Kombet e Bashkuara shënojnë 75 vjetorin e themelimit në një botë shumë më ndryshe nga ajo në të cilën lindën. Materiali në vazhdim i hedh një vështrim mënyrës se si organizata është maturuar, si dhe sfidat me të cilat ajo pritet të përballet në të ardhmen.
"Tani është detyra ime, nderi dhe privilegji im të bëj thirrje për votim për miratimin e kartës së Kombeve të Bashkuara" .
Ishte qershor 1945 në San Francisko, Kaliforni kur u nënshkrua Karta e OKB-së.
Të krijuara për të parandaluar mizoritë e Luftës së Dytë Botërore, Kombet e Bashkuara u konceptuan si një kornizë për të zgjidhur paqësisht mosmarrëveshjet ndërkombëtare.
Organizata shënon 75-vjetorin e saj në një botë shumë të ndryshme, një botë e përfshirë nga trazira globale thotë Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres.
“Nga COVID-19 deri te prishja e klimës, nga padrejtësia racore deri tek pabarazitë në rritje, ne jemi në një botë të trazuar. Në të njëjtën kohë, ne jemi një bashkësi ndërkombëtare me një vizion të qëndrueshëm - të mishëruar në Kartë - për të na udhëhequr drejt një të ardhme më të mirë. Sfida jonë e përbashkët është të ngrihemi në këtë moment", tha zoti Guterres.
Por disa nga fuqitë themeluese të OKB-së - Britania, Kina, Rusia dhe Shtetet e Bashkuara - po largohen nga një prej parimeve të saj thelbësore - multilateralizmi. Ndërkohë, vende më të vogla po e përqafojnë atë.
"Shohim vërtet tendencën për t'i dhënë më shumë rëndësi OKB-së, sepse këto vende pranojnë kolektivisht se shumë nga problemet e ditëve tona nuk mund të zgjidhen përveçse me diplomaci shumëpalëshe. Gjërat si ndryshimi i klimës, si shëndeti global, siç i shohim shumë qartë sot, mund të zgjidhen vetëm përmes bashkëpunimit ndërkombëtar", thotë Anjali Dayal, profesore e politikës ndërkombëtare, në Universitetin Fordham.
Kreu i OKB-së pranon se multilateralizmi i sotëm duhet të jetë më i fortë.
"Problemi nuk është se multilateralizmi nuk është në nivelin e duhur për sfidat me të cilat përballet bota. Problemi është se multilateralizmit të sotëm i mungojnë shtrirja, ambicia dhe dhëmbët", tha zoti Guterres.
Me kalimin e viteve, OKB-ja e ka zgjeruar punën e saj për të përfshirë paqeruajtjen dhe operacionet humanitare.
Sot, organizata ushqen 87 milionë njerëz në 83 vende; vaksinon gjysmën e fëmijëve të botës; dhe ka gati 100'000 paqeruajtës të vendosur në 13 vende.
Ndërsa parandaloi një tjetër Luftë Botërore, OKB-ja është vështirësuar të frenojë konfliktet në pothuajse çdo cep të globit - duke e bërë organizatën joefektive, thonë kritikët.
"OKB-ja nuk është ajo që u konceptua të ishte në vitin 1945. Ka qenë kryesisht joefektive në krahët e saj politikë. Shumë prej agjencive të saj humanitare bëjnë punë shumë të mirë, por në anën politike nuk ka funksionuar ashtu siç pritej", thotë John Bolton, ish ambasador amerikan në OKB gjatë periudhës 2005-06.
OKB-ja po shënon përvjetorin e saj gjatë pandemisë COVID-19, një sëmundje që paraqet ndoshta sfidën më të madhe që nga themelimi i saj.
Por që përpara virusit, OKB-ja përballej me një listë të gjatë "detyrash".
"Mendoj se sfida e madhe për OKB-në në dekadat e ardhshme do të jetë koordinimi i përgjigjeve ndërkombëtare ndaj ndryshimeve klimatike", thotë Richard Gowan, i Grupit Ndërkombëtar të Krizave.
Po aq sfiduese - gjetja e mënyrave për të balancuar fuqinë midis anëtarëve të saj më të fortë, që ata të vazhdojnë të bashkëpunojnë dhe të mos paralizojnë punën e organizatës.
"Sfida më e madhe për OKB-në është ngritja e Kinës. Për shkak se Kina po fiton ndikim në OKB shumë shpejt, pasi ekonomia e saj rritet. Por kjo shkakton nervozitet tek zyrtarët amerikanë. Gjithashtu i lë diplomatët nga vendet e tjera të shqetësohen se po humbasin pozicionet e tyre dhe ndikimin e tyre në sistemin e OKB-së", thotë zoti Gowan.
Organizata, e cila ka një buxhet vjetor prej miliarda dollarësh, po përballet gjithashtu me krizën më të rëndë fiskale në historinë e saj.
"OKB-së i mungojnë së tepërmi fondet tani. Dhe kjo sjell pasoja në botën reale. Ka pasoja programore. Ka pasoja për paqen dhe sigurinë. Ka pasoja për gjëra të tilla si shëndeti global, siç e shohim sot", thotë profesore Dayal.
Ndërsa OKB-ja hedh vështrimin në të ardhmen, do të duhet uniteti dhe vullneti politik i 193 vendeve anëtare të saj për të trajtuar me sukses problemet e shumta me të cilat përballet bota.
Facebook Forum