Lidhje

Protestat dhe qëndrimet që ushqejnë përçarje të Presidentit Trump


Në një kohë kur protestat mbi vdekjen e një afrikano-amerikani ndërsa ndodhej në duart e policisë kanë hyrë në javën e tretë, disa postime në twitter të Presidenti Donald Trump dukej se ushqenin përçarje e lartësonin dhunën e ushtruar nga policia. Materiali i korrespondentes së “Zërit të Amerikës” Patsy Widakuswara i hedh një vështrim kostos që mund të ketë qasja luftarake e zotit Trump në një kohë kur ka një rritje të jashtëzakonshme të ndjeshmërisë në vend ndaj komunitetit afrikano-amerikan.

Pamjet filmike të një të moshuari 75-vjeçar i cili u shty nga policia në Bufalo të Nju Jorkut u përhapën gjerësisht javën e kaluar. Ndaj të dy policët të përfshirë në ngjarje janë ngritur padi për sulm të shkallës së dytë. Të martën Presidenti Donald Trump nxiti polemika, duke postuar një video nga një llogari e një grupi të djathtë që paraqiste një teori të paprovuar konspiracioni se i moshuari po përpiqej të bllokonte pajisjet që përdorin punonjësit e policësë për komunikim.

Zoti Trump e akuzoi atë (të moshuarin) si një provokator të grupimit ANTIFA, duke thënë se ai ra në tokë më fort nga sa u shty.

Postimi i zotit Trump është më i fundit i një serie komentesh të cilat kanë ngjallur zemërimin dhe përçarje racore, ndërsa vendi është tronditur nga më shumë se dy javë protesta mbi vdekjen e George Floyd, një afrikano-amerikan që vdiq në duar e policisë ndërsa ndodhej nën arrest.

"Ky nuk është një president i aftë që duke parë trazirat në vend të përpiqet të gjejë mënyra për të shëruar plagët e t'i bashkojë njerëzit në një shkallë të gjerë. Ai e sheh suksesin e tij tek sulmet e vazhdueshme edhe më të ashpra ndaj kujtdo që është kritik ndaj tij dhe tek përpjekjet për të shkaktuar ndarje duke ndezur bazën e ngushtë të mbështetësve tij”, thotë Norman Ornstein, studiues në Institutin Amerikan të Ndërmarrjeve.

Një bazë që mund të ngushtohet edhe më shumë.

Sondazhet e fundit tregojnë se 76 për qind e amerikanëve, përfshirë 71 për qind të popullsisë së bardhëve të vendit, e quajnë racizmin dhe diskriminimin "një problem të madh" në SHBA, krahasuar me 50 për qind në 2015.

"Shumë nga amerikanët e bardhë po hapin sytë ndaj realitetit duke kuptuar se ishin pjesë e një sistemi që ndoshta i kishte vendosur ata në pozita të privilegjuara, por që ka disa ndërlikime tejet të tmerrshme mbi drejtësinë sociale dhe e për gjithë të tjerët", thotë Jonathan Metzl profesor i sociologjisë në universitetin “Vanderbilt”.

Studimi tregon gjithashtu se 78 për qind e amerikanëve i mbështesin protestat dhe 57 për qind besojnë se oficerët e policisë kanë më shumë të ngjarë t'i trajtojnë padrejtësisht njerëzit me ngjyrë.

Kjo zhvendosje e qëndrimeve ka kontribuar në ndryshime në terren. Disa kryetarë bashkish kanë rënë dakord të përdorin fondet e policisë për shërbime sociale, një ide që shihej si radikale disa vite më parë. Por gjatë një takimi me zyrtarët e zbatimit të ligjit të hënën zoti Trump i kundërshtoi thirrjet për t'i shkurtuar fondet policisë dhe pikëpamjet për racizëm të institucionalizuar në organet e zbatimit e ligjit.

"Ndonjëherë do të shohim disa gjëra të tmerrshme siç kemi parë së fundmi, por unë them se 99.9 për qind ose le të themi 90 për qind e tyre janë njerëz tejet të shkëlqyer", tha Presidenti Trump.

Sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë thotë se zoti Trump po lufton racizmin duke siguruar mundësi ekonomike për afrikano-amerikanët dhe duke bërë presion për reformë në drejtësinë penale.

Presidenti ka biseduar në telefon me familjen e George Floyd, por nuk është takuar me përfaqësuesit e komunitetit afrikano- amerikan apo protestuesit. Rivali i tij i mundshëm për zgjedhjet presidenciale Joe Biden, është takuar me familjen e zotit Floyd si dhe udhëheqësit e komunitetit afrikano-amerikan.

Ndërsa sondazhet tregojnë se amerikanët e shohin zotin Biden si më të ndjeshëm sesa zoti Trump, kandidati për president i demokratëve ka sfidat e tij.

"Atij i duhet të krijojë një balancë mes asaj për të siguruar mbështetje siç ka pasur në të kaluarën nga zyrtarët e zbatimit të ligjit, ndërsa gjithashtu bën thirrje të fortë për një transformim dramatik të mënyrës se si duhen trajtuar çështjet që kanë të bëjnë me policinë dhe dhunën e ushtruar prej tyre", thotë Norman Ornstein, studiues në Institutin Amerikan të Ndërmarrjeve.

Zoti Biden i ka kritikuar protestat e dhushme e gjithashtu ka refuzuar thirrjet për shkurtimin e fondeve të policinë. Ai është përqëndruar tek reforma në polici dhe është zotuar për veprime kundërt atij që e quan racizëm sistematik.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG