne jemi një shtet me aspirata të paalternativë euro-atlantike.

Zëri i Amerikës: Po Kosova, çfarë lëshimi është a gatshme të bëjë në këtë proces. A është e gatshme të bëjë lëshim?

Meliza Haradinaj – Stublla: Ne si qeveri e Kosovës, kemi dakorduar parimet mbi të cilat do të dialogojmë dhe ato janë respektimi i integritetit territorial të Kosovës,respektimi i karakterit unitar të shtetit tonë dhe të rendit kushtetues të shpallur me 17 shkurt 2008. Ky është një projekt i përhershëm mbi të cilin Kosova nuk do të dialogojë dhe besoj se këtu kemi unitetin e plotë jo vetëm të partnerëve të koalicionit, por edhe të opozitës dhe të spektrit të gjerë politik, në mënyrë që Kosova të ecë përpara në këtë pikë dhe të arrijë marrëveshjen reciproke në kufijtë ekzistues, duke respektuar këto parime.

Zëri i Amerikës: Procesi i Brukselit, u kthye në një farë problemi, “mollë sherri” në koaliconin tuaj, sepse partia juaj ishte e pakënaqur me mënyrën se si i udhëhoqi kryeministri këto bisedime. Si qendron situata tani, është kapërcyer? Cilat ishin pakënaqësitë konkrete?

Meliza Haradinaj – Stublla: Ne e kemi një platformë dhe parimet e dakorduara qysh në kohën para formimit të qeverisë së re, andaj ne i kemi besuar kryeministrit Hoti në këto parime dhe në këtë platformë, andaj vazhdojmë t’i besojmë po të njejtës, po ashtu duke deleguar edhe personin tonë specifik, Ministrin e Drejtësisë Selim Selimi, që të jetë përfaqësues i partisë sonë, si partner i dytë i koalicionit në këtë ekip dialogues. Ky është një process shumë i rëndësishëm që nuk i takon një partie politike dhe duhet unitet dhe një konsensus më të gjerë në mënyrë që të ecim përpara. Jemi dëshmitarë që kjo në të kaluarën ka munguar dhe po ashtu e njëjta është reflektuar edhe në implementimin e këtyre marrëveshjeve, sepse nëse do të kemi potencialisht një marrëveshje finale, ajo do duhej të votohej në parlament dhe aty do të duhej një konsensus shumë më i gjerë sesa i ka numrat kjo qeveri në këtë koalicion. Prandaj do duhet edhe përkrahja e opozitës dhe e partnerëve të tjerë politikë, brenda spektrit të gjerë politik të Kosovës në mënyrë që të ecim përpara dhe të kemi legjitimitetin e duhur edhe parlamentar, në mënyrë që të ecim përpara me implementimin e kësaj marrëveshjeje.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG