Lidhje

Trump kritikon zonjën Harris pasi Biden e zgjedh atë si kandidate për nënpresidente


Presidenti Donald Trump e quajti të mërkurën Senatoren Kamala Harris, të zgjedhur nga kandidati demokrat për president Joe Biden si kandidate për nënpresidente, si “lloji i kundërshtarit që ëndërrohet nga të gjithë”. “Kamala Harris filloi fuqishëm në zgjedhjet paraprake presidenciale mes demokratëve dhe pëfundoi dobët, duke u tërhequr në fund nga gara me mbështetje gati zero”, shkroi presidenti në Twitter.

.@KamalaHarris started strong in the Democrat Primaries, and finished weak, ultimately fleeing the race with almost zero support. That’s the kind of opponent everyone dreams of!

Pas njoftimit të përzgjedhjes së senatores Harris të martën, Presidenti Trump tha se ishte befasuar që ajo ishte zgjedhja e zotit Biden për postin e nënpresidentes ndërsa e quajti dështim kandidimin e zonjës Harris për postin e presidentit.

“Unë u befasova kryesisht sepse ajo kishte mbështetje shumë të dobët në zgjedhjet paraprake”, tha zoti Trump të martën gjatë një konference shtypi në Shtëpinë e Bardhë.

Zoti Trump e akuzoi zonjën Harris se kishte qënë, siç u shpreh ai, “dukshëm shumë e ligë” ndaj kandidatit të atëhershëm për Gjykatën e Lartë, Brett Kavanaugh, ndërsa ajo e pyeti atë lidhur me akuzat për sjellje të pahijshme seksuale gjatë seancës së konfirmimit në senat në vitin 2018.

“Mendova se ajo ishe më ulta, më e urryera, më e pasjellshmja nga kushdo që ishte në Senatin amerikan”, tha ai.

Presidenti Trump e akuzoi zonjën Harris se ishte “shumë, shumë e ligë” dhe “shumë e pasjellshme” ndaj zotit Biden gjatë debatit të zgjedhjeve paraprake vitin e kaluar dhe u përpoq ta përshkruante atë si shumë larg nga e majta, duke thënë se ajo ishte “personi më liberal në Senatin amerikan.”

Nënvlerësimi i zotit Trump ndaj zonjës Harris nuk ndryshon nga kritikat e tij ndaj zonjës Clinton, gruaja e parë që mori emërimin e një partie kryesore si kandidate për presidente në zgjedhjet e vitit 2016. Zoti Trump e quajti atë “ të ligë” gjatë fushatës dhe në fillim të këtij viti e quante zonjën Clinton “të dobët” gjatë një postimi në Twitter.

Zoti Trump dhe vajza e tij Ivanka, këshilltare e lartë në Shtëpinë e Bardhë, njoftohet të kenë dhuruar shuma parashë për fushatën e zonjës Harris për postin e prokurores së përgjithshme në Kaliforni gjatë viteve 2011 dhe 2014, sipas zyrës së Sekretarit të Shtetit të Kalifornisë.

Kur një gazetar pyeti për donacionet, Presidenti Trump nuk u përgjigj. Por zëdhënësja e fushatës së zotit Trump, Katrina Person tha se zoti Trump ka dhuruar para për kandidatët demokratë dhe republikanë në cilësinë e një biznesmeni privat. Zonja Harris është gruaja e parë me ngjyrë që zgjidhet si kandidate për Shtëpinë e Bardhë nga një parti kryesore, një fakt i rëndësishëm për zonjën Alicia Garza, bashkëthemeluese e lëvizjes “Black Lives Matter”.

“Për disa aktivistë, është e rëndësishme që një grua afrikano-amerikane të përfaqësohet në këtë garë. Për disa aktivistë të tjerë, substanca do të jetë më e rëndësishme se simbolika. Mënyra për të nxitur njerëzit të votojnë do të jetë një kombinim i suksesshëm i këtyre të dyjave. Ky është një moment i jashtëzakonshëm mundësish. Një moment me mundësi të shumta dhe shpresojë që kjo përzgjedhje do të gjejë mbështetje dhe do të përmbushë objektivin”, tha zonja Garza.

Përzgjedhja e zonjës Harris është një afirmim i vazhdimit të rritjes së ndikimit politik të votuesve me ngjyrë në Shtetet e Bashkuara, sipas kryetares së Komitetit Kombëtar Demokrat, Donna Brazile.

“Joe Biden e kuptoi që ky moment historik kërkonte një shërbëtor publik të paepur, të zgjuar dhe të respektuar”, tha zonja Brazile.

Ligjvënësja Val Demings, e cila po ashtu u konsiderua për kandidaturën e nënpresidentes, është mes shumë udhëheqësve afrikano-amerikanë që e kuptojnë rëndësinë e përzgjedhjes së zonjës Harris.

“Zgjedhja (si kandidate për nënpresidente) për herë të parë e një gruaje afrikano-amerikane riafirmon besimin tim se në Amerikë çdo njeri ka mundësi të arrijë suksese pavarësisht se kush janë ata dhe nga vijnë”, tha zonja Demings.

Ish-presidenti Barack Obama, ndoshta figura më popullore në Partinë Demokrate, shkroi në Twitter se zonja Harris, senatorja e dytë afrikano-amerikane në historinë e Amerikës, “e shpenzoi karrierën e saj në mbrojte të Kushtetutës dhe duke luftuar për njerëzit që kishin nevojë për drejtësi”.

Megjithatë, jo të gjithë janë aq entuziastë për zonjën Harris. Disa vëzhgues politikë shtrojnë pyetjen nëse e kaluara e saj si prokurore e përgjithshme në Kaliforni do të dëmtojë shansin e Partisë Demokrate për të mobilizuar të rinjtë afrikano-amerikanë, komunitetin latin dhe votuesit e tjerë me ngjyrë.

“Ndërsa vlerësoj plotësisht shtrirjen e përgjegjësive të saj ndërsa ishte në atë post, mendoj se ajo u fuqizua që të mbështeste më shumë pakicat, ndaj mendoj se ishte një mundësi e humbur nga ajo”, tha 31-vjeçarja afrikano-amerikane Lindsey Roland në Miçigan. “Padyshim që do të votoj. Kemi shumë gjëra në rrezik. Për mua si nënë, kam frikë, mendoj se katër vite të tjera me këtë admnistratë do të jenë katastrofike.”

Disa figura të njohura të reformës në drejtësi, përfshi drejtuesin e organizatës “Color of Change” Rashad Robinsion, thonë se ndërsa disa votues do të vënë në dyshim rolin e zonjës Harris kur ishte prokurore, ai tha se ajo ka evoluar në një mbështetëse për reforma.

“Ajo që vlerësoj rreth saj është që ajo ka qënë e gatshme të dëgjojë dhe e gatshme të evoluojë. Ajo ka qënë e gatshme të vëndosë legjislacionin pas këtij evolucioni dhe platformat politike në mbështetje të këtij evolucioni”, tha Robinson. “Po, mendoj se njerëzit do të ngrenë shumë gjëra të vërteta, por mendoj se ajo ka dëgjuar dhe punuar për të trajtuar ato gjëra”.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG