Lidhje

USAGM financon dy projekte për lirinë e informimit në internet 


Agjencia Amerikane për Median Globale, USAGM, njoftoi të martën se do të financojë dy projekte që ndihmojnë për të kapërcyer censurën në internet, megjithëse vazhdon një betejë e brendshme lidhur me strategjinë e kësaj agjencie lidhur me lirinë në internet.

Kompanitë Psiphon dhe ACI, të cilat përfitojnë nga ky fond, zhvillojnë kode kompiuterike që ndihmojnë njerëzit të përdorin internetin dhe të marrin informacion nga faqet elektronike në vende ku qeveritë kufizojnë qasjen në internet.

Michael Pack
Michael Pack

“Agjencia jonë është e vendosur të zgjerojë lirinë e shprehjes, duke vazhduar të analizojë, zhvillojë dhe financojë mjetet më efektive dhe të sigurta për shfrytëzimin e internetit,” tha përmes një deklarate Michael Pack, shefi ekzekutiv i agjencisë USAGM, e cila mbikqyr transmetimet ndërkombëtare të Shteteve të Bashkuara, përfshirë edhe Zërin e Amerikës.

Njoftimi u bë ndërkohë që USAGM është përfshirë në një betejë ligjore me Fondin për Teknologji të Hapur (OTF), një organizatë me seli në Uashington e cila merr grante nga USAGM për të financuar në shkallë globale mënyra për qasje të hapur në internet.

Fondi i themeluar në 2012 si program pilot i Radios Azia e Lirë, një ndër entitetet nën mbikryqjen e USAGM, u kthye në organizatë jo-fitimprurëse në vjeshtë 2019.

Pasi Michael Pack mori detyrën e shefit ekzekutiv në qershor, ai shkarkoi menjëherë bordin dhe drejtues të entiteteve dhe bëri emërime të reja. Një gjykatë federale apeli i bllokoi masat e tij në korrik.

USAGM ka ngrirë financimin për Fondin për Teknologji të Hapur (OTF), gjë që ka rezultuar në pezullimin e 49 prej 60 projekteve të këtij grupi për lirinë në internet.

Në fillim të muajit, një grup ligjvënësish demokratë e republikanë i kërkuan administratës Trump të riaktivizojë fondin prej 20 milionë dollarësh të miratuar nga Kongresi për organizatën OTF.

Kompania Psiphon, me bazë në Toronto, krijon programe kompiuterike që “ndihmojnë mbi 3 milionë vetë në javë të shfrytëzojnë internetin,” sipas faqes elektronike të kompanisë.

Kompania ACI, apo “Advanced Circuiting Inc.” ka krijuar aplikacionin NthLink, që mund të shkarkohet në celular “për të anashkaluar censurën,” siç shprehet kompania në faqen e saj elektronike.

Dy kompanitë, Psiphon dhe ACI, janë mbështetur me fonde nga OTF gjatë viteve të fundit. Një raport mujor i OTF në muajin maj i cilëson kompanitë “specialistë veteranë në prodhimin e mjeteve për anashkalimin e censurës”.

Ende nuk janë bërë publike hollësi lidhur me livrimin e fondeve.

Përfaqësues të USAGM nuk iu përgjigjën kërkesës për komente brenda afatit që specifikuan gazetarët e Zërit të Amerikës. Juristë që përfaqësojnë anëtarët e bordit të Fondit për Teknologji të Hapur po ashtu nuk iu përgjigjën pyetjeve për akordimin e fondeve.

Në një njoftim të martën, USAGM tha se po rikthen në operim Zyrën për Liri në Internet (OIF) e cila u krijua në 2016, por kishte ndalur aktivitetin. Grantet për kompanitë Psiphon dhe ACI ishin bërë përmes OIF. Kjo zyrë do të hapë së shpejti “një raund të ri tenderash për teknologjinë që mundëson lirinë në internet,” tha përmes një deklarate për shtyp USAGM.

Zoti Pack tha se rikthimi në operim i Zyrës për Lirinë në Internet do të ndihmojë njerëz në mbarë botën të kenë qasje tek informacioni.

“Bllokimi i qasjes tek informacioni është një gjë e tmerrshme. Por nxitja e kësaj qasjeje, sidomos përmes një kapaciteti të tillë të avancimit teknologjik, do ta dëshmojë veten si një akt i fuqishëm për lirinë,” tha zoti Pack përmes një deklarate. “Prandaj po mbështesim me fonde një numër mjetesh për të kapërcyer censurën në internet. Duke rikthyer në operim zyrën OIF ne do t’i japim mundësi agjencisë sonë të bëjë përpjekje të rëndësishme në këtë fushë“.

XS
SM
MD
LG