Lidhje

Rrjedhje masive e naftës në Arktiktun rus


Rusia po bën përpjekje për të vënë nën kontroll një rrjedhje masive të naftës në rajonin e saj të Arktikut. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Charles Maynes nga Moska, aksidenti po ripërtërinë debatin rreth efekteve të ndryshimit të klimës dhe ndikimit të tij në pjesën veriore të globit.

Pamjet ajrore pasqyrojnë më saktë nivelin e rrjedhjes së naftës.

Pas kolapsit të një cisterne karburanti në fund të majit, 150,000 fuçi naftë, rreth 20,000 ton karburant u derdhën në zonën përreth.

Politikanë që angazhohen në mbrojtjen e mjedisit, të cilët kanë vizituar zonën, thonë se dëmi është i pashembullt.

"Do ta quaja këtë një tragjedi ekologjike, jo një aksident. Dhe pamjet nga lart të japin një përshtypje mbi atë që ka ndodhur, pas fluturimit me kilometra mund të shihni se si ngjyra e ujit të një lumi ka ndryshuar plotësisht", tha Sergei Shakhmatov, nënkryetar i Partisë së Gjelbër në Rusi.

Përgjegjësia bie mbi kompaninë Norilsk Nickel, e cila është pronare e termocentralit ku ndodhi rrjedhja e naftës, dhe një prej minierave më të mëdha të metaleve në botë.

Kompania thotë se do të paguajë për pastrimin, por fajësoi ndryshimin e klimës për incidentin.

Vitet e fundit, temperaturat e ngrohta në Arktik, që janë duke u rritur me një ritëm dy herë më madh se në pjesën tjetër të planetit, kanë shkrirë tokën e ngrirë mbi të cilën është ndërtuar infrastruktura e kompanisë Norilsk Nickel dhe qyteti me të njejtin emër.

Kjo e vendosë Norilskin, një qytet i konsideruar si themeli i inxhinierisë sovjetike dhe i burgjeve të zymta, në qendër të debatit mbi ndryshimin e klimës.

Në qytet mund të shihni se si zhvendosjet e dheut po dëmtojnë ndërtesat.

Por, duke marrë parasysh që pjesa më e madhe e infrastrukturës kryesore të naftës dhe gazit në Rusi ndodhet në pjesën veriore të vendit, disa kanë frikë se rrjedhja e naftës në Norilsk është më shumë se sa një tragjedi mjedisore. Ajo mund të jetë një shenjë paralajmëruese e gjërave që do të vijnë.

"Shkrirja e pjesës sipërfaqësore të tokës është tashmë një pasojë e ndryshimit të klimës që një shenjë se ne duhet të adaptohemi tani. Nuk është diçka që ne mund të pretendojmë se i ka kapur të gjithë në befasi", tha Vasily Yablokov, shef për ndryshimin e klimës i organizatës Greenpeace në Rusi.

Në Moskë, Presidenti Vladimir Putin ka shprehur zemërimin për ato që ai thotë se ishin vonesa në përgjigjen e qeverisë rajonale për pastrimin e zonës.

"Pse agjencitë qeveritare mësuan për rrjedhjen dy ditë pasi ajo kishte ndodhur? A do të mësojmë për situatat emergjente nga media sociale?"

Një hetim kriminal për këtë çështje tashmë ka filluar dhe udhëheqësit e termocentralit dhe kryebashkiaku i Norilskit janë arrestuar dhe po përballen me akuza për neglizhencë.

"Sipas analizës së ekspertëve, cisterna e naftës nuk i plotësonte standartet industriale të sigurisë", tha Svetlana Petrenko, zëdhënëse e Komisionit Hetues të Rusisë.

Por ambientalistët thonë se të metat në përpjekjen për pastrim janë gjithashtu pasojë e të metave në sistemin e qeverisjes nga lart poshtë të Kremlinit, ku askush nuk dëshiron të jetë bartësi i lajmeve të këqija.

"Udhëheqja lokale ka frikë të kalojë informacione në zinxhirin e komandës. Ata nuk mendojnë për pasojat e veprimeve të tyre në momentin e aksidentit. Ata mendojnë për karrierën e tyre", tha Andrey Zolotkov, drejtor i organizatës Bellona Rusia.

Për momentin, fokusi kryesor është pastrimi dhe parandalimi i përhapjes së rrjedhjes së naftës në një lumë kyç dhe më tej në Oqeanin Arktik.

Mund të duhen vite për të kuptuar efektet e dëmshme të rrjedhjes së naftës tek peshqit dhe gjallesat e tjera.

Këto vështirësi do të çojnë në pyetje të vazhdueshme mbi rreziqet e industrisë së naftës dhe metaleve në Arktikun që po ndryshon me shpejtësi.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG