Protestat e fundit në rrugët e Portlandit janë shoqëruar me përplasje mes demonstruesve dhe agjentëve federalë të vendosur në qytet nga administrata Trump. Por largimi i forcave federale i ka ulur tensionet dhe ka bërë që protestuesit të përqëndrohen sërish tek mesazhi i tyre për drejtësi racore në vend.
Me largimin e agjentëve federalë, demonstruesit në rrugët e Portlandit thonë se ata duan ta orientojnë diskutimin tek një mesazh i tyre që është dëgjuar gjatë protestave në të gjithë vendin, jetët e komunitetit afrikano-amerikan janë të rëndësishme.
"Më pëlqen të shoh gjithë këto fytyra që luftojnë për jetën time, për jetën e afrikano-amerikanëve", thotë aktivisti Pey-Dey.
Ky aktivist që identifikohet me emrin e Pey-Dey, ka ardhur në Portland nga Siatëlli i shtetit të Uashingtonit për të marshuar dhe për t'u sigruar që protestuesit të përqendrohen tek mesazhi thelbësor për drejtësi racore.
"Le të bëjmë që pjesmarrja jonë, zemrat pasioni dhe dashuria që kemi për njëri-tjetrin të përhapet nëpër këto rrugë çdo ditë, le t'i shtypim me të gjitha këto, ata që na kanë shtypur ne", shton ai.
Ai është një prej disa aktivistëve afrikano-amerikan në një qytet ku tre të katërtat e popullsisë janë të bardhë, po ku janë zhvilluar protestat më të gjata e më të qëndrueshme kundër racizmin dhe dhunës policore.
"Kur të jeni atje, të gjithë duhet të pyesni vetën vazhdimisht, çfarë po bëj për ta bërë jetën e një afrikano-amerikani më të mirë?", thotë Oria, protestuese.
Një grup adoleshentësh që e quajnë veten "Lëvizja Rinore e afrikano-amerikanëve të Portlandit" ka marrë vëmendje ditët e fundit.
"Jeta nuk është e sigurt për afrikano-amerikanët. Dhe shumë nuk e kuptojnë këtë gjë, sidomos, kur jeton në qytete ku e gjithë e popullsia është e bardhë", thotë Erandi, protestuese.
Demonstratat në Portland kanë vazhduar për më shumë se dy muaj që nga vdekja e afrikano-amerikanit George Floyd në duart e policisë së Mineapolisit një qytet në shtetin e Minesotës. Disa besojnë se protestat dolën nga binarët.
"Filluan si protesta për George Floydin, pastaj erdhën një grup të bardhësh që hynim me forcë në ndërtesa", thotë një protestuese.
Agjentët federalë u dislokuan në qytet në fillim të korrikut, një veprim që grupet e të drejtave civile e denoncuan si një tejkalim të autoritetit federal. Administrata Trump tha se prona e qeverisë duhej të mbrohej nga protestuesit e dhunshëm dhe Presidenti Donald Trump u zotua të vendoste "ligj dhe rregull" në qytetet e vendit.
Por prania e forcave federale rriti tensionet dhe nxiti trazira, duke kulmuar me përleshje gjatë natës mes protestuesve dhe punonjësve të sigurisë.
Në fund të muajit korrik, guvernatori i Oregonit njoftoi se ishte arritur një marrëveshje me administratën Trump për të tërhequr oficerët federalë. Sherifi i qarkut Multnomah thotë se është mirënjohës që demonstratat janë të qeta.
"E vlerësojmë shumë këtë gjë dhe presim një natë tjetër protestash paqësore", thotë Travis Gulberg, Sherif i Qarkut Multnomah.
Tashmë aktivistët e komunitetit shpresojnë ta orientojnë sërish mesazhin e protestës jo më tek veprimet e policisë federale, por tek George Floyd.
"SHBA e ka lëshuar këtë temë, nuk e po flet më mbi jetët e komunitetit afrikano-amerikan, por ne këtu në Portland, nuk kemi hequr dorë, ne jemi akoma këtu", thotë Zabie, protestuese.
Për sa kohë që do të ketë demonstrata këta adoleshentë thonë se do të jenë në rrugë për të zgjeruar thirrjet për ndryshim.
Facebook Forum