Lidhje

Protesta kryesisht paqësore kundër vdekjes së George Floydit


Thirrjet për drejtësi për afrikano-amerikanin George Floyd, cili vdiq ndërsa ishte nën arrest në Mineapolis vazhduan edhe në mbrëmjen e së enjtes në mbarë Shtetet e Bashkuara, me protesta të shoqëruara me më pak incidente të dhunës.

Për dallim nga ditët e mëparshme, protestat kundër vdekjes së George Floydit ishin kryesisht paqësore në Shtetet e Bashkuara të enjten në mbrëmje, përfshirë ato në qytetin e Nju Jorkut, që zgjatën përtej orës tetë të mbrëmjes, koha kur hyri në fuqi masa e ndalim-qarkullimit.

"Nuk ka absolutisht asnjë lloj dhune dhe nuk ka vandalizëm, kjo është një protestë paqësore", tha një protestues në Nju Jork.

Më herët të enjten, George Floyd u kujtua si një baba dhe një burrë i përkushtuar ndaj familjes në Mineapolis, në ceremoninë e parë përkujtimore, në të cilën udhëheqësi i të drejtave civile Al Sharpton bëri një apel për të gjithë amerikanët, me një referencë për policin e bardhë që vuri gjurin në qafën e Floydit ndërsa ai thoshte se nuk mund të merrte frymë.

"Ajo që i ndodhi Floydit ndodh çdo ditë në këtë vend, në arsim, shërbimin e kujdesit shëndetësor dhe në çdo fushë të jetës amerikane. Është koha që ne të ngrihemi në emrin e George-it dhe të themi hiqeni gjurin nga qafat tona."

Polici që vuri gjurin në qafën e Floydit po përballet me akuza për vrasje me qëllim të shkallës së dytë dhe vrasje pa paramendim. Tre policë të tjerë përballen me akuza për ndihmë në kryerjen e vrasjes.

Ceremonia e varrimit të afrikano-amerikanit George Floyd do të mbahet të martën (9 qershor) në qytetin e tij të lindjes, Hjuston.

Sharpton në ceremoninë përkujtimore të së enjtes tha se ai po organizon një marshim në Uashington që do të mbahet më 28 gusht, 57 vjet pasi Martin Luther King Jr. udhëhoqi një marshim dhe bëri histori me fjalimin e tij ikonik "Unë kam një ëndërr", që ishte i mbushur me një mesazh të barazisë për njerëzit e të gjitha racave dhe besimeve.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG