Shumë amerikanë janë të shqetësuar për mbarëvajtjen e votimeve pasi kanë në plan të votojnë me postë si rezultat i koronavirusit. Pjesëmarrja në votimet me postë pritet të arrijë shifra rekord.
Demokratët në Kongres thonë se ndryshimet e kohëve të fundit në Shërbimin Postar amerikan mund të bëhen pengesë për numërimin në kohë të votave të dërguara me postë dhe kanë ngritur shqetësimin se mund të ketë përpjekje të qëllimta për të penguar të drejtën e votës. Një analizë e reagimit të Kongresit shpjegon se si po diskutohet kjo temë në skenën kombëtare:
Përse Dhoma e Përfaqësuesve po zhvillon një votim urgjent mbi shërbimin postar?
Kryetarja demokrate e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi organizoi një seancë emergjente të dhomës që kryeson, për të sjellë të shtunën në Uashington ligjvënësit, të cilët janë në shtetet përkatëse me pushimet e sezonit.
Dhoma e Përfaqësuesve do të votojë për një projektligj që ofron 25 miliardë dollarë për të mbështetur operacionet postare dhe aftësinë e shërbimit postar për të përballuar shtimin e vëllimit të postës.
Shërbimi Postar është një agjenci e pavarur e qeverisë federale që dërgon afro 150 milionë letra e pako në vit. Gjatë viteve të fundit, shërbimi postar ka pasur humbje të të hyrave dhe rënie të vëllimit të punës, si rezultat i shtimit të aktivitetit në internet.
Përse situata konsiderohet urgjente në këto momente?
Demokratët në Kongres shqetësohen se fletëvotimet e dërguara me postë mund të mos numërohen si rezultat i ndryshimeve që ka bërë drejtuesi i ri i institucionit, Louis DeJoy, i cili e mori detyrën në qershor.
Zoti DeJoy, i cili ka qenë një përkrahës dhe donator i fuqishëm i Presidentit Trump, ka vënë në zbatim ndryshime me synimin për të ulur kostot, ndër to, eliminimin e objekteve që përdoren për të klasifikuar postën, si dhe të kutive postare nëpër komunitete. Po ashtu ai ka eliminuar pagesat shtesë për punën jashtë orarit të rregullt, si dhe ka bërë ndryshime në turnet e punës të stafit.
Presidenti Donald Trump ka shprehur mbështetje për këto masa, përmes një postimi të hënën në Twitter: “Shërbimi postar prej dekadash ka pasur probleme. Ne duam thjeshtë që ta BËJMË SHËRBIMIN POSTAR PËRSËRI TË SHKËLQYER, gjithashtu të kursejmë miliarda dollarë për amerikanët. Demokratët nuk dinë çfarë bëjnë”.
Presidenti e ka kritikuar shpesh votimin me postë duke postuar deklarata të pavërtetuara se me shtimin e votimeve me postë, zgjedhjet e nëntorit do të rezultojnë të manipuluara. Ai tha për kanalin Fox Business javën e kaluar se nuk donte të arrinte marrëveshje me demokratët për fonde shtesë për të mbështetur operacionet postare.
“Nëse nuk arrijmë marrëveshje, atëherë nuk do të ketë fonde,” tha presidenti. “Kjo nënkupton që nuk do të ketë vota me postë për të gjithë”.
Ndryshimet në operacionet e Shërbimit Postar kanë sjellë vonesa në shpërndarjen e postës në një kohë kur pritet që vëllimi i postës të arrijë nivele rekord. Sipas një analize të gazetës New York Times, rreth 3/4 e amerikanëve do të votojnë me postë në zgjedhjet presidenciale, duke rezultuar në 80 milionë vota me postë.
Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi tha në një deklaratë këtë javë: “Gjatë pandemisë, Shërbimi Postar është epiqendra e zgjedhjeve. Askush nuk duhet të ndjehet i detyruar të zgjedhë ose shëndetin, ose të drejtën e votës”.
Si janë përgjigjur shtetet?
Të paktën 20 shtete me prokurorë të përgjithshëm demokratë kanë ngritur padi ndaj Shërbimit Postar lidhur me vonesat. Në mbarë vendin ka pasur protesta që kundërshtojnë ndryshimet e vëna në zbatim.
Ligjvënësit demokratë thonë se ndryshimet janë përpjekje të administratës Trump për të kufizuar të drejtën e votës për shumë amerikanë që në pjesën më të madhe mund të votojnë për demokratët.
“Të gjithë e dinë se është e paligjshme të ndërhysh në shërbimin postar për të ndërprerë apo ndryshuar rezultatin e zgjedhjeve, gjë që e bëri drejtuesi i postës nën urdhrat e Presidentit Trump, i cili tha në komente që u panë në televizor në mbarë vendin si dhe në postime në Twitter se po ndërhyn në shërbimin postar pasi nuk i pëlqen ndikimi në zgjedhje,” tha Senatori demokrat Chris Van Hollen në një aktivitet në mbështetje të Shërbimit Postar.
Përgjigja e drejtuesit të Shërbimit Postar
Zoti DeJoy njoftoi këtë javë se “për të shmangur përshtypjen për ndikime të mundshme tek votimi me postë, po pezulloj nismat deri në përfundim të zgjedhjeve”.
Ai shtoi: “Shërbimi Postar është gati të përballojë çdo lloj volumi postar që marrim këtë vjeshtë”.
Në një letër në adresë të zyrtarëve shtetërorë javën e kaluar, Shërbimi Postar tha “Ekziston rrezik i konsiderueshëm se, të paktën në disa rrethana, fletëvotimet, megjithëse janë kërkuar në kohë dhe brenda rregullave të procesit zgjedhor dhe janë postuar në kohë, mund të mos mbërrijnë në kohë për t’u numëruar”.
Pas njoftimit të zotit DeJoy, republikanët e Dhomës së Përfaqësuesve thanë se kritikat e demokratëve janë sajesa me synime politike.
“Në të vërtetë, Shërbimi Postar prej kohësh operon në një mënyrë të paqëndrueshme, edhe para vënies së drejtuesit të ri,” tha udhëheqësi i pakicës republikane në Dhomën e Përfaqësuesve, Kevin McCarthy në një letër në adresë të zonjës Pelosi. Zoti McCarthy, si dhe republikanë të tjerë me peshë thanë se votimi i së shtunës, i planifikuar si një masë emergjente, ishte i panevojshëm sepse “Shërbimi Postar ka fonde për të operuar të paktën deri në gusht 2021, pra shumë muaj pas zgjedhjeve të nëntorit”.
A mbarojnë me kaq polemikat?
Në përgjigje të deklaratës së të martës të zotit DeJoy, zonja Pelosi tha se ky ishte një “hap i parë i pamjaftueshëm për t’i dhënë fund sabotazhit që po i bën presidenti zgjedhjeve. Kjo pauzë pezullon disa nga ndryshimet e drejtuesit të Shërbimit Postar, por nuk anulon dëmin që është bërë dhe gjithashtu nuk mjafton për të garantuar që presidenti nuk do të përjashtojë votues nga procesi këtë vjeshtë”.
Dhoma e Përfaqësuesve do të votojë për fonde emergjente të shtunën. Ndërkaq, zoti DeJoy gjendet para pyetjeve të ligjvënësve gjatë dëshmisë sot para Komisionit të Senatit për Sigurinë Kombëtare dhe Funksionimin Qeveritar dhe para Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve mbi Funksionimin Qeveritar të hënën.
Facebook Forum