Lidhje

Me avion për në Tiranë, udhëtarët bllokohen në Zyrih. Reagon kompania.


Një numër i madh pasagjerësh, të cilët prisnin që gjatë ditës së sotme të udhëtonin me avionin e kompanisë zvicerane "Edelweiss" nga Zyrihu në Tiranë, kanë mbetur të bllokuar në aeroportin e kryeqytetit zvicerian.

Mes pasagjerëve që kishin prerë biletat rezulton të ketë qenë dhe i Dërguari special i Bashkimit Evropian për bisedimet Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, i cili kishte zgjedhur këtë mundësi për të qenë nesër i pranishëm në një vizite zyrtare në Prishtinë, të parën që kur mori këtë detyrë.

Por kompanisë "Edelweiss" nuk i është lejuar fluturimi drejt aeroportit Nënë Tereza të Tiranës.

Autoritetet shqiptare i thanë "Zërit të Amerikës" se kompanisë ajrore zvicerane nuk i ishte dhënë asnjë leje, aq më tepër kur mes Shqipërisë dhe Zvicrës, nuk është nënshkruar ende një marrëveshje për rihapjen e fluturimeve, të cilat u pezulluan për shkak të pandemisë së COVID 19.

Rihapja po bëhet graduale, dhe në këto momente, një pjesë e shteteve po operojnë përmes marrëveshjeve dypalëshe, siç ka ndodhur mes Shqipërisë dhe Austrisë, Serbisë dhe Greqisë, thanë zyrtarë të ministrisë së Infrastrukturës, duke shtuar se Shqipëria madje i ka bërë kërkesë Zvicrës, për rinisjen e lidhjeve ajrore, por ende pala tjetër nuk ka dhënë pëlqimin.

Kompania i pohoi “Zërit të Amerikës” se fluturimi duhej të anullohej për shkak të kufizimeve të hyrjes në Zvicër të shtetasve nga vendet jo-anëtare të Bashkimit Europian.

“Për shkak të këtyre kufizimeve, Shqipëria nuk i dha “Edelweiss” lejen për të fluturimin nga Zyrihu për në Tiranë, megjithë të drejtat ekzistuese të trafikut, të cilat “Edelweiss” i sheh si të pakuptueshme” - deklaroi kompania.

Sipas saj, udhëtarët nga vendet e Shengenit u regjistruan përsëri mbrëmjen e të hënës dhe disa prej tyre u kthyen pas në pikën e nisjes, ndërsa udhëtarët e tjerë po qëndrojnë në aeroportin e Zyrihut, sepse ata nuk mund të hyjnë në Zvicër ose në zonën Shengen për shkak të rregullave në fuqi.

“Edelweiss i vjen keq për situatën për pasagjerët e prekur dhe po punon me Zyrën Federale Zvicerane të Aviacionit Civil (FOCA), Departamentin Federal të Punëve të Jashtme (FDFA) dhe Ambasadën Zvicerane në Tiranë për të gjetur një zgjidhje të shpejtë dhe të pakomplikuar të situatës” - i deklaroi “Zërit të Amerikës” Andreas Meier, një përfaqësues i kompanisë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG