Bjellorusia thotë se udhëheqësi Aleksandër Lukashenko ka siguruar një fitore dërrmuese në garën presidenciale. Ai pritej të ndeshej me sfidën më të fortë zgjedhore që kur erdhi në pushtet në mes të viteve 1990. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Charles Maynes njofton se opozita ka deklaruar se nuk i njeh rezultatet duke ngritur akuza për manipulim votash. Si rezultat përkrahësit e opozitës kanë dalë në protesta që janë shoqëruar edhe me përleshje mes aktivistëve dhe forcave të rendit.
Pas numërimit të fletëvotimeve nga të gjitha zonat zgjedhore, Presidenti Lukashenko ka marrë afro 80% të votave.
Me këtë fitore ai vazhdon pas 26 vjetësh të qëndrojnë në pushtet për një mandat të ri. Ai paralajmëroi ata që mund të tentojnë të kundërshtojnë rezultatet.
"Zbatoni ligjin dhe ashtu do të zhduken të gjitha shqetësimet për shtypje,” tha ai.
Por protestuesit që u mblodhën të dielën në mbrëmje në Minsk dhe qytete të tjera, duke u përleshur me trupa të ministrisë së brendshme, nuk i shohin zgjedhjet si legjitime.
Demonstruesit thonë se zgjedhjet nuk ishin as të lira, as të drejta. Ashtu mendon edhe Perëndimi.
Pasi kundërshtarë të rëndësishëm nuk u lejuan të marrin pjesë, gratë e kandidatëve u futën në garë. Ndër ta u dallua Svetlana Tikhanovskaya, e cila hyri në garë pasi i shoqi, një bloger i njohur politik, u arrestua.
Megjithëse dhjetëra mijëra mbështetës të saj kanë dalë në protesta në mbarë vendin, në rezultate ajo ka dalë me më pak se 10% të votës.
"Nuk jemi dakord me këto rezultate. Kemi informata krejt të tjera,” thotë kandidatja.
Kandidatët që nuk u lejuan të konkurrojnë thonë se ka prova që gara u manipulua. Tani ata janë bashkuar në opozitë kundër zotit Lukashenko.
“Nuk duam të dalim në rrugë, të hidhemi në protesta. Por nuk na ka lënë zgjidhje tjetër,” thotë kandidati i paregjistruar presidencial, Valery Tsepkalo.
Zgjedhjet u zhvilluan ndërkohë që bota përleshet me koronavirusin, të cilin udhëheqësi bjellorus e ka cilësuar si histeri masive.
Me shtimin e numrit të të infektuarve, shoqëria civile u hodh në veprim për të pajisur spitalet dhe mjekët.
Aktivistët thonë se kjo iniciativë e shoqërisë civile po transformon edhe politikën bjelloruse:
“Bjellorusët nuk janë më të njëjtët që ishin para COVID-it. Kjo shihet në aktivizmin në shoqërinë civile, por edhe në marrëdhëniet mes njerëzve të thjeshtë. Po shohim ndryshime, duke filluar me mendësinë e njerëzve,” thotë aktivisti Andrej Stryzhak.
Zoti Lukashenko ka ndeshur edhe më parë sfida dhe ia ka dalë. Por kundërshtarët e tij thonë se këtë herë po shohim lindjen e një Bjellorusie të re.
Facebook Forum