Lidhje

Polemikat mbi thirrjet për të ndërprerë fondet për policinë


Mes protestave të vazhdueshme në Shtetet e Bashkuara lidhur me vdekjen nën arrest të afrikano-amerikanit George Floyd, një slogan i ri po konkurron me atë "Black Lives Matter" (Jetët e Afrikano-amerikanëve kanë Rëndësi) dhe "I Can't Breathe" (Nuk mund të marrë frymë) - "Defund the Police" (Ndërpreni Fondet për Policinë).

Prej një kohe të gjatë, një kërkesë thelbësore e aktivistëve të së majtës ekstreme, thirrja "Ndërpreni Fondet për Policinë" tani ka hyrë në leksikun kombëtar ndërsa protestuesit bëjnë presion për reforma strukturore për t'i dhënë fund brutalitetit politik dhe racizmit endemik në sistemin e drejtësisë kriminale.

Por çfarë nënkupton parrulla "Ndërpreni Fondet për Policinë"? Përgjigja varet nga personi të cilit i bëni këtë pyetje.

Ndërsa shumica e protestuesve mendojnë se kjo nënkupton zhvendosjen e fondeve të policisë tek shërbimet sociale, një grup më i vogël aktivistësh ka shkuar më tej, duke bërë thirrje për ndërprerje të plotë të fondeve dhe madje eliminim të plotë të departamenteve të policisë.

Deri kohët e fundit, koncepti i ndërprerjes së fondeve për departamentet e policisë nuk ishte një pjesë e madhe e debatit kombëtar për reformën në drejtësinë kriminale, thotë Clark Neily, nënpresident për drejtësinë kriminale në Institutin Cato, një organizatë studimi libertariane.

Por ndërsa një pjesë e vogël e qyteteve kanë njoftuar planet për të ulur buxhetet e tyre të policisë, zoti Neily tha se ai nuk pret që lëvizja të çojë në një rënie të konsiderueshme të shpenzimeve të policisë në vend.

Sipas tij, policia dhe zyrtarët e tjerë të forcave të zbatimit të ligjit kanë një nga lobimet më me ndikim në vend.

"Dhe sigurisht, ata do të përdorin këtë fuqi për të mbrojtur buxhetet e tyre", tha ai.

Këto janë gjashtë pyetje kryesore në lidhje me lëvizjen “Ndërpreni Fondet për Policinë”.

Nga buron shprehja?

Shumica e njerëzve e dëgjuan për herë të parë shprehjen gjatë ditëve të fundit, por protestuesit kundër policisë e kanë përdorur atë në Çikago dhe Nju Jork që nga vitet 2015 dhe 2016.

Në vitin 2015, një grup protestuesish në Çikago bllokuan mbledhjen e përvitshme të Shoqatës Kombëtare të Shefave të Policisë, duke kërkuar që “të gjitha buxhetet lokale federale dhe shtetërore, të ndalonin financimin e policisë dhe paratë të investoheshin në sherbime si arsimi dhe shëndeti publik.”

Në vitin 2016, aktivistët kundër policisë në Nju Jork mbushën parkun para bashkisë së qytetit me kërkesat për të “hequr fondet për policinë e Nju Jorkut dhe investuar ato për klasën punëtore tek komunitetet me ngjyrë.”

Çfarë nënkuptoj ndërprerja e fondeve ?

Për shumicën e mbështetësve, heqja e fondeve për policinë thjeshtë nënkupton shkurtimin e fondeve për departamentet e policisë dhe përdorimi i këtyre fondeve për sherbime që përmirësojnë jetët dhe reduktojnë krimet.

Këta mbështetës thonë se qytetet shpenzojnë shumë para për policinë dhe jo aq sa duhet për sherbimet sociale për të varurit nga droga dhe të sëmurët mendorë, mes të tjerash.

Përmes një letre të hapur, koalicioni “Movement for Black Lives” shprehet se fondet e marra nga departamentet e policisë “mund të përdoren për ndërtimin e komuniteteve të shëndosha, për shëndetin e të moshuarve dhe fëmijëve, për infrastrukturën e lagjeve, për arsimin, kopështet, për të mbështetur një të ardhme më të mirë të popullsisë me ngjyrë. Mundësitë janë të pafundme.”

Shpërndarja e policisë?

Ndërsa shprehen se heqja e fondeve për policinë nuk është e mjaftueshme, disa protestues dhe politikanë kanë kërkuar masa më radikale, shkrirjen e plotë të policisë dhe rindërtimin e departamenteve të policisë.

Të shtunën e kaluar, nëntë anëtarë të Këshillit Bashkiak të Mineapolisit bënë bujë kur u zotuan të shpërbëjnë departamentin e policisë së qytetit dhe zëvendësimin e tij me “një model të ri të sigurisë publike”.

Kryebashkiaku i Mineapolisit Jacob Frey nuk e mbështet masën, ndërsa këshilli duhet të votojë për të. Kryetarja e këshillit Lisa Bender i tha kanalit televiziv CNN të hënën se ekipi do të diskutojë se me çfarë do ta zëvendësojë policinë.

Asnjë qytet tjetër amerikan nuk ka shkuar deri në këtë pikë. Disa mbështetës thonë se shfuqizimi nuk do të thotë domosdoshmërisht shpërbërje të policisë.

Profesorja për ligjet në Universitetin Georgetown, Christy Lopez argumenton se këtu flitet për “reduktim me vizionin për të eleminuar mbështetjen tonë tek policia për të arritur sigurinë tonë publike”.

Sa shpenzojnë qytetet amerikane për shërbimet policore

Për shumë qytete, policia është shpenzimi më i madh në buxhetin e tyre, sipas zotit Neily.

Në dekadat e fundit, në Shtetet e Bashkuara shpenzimet për policinë kanë arritur nivele rekord, megjithëse krimi ka shënuar rënie të vazhdueshme. Në 2017, qeveri shtetërore e lokale kanë shpenzuar 115 miliardë dollarë për policinë – një rritje prej 42 miliardë dollarësh krahasuar me 1977, sipas Institutit Urban.

Por, megjithëse policia përfaqëson diçka më pak se 4% të shpenzimeve totale, disa qytete shpenzojnë shumë më tepër dhe kritikët thonë se shpenzimet e tepërta për pajisje e mbështetje operacionale bëhen në kurriz të nevojave të tjera.

Qyteti Okland në Kaliforni, për shembull, shpenzon afro 300 milionë dollarë për policinë ose më shumë se për transportin, shërbimet humane si dhe parqet e objektet argëtuese të marra së bashku.

Cilat qytete kanë propozuar shkurtime në buxhetin policor?

Në përgjigje të thirrjeve për të ndërprerë fondet për policinë, disa kryebashkiakë të qyteteve kryesore kanë njoftuar kohët e fundit plane për të shkurtuar buxhetin e departamenteve policore.

Bill De Blasio, kryebashkiaku i qytetit më të madh amerikan, Nju Jork, u zotua të dielën të zhvendoste një shumë të paspecifikuar nga buxheti i departamentit të policisë prej 6 miliardë dollarësh dhe ta përdorë këtë shumë për programe sociale.

Eric Garcetti, kryebashkiaku i Los Anxhelosit, qyteti i dytë më i madh në SHBA, propozoi javën e kaluar shkurtime prej 150 milionë dollarësh në buxhetin e policisë së qytetit prej 1.8 miliardë dollarësh.

Qyteti i tretë më i madh, Çikago, nuk i është bashkuar kësaj lëvizjeje.

Çfarë thonë kritikët?

Megjithë popullaritetin në radhët e demonstruesve, ndërprerja e fondeve për policinë nuk gëzon mbështetje të gjerë. Një anketë e organizatës YouGov poll që përfshiu 1,060 pjesëmarrës dhe u zhvillua me 29-30 maj tregon se vetëm 16% e amerikanëve e mbështesin këtë ide. Anketa kishte një luhatje statistikore prej 4.3%.

Në Shtetet e Bashkuara ka rreth 18 mijë agjenci të zbatimit të ligjit, qofshin në nivel shtetëror apo federal. Për shumë amerikanë, që kanë një përshtypje pozitive për policinë, ideja e shpërndarjes së reparteve policore është e papranueshme. Ndër të tjera, ata shqetësohen se do të çojë në shtim të krimeve, kërcënim për jetën dhe do të ulë vlerën e pronave të patundshme.

Sindikatat e policëve e kanë luftuar këtë ide. Në një deklaratë të hënën, Shoqata Ndërkombëtare e Shefave të Policisë e quajti këtë ide “dritëshkurtër dhe të gabuar”.

“Në këtë profesion, ku punonjësit nuk kanë fonde të mjaftueshme, nuk duhet të reduktojmë burimet për policinë që t’i kalojmë në drejtime të tjera,” tha shoqata.

Presidenti Donald Trump i ka shfrytëzuar thirrjet për të anuluar fondet për policinë për të sulmuar ish-nënpresidentin Joe Biden dhe demokratët, megjithëse vetë zoti Biden ka folur kundër kësaj ideje.

“LIGJI & RENDI; JO PEZULLIMIT TË FONDEVE DHE SHPËNDARJES SË POLICISË,” shkruante presidenti në Twitter të hënën. “E majta radikale ka luajtur mendsh!”.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG