Presidenti i SHBA-së Donald Trump tha se është i hapur për një takim tjetër me udhëheqësin e Koresë së Veriut Kim Jong Un edhe pse Pheniani ka dhënë sinjale se nuk është i interesuar për t'i rifilluar bisedimet bërthamore. Zoti Trump i bëri komentet të martën në një intervistë me Greta Van Susteren të televizionit “Grey”.
"E kuptoj që ata duan të takohen dhe ne do ta bëjmë këtë me siguri", tha zoti Trump, duke shtuar se "do ta bëja nëse do të mendoja se do të ishte e dobishme".
Kur zonja Van Susteren, e cila është gjithashtu një kontribuese e “Zërit të Amerikës”, e pyeti zotin Trump nëse ai mendonte se një takim i tillë do të ishte i dobishëm, presidenti u përgjigj: "Ndoshta. Unë kam një marrëdhënie shumë të mirë me të, kështu që ndoshta do të ishte (e dobishme)".
Koreja e Veriut bëri të ditur dy herë gjatë javës së kaluar se nuk është i interesuar për bisedime të tjera me SHBA-në, duke insistuar se një takim tjetër do të sillte përfitim vetëm për situatën e brendshme politike të zotit Trump.
"Duke e thënë edhe një herë në mënyrë të qartë, nuk kemi ndërmend të ulemi ballë për ballë me SHBA", tha të martën Kwon Jong Gun, një zyrtar i ministrisë së Jashtme të Koresë së Veriut, për Agjencinë Qendrore të Lajmeve Koreane (KCNA).
Të shtunën, diplomati i lartë i Koresë së Veriut Choe Son Hui tha se: "ne nuk e ndiejmë të nevojshme të ulemi ballë për ballë me SHBA-në, pasi e shohim këtë dialog asgjë më shumë sesa një mjet për të kapërcyer krizën e tij politike".
Në fillim të këtij muaji, Presidenti i Koresë së Jugut Moon Jae-in tha se do të dëshironte që zoti Trump dhe zoti Kim të zhvillonin një takim tjetër para zgjedhjeve presidenciale amerikane që mbahen në nëntor. Çështja e përparimit të bisedimeve të bllokuara bërthamore ishte pjesë e diskutimeve të mërkurën mes zëvendës sekretari amerikan të Shtetit Steve Biegun në Seul me udhëheqësit e Koresë së Jugut.
Duke folur të mërkurën pas takimit me homologun e tij të Koresë së Jugut Lee Do-hoon, zoti Biegun minimizoi komentet e fundit të Koresë së Veriut.
"Unë nuk i marr udhëzimet nga zëvendës ministri Choi Son Hui, apo nga ambasadori John Bolton", tha tha zoti Biegun duke iu referuar ish-këshilltarit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, i cili kohët e fundit publikoi një libër mjaft kritik ku fliste dhe mbi afrimin e zotit Trump me Korenë e Veriut.
Muajin e kaluar zoti Biegun tha se një takim kokë-kokë para zgjedhjeve nuk ka gjasa të ndodhë, pjesërisht për shkak të shqetësimeve që lidhen me koronavirusin. Të mërkurën, ai nuk i adresoi publikisht shanset e një takimi tjetër.
Disa analistë kanë hedhur dyshimin nëse zoti Trump ka përparësi të tjera, ndërsa kanë mbetur edhe katër muaj deri në zgjedhje. Zoti Trump ka një rënie në sondazhe dhe rendit pas zotit Joe Biden, kandidatit të pritshëm të demokratëve për garën presidenciale.
Koreja e Veriut nuk shihet si një çështje madhore për zgjedhjet amerikane. Sidoqoftë, nëse zoti Trump do të mund të ringjallte bisedimet me Korenë e Veriut, kjo mund të ndihmojë në nxjerrjen në pah të asaj që zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë e paralajmëruan dikur si një arritje të politikës së jashtme të Trump.
Udhëheqësi amerikan Donald Trump dhe ai i Koresë së Veriut u takuan për herë të parë në qershor 2018-s në Singapor ku nënshkruan një deklaratë të shkurtër duke u zotuar se do të "punojnë drejt çarmatimit bërthamor të plotë të Gadishullit Korean".
Megjithëse deklarata ishte me më pak përmbajtje sesa disa marrëveshje të kaluara mes SHBA-së dhe Koresë së Veriut, shumë analistë dhe zyrtarë shpresuan që qasja e veçantë "nga lart-poshtë" e dy udhëheqësve do t'i hapte rrugë përparimit të mëvonshëm të negociatave në nivelin e grupeve të punës.
Shpresat ishin të larta në shkurt të vitit 2019, kur zoti Trump dhe zoti Kim u takuan për herë të dytë në Hanoi të Vietnamit. Por takimi përfundoi papritur pasi të dy udhëheqësit nuk arritën të bien dakord se si të kombinonin lehtësimin e sanksioneve me hapat për të çmontuar programin bërthamor të Koresë së Veriut.
Në qershor 2019-s zoti Trump dhe zoti Kim u takuan shkurtimisht në zonën e çmilitarizuar që ndan dy Koretë. Në tetor palët u angazhuan në bisedime në nivel grupesh pune që u mbyllën shpejt dhe pa rezultat. Që nga ajo kohë Koreja e Veriut i ka bojkotuar diskutimet.
Pheniani është zemëruar nga refuzimi i SHBA-së për të lehtësuar sanksionet dhe për të ofruar garanci si pjesë e një procesi çarmatimi bërthamor që do të ndodhë hap pas hapi. Administrata Trump kërkon që Pheniani të bjerë dakort që të heqë dorë fillimisht nga i gjithë programi i saj mbi armët bërthamore.
Zoti Trump ka këmbëngulur vazhdimisht se marrëdhënia e tij me Kim Jong Un-in mbetet e fortë dhe e ka portretizuar afrimin e tij me të si një sukses, edhe pse Koreja e Veriut i rifilloi provat e shpeshta me raketa me rreze të shkurtër veprimi si dhe provokime të tjera.
"Që ta kuptoni, kanë kaluar pothuajse katër vjet që ne nuk jemi në një luftë. Pothuajse çdokush tjetër do të kishte qenë në luftë. Unë shkoj mirë me të, ne flasim, le të shohim se çfarë do të ndodh. Ne kemi bërë një punë të shkëlqyer dhe nuk na është dhënë merita që na takon", i tha zoti Trump gazetares Van Susteren.
Që kur zoti Trump dhe zoti Kim nisën bisedimet, Koreja e Veriut i ka ndaluar provat bërthamore me raketa me rreze të gjatë veprimi, por ka vazhduar me programin e saj të prodhimit të armëve bërthamore. Sipas disa vlerësimeve, Koreja e Veriut ka tashmë material të mjaftueshëm për prodhimin e rreth 40 bombave bërthamore.
I pyetur në lidhje me aktivitetin e vazhdueshëm të Phenianit për prodhimin e armëve bërthamore zoti Trump u përgjigj:
"Do të duhet ta shohim. Nuk është bërë ndonjë dorëzim ende apo të tjera gjëra siç e dini. Ende jo. Në një moment mund të ketë. Dhe ne do të zhvillojmë diskutime shumë serioze e të mendojmë rreth kësaj gjëje, sepse mund të vijë një kohë kur diçka mund të ndodhë".
Facebook Forum