: Për shkak të rritjes së rasteve të reja me COVID-19, kryetari i bashkisë së Los Anxhelosit Eric Garcetti njoftoi se mund të rivendosë masat e rrepta për qëndrim në shtëpi të popullatës. Njoftimi vjen vetëm disa javë pasi qyteti nisi të lehtësojë kufizimet e vendosura për shkak të pandemisë. Ndërkohë në burgjet nën administrim të shtetit gjendja është përkeqësuar aq shumë sa zyrtarët e Kalifornisë po shohin mundësinë e lirimit të rreth 8 mijë të burgosurve të dënuar për shkelje të vogla të ligjit.
Kalifornia vazhdon të jetë një nga vatrat e koronavirusit me mbi 500 mijë të infektuar në rang shteti që nga fillimi i pandemisë. Situata është veçanërisht e rëndë brenda burgjeve nën administrim të shtetit. Për ta zbutur problemin, zyrtarët thonë se po shqyrtojnë mundësinë e lirimit të 8 mijë të burgosurve të dënuar për shkelje të vogla të ligjit dhe që u ka mbetur më pak se 180 ditë burg. Fillimisht do të lirohen personat mbi 30 vjeç që kanë probleme shëndetësore.
Në Kaliforni rreth 3 mijë të burgosur kanë rezultuar pozitivë me COVID-19. Të paktën dhjetë vetë kanë vdekur. Sipas kritikëve transferimet e të burgosurve shkaktuan përhapjen e shpejtë të virusit në burgje. Që atëherë shteti ka zëvendësuar mjekun kryesor për burgjet. Disa prej ish të burgosurve ndajnë përvojën e tyre në burg gjatë pandemisë.
"E frikshme, e rrezikshme dhe e paparashikueshme!", thotë një i ish i burgosur.
Të afërmit e të burgosurve si dhe të tjerë persona të ngushtë të tyret, kanë organizuar protesta përpara burgjeve.
"Ata po vdesin aty! Po vdesin! Ma lironi djalin… ”, thotë nëna e një të burgosuri.
Aktivistët që mbrojnë të drejtat e njeriut thonë se situata në burgun e San Quentin nuk është befasuese.
"Burgu i San Quentin është tejet i vjetëruar. Ai ka vetëm një sistem ventilimi që qarkullon ajrin. Pra situata nuk është befasuese për asnjë nga ne. Burgjet nuk janë ndërtuar për të qenë objekte ku mund të ruhet distanca fizike".
Vanessa Nelson-Sloane është bashkëthemeluese dhe drejtoreshë e një organizate që ndihmon të burgosurit.
"Sipas mendimit tim pasi e kam shqyrtuar me vëmendje situatën ajo që do të ndihmonte më shumë aktualisht është që çdo anëtar i stafit të vendosë maskë. Të burgosurve u kërkohet që t'i mbajnë dhe ata mund të përballen me ndonjë masë disiplinore nëse nuk i vendosin, por për rojet situata është ndryshe. Kjo mendoj se do të ishte gjëja më e rëndësishme që mund të bënim në të gjitha burgjet tani për tani", thotë Vanessa Nelson-Sloane, drejtoreshë dhe bashkëthemeluese e Aleancës “Ndihmë për të Jetuar”.
Vendimi për lirimin e të burgosurve u mirëpritur nga aleanca, por anëtarët e organizatës janë të shqetësuar se shumë prej ish-të burgosurve nuk do të kenë ndonjë vend ku të shkojnë. Dhe në kushtet kur qendrat për të pastrehët janë të tejmbushura kjo i bën këto vende të rrezikshme gjithashtu për të qëndruar gjatë pandemisë.
Facebook Forum