“Kam filluar të kontrolloj banesën me sy, me mendimin se sa kohë do të më duhet të shes divanin. Sa kohë do të duhet të gjejmë dikë që do të blejë pianon? Çdo ditë është e vështirë,” thotë Warangkana Chomchuen, që shkurtimisht e thërrasin Waan. Ajo është gazetare për shërbimin e Zërit të Amerikës në gjuhën tajlandeze.
Statusi i vizës J-1 për zonjën Chomchuen, një gazetare me përvojë që ka punuar më parë për rrjetin NBC dhe për gazetën Wall Street Journal, është tani në pikëpyetje. Ajo ka një muaj kohë për t’u larguar nga SHBA dhe vendi i punës dhe do të ndahet nga bashkëshortja kanadeze pa pasur ide se kur mund të kthehet.
Zonja Chomchuen është një ndër disa punonjës të Zërit të Amerikës të cilëve po u skadonte viza e punës në SHBA. Tani ata janë përballë kërcënimit të deportimit pas një vendimi të Agjencisë Amerikane për Median Globale (USAGM) për të analizuar një nga një këto viza pune.
“Nuk është njësoj si të marrësh një kamion e të ngarkosh plaçkat për të shkuar në një shtet tjetër amerikan. Ne duhet të largohemi nga vendi. Duhet të paketojmë jetët tona këtu,” thotë gazetarja duke shtuar se pasiguria nëse do të marrë vizë tjetër brenda periudhës 30-ditëshe “të shkatërron nervat”.
Agjencia Amerikane për Median Globale (USAGM), e cila përfshin edhe Zërin e Amerikës dhe katër rrjete të tjera, tha të enjten se do të analizojë në mënyrë individuale aplikimet për zgjatjen e vizave J-1. Zëri i Amerikës ka 62 punonjës me kontratë dhe 14 punonjës të rregullt të cilët ndodhen në SHBA e vizë J-1. Politka e re prek edhe gazetarë në rrjete të tjera si Radio Evropa e Lirë/Radio Liria, Radioa Azia e Lirë, Rrjeti i Transmetimeve në Kubë dhe Rrjetet e Transmetimeve në Lindjen e Mesme.
Shefi i Ri Ekzekutiv
Rishikimi i kërkesave për rinovim vizash në Agjencinë Amerikane për Median Globale është një ndër ndryshimet e vëna në zbatim nga shefi i ri ekzekutiv i agjencisë, Michael Pack. Në javën e parë në detyrë, zoti Pack pushoi krerët e disa rrjeteve duke emëruar drejtues të përkohshëm. Ai gjithashtu ndryshoi bordet drejtuese të këtyre rrjeteve. Drejtoresha e Zërit të Amerikës dha dorëheqjen sapo zoti Pack mori detyrën.
Një zëdhënës për Agjencinë Amerikane për Median Globale (USAGM) tha përmes një deklarate se rishikimi i vizave synon të përmirësojë menaxhimin në agjenci, mbrojtjen e sigurisë kombëtare dhe garantimin e një procesi të pacënuar të punësimeve.
Por gazetarë dhe grupe aktiviste për rolin e shtypit, përfshirë “PEN America” dhe “Klubin Kombëtar për Shtypin” thanë se vonesat në rinovimin e vizave mund të vënë shumë gazetarë në rrezik arresti nëse kthehen në vendet e tyre. Po ashtu këto praktika mund të dëmtojnë reputacionin e agjencisë jashtë SHBA dhe ta vështirësojnë punën e rrjeteve të saj për të mbuluar zhvillimet në ato rajone, sidomos në një vit zgjedhor dhe në kushte pandemie.
USAGM nuk iu përgjigj pyetjeve dhe kërkesave me email të dërguara të dielën nga gazetarja Jessica Jerreat, e cila përgatiti këtë artikull. Zëri i Amerikës u përgjigj se të gjitha pyetjet lidhur me vizat J-1 duhet t’i drejtohen agjencisë USAGM.
Një gazetar me përvojë në Zërin e Amerikës, i cili është në dieni të situatës, tha në kushte anonimiteti se procesi për rinovimin e vizave zakonisht është një praktikë rutinë. Për sa kohë që kërkesa bëhet brenda afatit, rrallë herë dalin probleme, tha gazetari.
Gazetarët e huaj në Zërin e Amerikës luajnë një rol jetik, pasi kanë aftësi specifike që është vështirë të gjenden në SHBA, thotë një punonjës i Zërit të Amerikës. Ky rrjet mbështetet tek këta individë, jo vetëm pasi njohin gjuhët specifike të transmetimit, por edhe sepse kanë kontakte dhe njohuri të thella për situatën politike dhe specifikat e audiencës lokale.
Çdo rrjet zhvillon intervista të hollësishme dhe një analizë të së kaluarës së individit që aplikon pë punë. Por është e qartë se thuajse në çdo rast personat e punësuar në shërbime në gjuhë të ndryshme kanë aftësitë e duhura, tha punonjësi i VOA-s.
Vizat J-1 janë një ndër kategoritë e vizave të pezulluara nga administrata Trump në përgjigje të pandemisë, por edhe sepse administrata beson se këta individë zënë vende pune që duhet t’i marrin amerikanët. Nuk është e qartë se si do të ndikojë pezullimi tek kërkesat për rinovim vizash.
Proces i pezulluar
Zonja Chomchuen thotë se nuk ishte e shqetësuar për rinovimin e vizës sepse ishte një proces rutinë për shumë kolegë të saj.
“Po ashtu, ishte një periudhë shumë e ngarkuar me COVID, me protestat kundër diskriminimit racor. Nuk e kisha mendjen tek viza, nuk mendoja se do të dilnin probleme. Isha e zënë me mbulimin e ngjarjeve”.
Kur bisedoi me zyrën e personelit më 25 qershor, ajo mësoi se shefi ekzekutiv i USAGM, Michael Pack ende nuk e kishte miratuar vizën e saj të re.
“Mendova, është thjesht vonesë pasi shefi ekzekutiv sapo mori detyrën e re. Ndoshta ka gjëra të tjera nëpër duar”. Por më 1 korrik, ende pa marrë miratim për vizën, ajo nuk kishte ç’të bënte tjetër veçse të ndalte punën dhe të fillonte të përgatitej për t’u larguar nga SHBA.
Për Zërin e Amerikës me transmetime në 47 gjuhë, vonesat dhe mundësia që të mos rikthejë në punë individë të aftë nënkupton vështirësi në procesin për të mbuluar SHBA dhe lajmet nga rajoni për audienca të caktuara. Disa gazetarë që do të kthehen në vendet e tyre janë në rrezik persekutimi për shkak të punës që kanë bërë.
Koronavirusi shton shqetësimin për shëndetin e gazetarëve që do të detyrohen të kthehen në kohë pandemie. Po ashtu ngre shumë dilemma për menaxhimin e procesit të rinovimit të vizave përmes ambasadave në vende të ndryshme, ndërkohë që shumë konsullata mbeten të mbyllura. Në rastin e zonjës Chomchuen, ajo bëri kërkesë për udhëtimin drejt Bangkokut përmes ambasadës tajlandeze. Bashkëshortja e saj, e cila ndodhet në SHBA me vizë martese, do të kthehet në Toronto. Tajlanda u jep prioritet në udhëtime shtetasve tajlandezë, prandaj bashkëshortja e saj nuk ka mundësi të udhëtojë me të.
Grupet për të drejtat e njeriut kanë dënuar vonesat në viza, duke theksuar rrezikun për disa gazetarë që mund të persekutohen në vendet e tyre.
“Shumë nga këta gazetarë kanë punuar për Zërin e Amerikës pasi u ofron mundësi të raportojnë ngjarje që nuk mund t’i mbulojnë në vendet e tyre pasi mund të ndëshkohen. Nëse këta gazetarë kthehen në atdhe, disa prej tyre do t’i presë qelia e burgut, ose më keq,” thotë Suzanne Nossel, drejtuese e shoqatës “PEN America” përmes një deklarate të enjten.
Mesazh “jo i mirë”
Gazetarja Chomchuen thotë se nuk ka shumë të ngjarë të ketë probleme sigurie në Tajlandë, por shton se këto shqetësime janë reale për gazetarë të tjerë.
Po ashtu ajo shqetësohet për imazhin e Zërit të Amerikës jashtë kufijve të SHBA.
"Kjo masë dërgon mesazhin e gabuar tek populli tajlandez, tek audienca jonë,” duke shtuar se ishte përhapur lajmi për vonesat e vizave.
Javën e kaluar shefi i ri ekzekutiv, Michael Pack shkroi një artikull opinion të botuar në New York Post, ku ai mbron vendimin, duke shtuar se raportimet në media lidhur me shkarkimet “ishin të ekzagjeruara”. Ai tha se ishte emëruar për të ndrequr “një rrëmujë jo-partiake” dhe ishte i përkushtuar “të fuqizojë gazetarët në mbarë botën”.
Gazetari me përvojë në Zërin e Amerikës, i cili komentoi për këtë artikull me kusht që të mos identifikohe me emër, tha se vonesat e vizave dhe shkarkimet e krerëve të rrjeteve transmetuese pas emërimit të zotit Pack, mund të kërcënojnë reputacionin e rrjeteve transmetuese jashtë kufijve të SHBA.
Audiencat e ndryshme po ngrenë pyetje lidhur me arsyet për këto ndryshime dhe nëse ato nënkuptojnë ndryshime në politikën redaksionale të Zërit të Amerikës dhe pavarësinë e tij redaksionale, thotë gazetari.
Vonesat dhe rreziku për të humbur gazetarë të talentuar si rezultat i vizave ka ndërlikuar planet për të mbuluar aktivitetet në këtë vit zgjedhor.
“Ne ishim ekip i vogël,” tha zonja Chomchuen për shërbimin tajlandez. “Kishim tetë punonjës. Dy prej nesh ishim video-reporterë”.
Tre persona në stafin e shërbimit tajlandez janë në ShBA me vizë J-1. Njërit prej tyre i duhet të rinovojë vizën në dhjetor.
“Kjo do të ndikojë tek aftësia jonë për të mbuluar zhvillimet politike në SHBA dhe materiale më të thella e komplikuara që kërkojnë kohë,” thotë zonja Chomchuen.
Puna si Përkthyese
Në fillim të vitit gazetarja Chomchuen ndihmoi me përkthim gjatë fjalimit të drejtpërdrejtë të presidentit mbi gjendjen e vendit. Shërbimi tajlandez kishte në plan të bënte të njëjtën gjë gjatë zgjedhjeve.
Ajo gjithashtu po përgatiste material mbi diskriminimin racor kundër aziatikëve dhe amerikanëve me prejardhje aziatike gjatë pandemisë, si dhe kishte ngritur idenë e një emisioni me intervista e diskutime që do të transmetohej përmes Facebook-ut.
“Mendoj se ky program do t’u ofronte shikuesve tanë një ide më të mirë për temat e rëndësishme në SHBA, ndërkohë që afrojnë zgjedhjet. Por këto ide janë pezull tani”.
Nëse detyrohet të largohet nga SHBA, thotë zonja Chomchuen, ajo dhe bashkëshortja do të humbasin edhe mbrojtjen dhe përfitimet që kanë siguruar përmes martesës në SHBA.
“Këtu në Zërin e Amerikës, në SHBA kur unë mora vizë, edhe bashkëshortja kishte të drejtë vize. Mundësia që ta humbasim këtë të drejtë dhe e ardhmja ku të përballemi me jetën në mënyrë individuale, është disi e frikshme”.
Facebook Forum